– I nderuar Doktor Demiri, para pak ditësh na ngordhi qeni, një kafshë tepër e dashur për ne, që na ishte bërë si rob shtëpie. Unë dhe gruaja ime qanim fshehurazi, kurse vajzën e sollëm te ju, se u bë shumë keq. Ju na thatë se është depresion klinik, por normal, i cili do të kalojë. U bënë kaq ditë dhe vajza vazhdon të qajë. Mos është bërë klinik depresioni i saj?
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – I nderuar letërshkrues, dihet se disa ngjarje mund të kenë një ndikim emocional shumë të madh te njeriu, si për shembull, humbja e një njeriu të dashur, që mund të shkaktojë te familjarët një rënie të madhe shpirtërore, një gjendje si të pashpresë rreth së ardhmes, deri edhe një si ndjenjë faji deri aty sa mund të mendojmë pse ne jetojmë e ai tjetri, njeriu ynë, jo… Edhe qeni bëhet shumë i dashur për familjarët, sidomos me kalimin e viteve, aq më tepër me fëmijët, ndaj unë u them klientëve të mi të mbajnë kafshë shtëpiake se ato janë antistres, veç kujdes, mos krijoni varësi ndaj tyre, sepse kafshët janë jetëshkurtëra. Vajza juaj, me kaq sa thoni, ju garantoj se nuk ka depresion klinik, domethënë, patologjik, pasi ky lloj depresioni ka lidhje me një ngjarje, me “vdekjen” e qenit tuaj aq të dashur, si të ishte një pjesëtar i familjes. Nuk mund të quhet vajza e sëmurë me depresion vetëm sepse ende nuk është mësuar me jetën pa qenin. Ky lloj depresioni quhet depresion normal dhe përveç psikoterapisë e këshillimit, mbështetjes e ngrohtësisë familjare, nuk ka nevojë për kurrfarë terapie me barna. Ajo e ka të nevojshme që të qajë e ta nxjerrë brengën dhe jo të shtrëngohet dhe “përgjumet”. Këto lloj depresionesh normale janë çrregullimet më të zakonshme te gjendja shpirtërore dhe ju familjarët, nuk keni pse të trembeni. Në të gjitha këto raste, shërimi është përqendrimi te punët e përditshme dhe harresa, pasi njeriu ka aftësi të mrekullueshme ripërtëritëse. Reagimi emocional i vajzës suaj është i justifikuar dhe më pas do të veprojë “harresa” shëruese e ajo do të kthehet në normalitet. Po të ishte se depresioni normal do të kthehej në patologjik aq shpejt nga ngjarje të tilla si ato që dëgjojmë nëpër media, do të mbusheshin spitalet me njerëz të sëmurë nga depresionet klinike e do të shumëfishoheshin vetëvrasjet. Prandaj, për këto reagime normale, po qe se punohet me psikolog, nuk mund të kalohet nga një depresion normal, në depresion patologjik, pra, klinik. Nga e kuptojmë ne psikologët që ky lloj depresioni është i tillë dhe kjo periudhë trishtimi do të kalojë? Së pari, sepse nga dita në ditë, ndryshimi sadopak duket dhe, sado që të zgjatë, përsëri mbetet një reagim tipik ndaj një ndodhie jetësore stresuese, por gjithmonë kalimtare. Ky lloj reagimi klasifikohet si çrregullim i gjendjes shpirtërore, kurse depresioni klinik karakterizohet nga një gjendje e brendshme shpirtërore që mund të jetë edhe pa ngacmues të jashtëm të fortë e që ka lidhje me humbjen e interesit dhe kënaqësive të jetës e mendimeve aq të zymta, sa ndonjëherë vetëm mendimi për vetëvrasje duket si “ngushëllues”. Rreziku shtohet kur nuk e kanë aspak frikë këtë mendim, madje e dëshirojnë vetëvrasjen e ndoshta bëjnë plane.
Në rastet e depresionit klinik, nuk është vetëm ana shpirtërore dhe emocionale e pamotivuar, por edhe fakti se ata ndihen krejt të pafuqishëm, pa energji, si të “boshatisur”, kanë pagjumësi, rënie të oreksit, të libidos dhe vështirësi të mëdha pasi ndoshta s’kanë fuqi as të lahen apo rruhen vetë. Siç e thamë më sipër, studimet kanë specifikuar dy forma të depresionit; i pari është çrregullimi i thellë i cili mund të zgjasë me muaj, kurse i dyti, me emrin distimia, është pak më i lehtë se i pari, por zgjat shumë, deri edhe me vite. Gratë, depresioni i kap trefish në numër, në krahasim me burrat, por ato kanë ca aftësi më të mëdha sesa burrat për ta kaluar atë. Lajmi i mirë është se depresioni tani futet te sëmundjet plotësisht të shërueshme me farmakoterapi dhe psikoterapi, por e mira është që të fillohet me terapitë e ëmbla si psikoterapia e ilaçet bimore, pastaj, duke parë e duke bërë. Sa më shpejt që të kapni treguesit e depresionit, aq më shpejt kurohet ai. Ky kujdes duhet të jetë më i madh, në radhë të parë me fëmijët dhe adoleshentet, pasi depresioni nuk përjashtohet as te fëmijët shumë të vegjël, madje te fëmijët shenjat janë krejt të ndryshme nga të rriturit e nuk e dallojnë dot prindërit, ndoshta edhe specialistët pa përvojë. Shpesh, prindërit nuk e besojnë se fëmija i tyre ka depreison, pasi ngatërrohen simptomat me frikërat e moshës ose me zhvillimet e bujshme të adoleshencës. E mira është që çdo fëmijë të kontrollohet çdo vit nga një psikolog i specializuar. Problemet e tjera që çojnë në depresion klinik janë të tilla si abuzimi me alkoolin, drogërat, duhanin, efektet anësore të barnave, si dhe disa patologji, si hipotiroidizmi etj. Fillimi i mbarë është gjysma e punës, siç thotë populli, ndaj edhe diagnostikimi i saktë është gjysma e suksesit, në lidhje me depresionet. Ne psikologët, shërimin e një depresioni e fillojmë që me njohjen dhe pranimin, pastaj vijnë bashkëpunimi e trajtimi, me qëllim që klienti, nga “viktimë”, të kthehet në shkencëtar “menaxhues” të problemit, sipas rastit e sipas nevojës.
Advertisement