Ajo rrezaton… është nga ato vajza, që nënat do t’i kishin dashur nuse për djemtë e tyre: E qeshur, e ëmbël, e zgjuar dhe e etur për të mësuar. Jo më kot, spektatorët e kanë dashur aq shumë çdo moment të sajin në Master Chef dhe nuk është rastësi që në njëzet metra që ecëm së bashku, për të shkuar drejt barit ku do të bënim intervistën, kalimtarët e ndalnin në rrugë, për t’i bërë komplimentet e tyre… Po aq çiltërsisht dhe e hapur sa e keni parë në spektakël, vjen Orana në këtë intervistë për ne dhe për ju. Ne e shijuam; tani është momenti juaj!
Blerina Çizmja: – Orana, më thuaj, si e ke ndjekur edicionin e parë të Master Chef, thjesht si spektatore, apo me mendimin: “Ah, sikur të isha aty”?
Orana Sinani: – E kam ndjekur thjesht si spektatore, çdo të shtunë, nuk kam dalë asnjëherë nga shtëpia, kam ndjekur të gjitha seritë, kam pasur të preferuarit e mi dhe nuk e kam menduar absolutisht që në sezonin e ardhshëm do të isha pjesë e tij…
– Kujt ia the të parit idenë e pjesëmarrjes?
– Ideja s’ishte fare e imja… (Buzëqesh) Kisha një shtysë të lehtë nga mami, që më thoshte ta provoja se do të ishte një eksperiencë e bukur, por unë nuk e mora seriozisht. Pastaj, një ndikim shumë të madh ka patur mikesha ime e ngushtë, që më tha: “Do ta bësh ti aplikimin, apo ta bëj unë, me dhunë?!”. (Qesh) Kështu, kur bëra aplikimin, m’u desh t’ia çoja asaj foton, që të kishte provën se e kisha bërë me të vërtetë… Ishte një dëshirë e brendshme, kisha qejf ta provoja, por nuk e mendova seriozisht ta bëja të vërtetë, derisa më erdhi telefonata…
– Dhe si ishte përballja e parë?
– Kisha intervistën dhe do të paraqitja një pjatë… pata përkrahjen maksimale nga prindërit e mi dhe çfarëdo që kam arritur, kudo që kam shkuar, ua dedikoj atyre sepse kudo kanë qenë afër meje, më kanë përcjellë, më kanë përkrahur, më kanë dhënë ide, më kanë nxitur të studioj. Kam vajtur e shoqëruar nga të dy, prezantova pjatën, me shumë emocione, sikur po jepja provimin e shtatëdhjetë… (Qesh) Mendoj se ajo që më ka bërë të eci përpara në Master Chef është se jam përpjekur të eksperimentoj, ama, të bëj atë që di.
– Si vendose për gatimin që do të paraqisje në audicion?
– Ishte shumë e vështirë midis luftës që kisha me mamin, e cila këmbëngulte të shkoja me një gatim tradicional dibran, të transformuar në gourmet. Pastaj u riktheva te rrënjët e mia, siç e kam nisur, me kuzhinën italiane, u mora me receta me të cilat ndihesha më rehat. Në audicionin e parë u paraqita me filet mignon, që kam patur gjithmonë dëshirë ta bëja dhe ia arrita, sepse fatmirësisht, mësoj shpejt…
– Nga një në dhjetë, sa e aftë ndiheshe në kuzhinë para kësaj eksperience?
– Gjashtë ose shtatë.
– Po tani?
