– Jam 23 vjeçe, 1 e 57 e gjatë dhe peshoj 40 kilogramë. Jam shumë e dobët. Çfarë mund të bëj për t’u shëndoshur, se oreks nuk kam fare?
Mario instruktor: – Për moshën që keni, jeni vërtet nën peshë dhe së pari do t’ju sugjeroja të kontaktonit një dietologe specialiste për rastin tuaj. Megjithatë, meqë më jeni drejtuar mua, unë po ju jap disa këshilla të përgjithshme. Edhe procesi i shëndoshjes ka një rëndësi të veçantë dhe duhet bërë me kujdes, sepse nuk ka rëndësi vetëm të shtoni në peshë, por edhe të ushqeheni në mënyrë të shëndetshme. Së pari, duhet të hani shpesh, të paktën çdo 2 orë dhe çdo vakt duhet të ketë në menunë e vet proteina, brumë, yndyrë, mish pule, majonezë dhe fruta me më shumë sheqer se frutat e tjera. Do t’ju këshilloja të mos merrni peshë përnjëherë, por avash-avash. Si humbja në peshë, ashtu edhe fitimi i saj, duhet të bëhen në mënyrë graduale.
– Krahas këtij regjimi ushqimor, duhet të regjistroheni patjetër në palestër sepse palestra nuk është vetëm për ata që duan të dobësohen, por edhe për ata që duan të shtojnë në peshë. Duhet të bisedoni me instruktorin që t’ju japë një program për të shtuar në peshë dhe duke bërë ushtrime, do t’ju hapet oreksi. Për shembull, sa të mbaroni stërvitjen, nëse ata që duan të ruajnë peshën aktuale apo të mos shëndoshen i këshillojmë që të mos ushqehen direkt pas stërvitjes, ju duhet të bëni të kundërtën, mund të ushqeheni edhe menjëherë pas stërvitjes, kuptohet, pa e tepruar sepse siç thamë më sipër, duhet të shtoni, por në mënyrë graduale. Një ecje apo shëtitje jashtë përpara se të hani, do të ishte një stimulues shumë i mirë për të hapur oreksin. Nëse e shikoni që nuk keni përsëri oreks, përqendrohuni tek ushqimet tuaja të preferuara. Duhet të ketë patjetër diçka që ju pëlqen më shumë se të tjerat; mos ia kurseni vetes dhe konsumojini. Mos pini ujë gjatë kohës që ushqeheni sepse ju pret oreksin, por bëjeni këtë gjë vetëm në fund të vaktit. Konsumoni picat që kanë më shumë djathë në përbërjen e tyre. Dihet që djathi ka shumë kalori dhe sigurisht, do të merrni kaloritë e duhura. Pra, synoni ushqimet që janë kalorike. Nëse shikoni që edhe pas këtyre nuk keni rezultate, duhet të kontaktoni patjetër një dietolog dhe doktor që të shikoni nga ju vjen kjo mungesë oreksi.
Advertisement