Kjo është një hallvë shumë e lehtë për t’u përgatitur dhe rezultati është spektakolar. E kemi provuar vetë në redaksi, prandaj jemi të sigurt kur ju themi se nuk do të mbeteni të zhgënjyer.
Përbërësit:
1 filxhan vaj, ose gjysëm vaj, gjysëm gjalpë
1 dhe 2/3 e filxhanit me miell ermik
3 filxhanë qumësht
1 filxhan ujë
2 filxhanë sheqer
4 kapsula të vogla me vanilje
1 filxhan arrë kokosi në formë pluhuri dhe pak më shumë për t’ia hedhur sipër
½ filxhani fara pishe apo bajame në formë petash të holla (jo e domosdoshme)
Përgatitja
Në një tenxhere hedhim qumështin, ujin, sheqerin dhe vaniljen, për t’i dhënë valë. Ndërkohë, në një tenxhere tjetër kavërdisim miellin ermik me vajin, duke shtuar aty edhe farat e pishës. Kavërdisja vazhdon derisa mielli të marrë një ngjyrë të lehtë, duke e trazuar vazhdimisht. Këtu hedhim edhe qumështin me sheqerin e nxehtë dhe e trazojmë derisa mielli të ketë thithur qumështin dhe të shkëputet lehtësisht nga faqet e tenxheres. E heqim nga zjarri, shtojmë arrën e kokosit dhe e përziejmë. E hedhim në një formë dhe e lëmë të ftohet. Kur e heqim nga forma, e spërkasim lart me arrë kokosi.