– Tani… Kam kaluar një eksperiencë të jashtëzakonshme, kam mësuar pa fund dhe do ta rrisja me dy nota veten, jo më shumë…
– Një vajzë e re, simpatike, që nuk del në pab me shoqet, por “mbyllet” në kuzhinë… Rrallë të reja mund ta bëjnë këtë, je dakord me mua besoj…
– Është konstatim i saktë… Në fakt, kur duhet, dal, por e kam kaluar besoj atë moshën e eksplorimit dhe tani më pëlqen të merrem me gjëra që i dua dhe që më bëjnë të ndihem mirë. Nuk e konceptoj që “unë mbyllem në kuzhinë”. Unë bëj diçka që e dua me të vërtetë shumë, që nuk më lodh, më jep kënaqësi dhe sidomos, për atë kënaqësinë më të madhe që vjen kur njerëzit që e hanë atë që gatuaj, janë të lumtur dhe dëgjoj prej tyre “të lumshin duart”, apo “na kënaqe sot”.
– Nga kush e ke trashëguar pasionin për kuzhinën dhe cili ishte mësuesi yt i parë?
– Në kujtimet e mia të fëmijërisë, mbaj mend gjithmonë mamin duke bërë gjëra të veçanta dhe besoj se e kam nga mami, që më ka mësuar bazat e kuzhinës tradicionale dhe më ka nxitur si çdo nënë, që të mësoj gjërat që duhet të mësojë çdo vajzë. Kam përkrahjen e babit dhe të vëllait, që kanë provuar çdo eksperiment që kam bërë duke u rritur edhe në moshë, edhe në kuzhinë.
– Mendon se kjo ka të bëjë pak edhe me origjinën, me namin që kanë dibranët?
– Besoj se ka të bëjë shumë. Mami ka insistuar shumë që unë t’i mësoj mirë disa ushqime tipike dibrane, por unë nuk e arrij dot në mënyrë kategorike as mamin, as gjyshen. Dibranët, nuk mund të them se kanë një kuzhinë shumë të mirë, por kanë bujarinë e mikpritjen shumë të madhe dhe unë me këtë edukatë jam rritur, që duhet të bëj maksimumin kur dikush vjen, që të ndihet i nderuar, i respektuar dhe të kënaqet…
– A është e vërtetë se ke ndërmend ta lësh profesionin, për t’iu përkushtuar kuzhinës, siç kemi lexuar së fundi?
– (Buzëqesh) Jo, nuk është e vërtetë. Unë kam përfunduar Fakultetin e Drejtësisë, kam përfunduar studimet master. Mendoj se kam aftësi t’i bëj të dyja, t’i përkushtohem edhe pasionit, edhe profesionit tim.
Në Master Chef…
– Një eksperiencë për t’u mbajtur mend… sa gjatë?
– Gjithë jetën! Kur kam hyrë në Master Chef, i kam thënë vetes: Nëse unë vazhdoj gjatë këtu, kur të kem moshën e prindërve të mi, do të kem diçka të bukur për t’u treguar fëmijëve, nipërve dhe mbesave…
– Ishte ashtu siç e prisje?
– Nuk ishte fare ashtu siç e prisja… ishte shumë e bukur, shumë e lodhshme, shumë impenjative, kërkonte shumë durim, përkushtim, disiplinë. Nga kuzhina e shtëpisë që ishte një pasion, duhet të ishe e aftë të tregoje se mund të gatuaje për një restorant dhe kjo ishte sfida ime me veten: Të kuptoja deri ku arrin pasioni im.
– Çfarë ndodhi me ty dhe Renaton? Fillimisht dukej sikur ishe e preferuara e tij, por pastaj, u bë shumë i ashpër ndaj teje…
– Unë nuk mendoj se shef Renato ka të preferuar. Mendoj se shef Renato, secilit aty i ka bërë kritika dhe unë ndjehem shumë mirë për kritikat që kam marrë se nëse në shtëpi më kritikonte mami, aty më kritikonte shef Renato dhe kam ndjerë të njëjtën tendencë, që unë të përmirësohesha. Unë nuk vija nga ndonjë profesion i mirëfilltë në kuzhinë dhe këto kritika duheshin, gabimet duheshin vënë në dukje, që unë të përmirësohesha dhe të arrija aty ku arrita.
– Mendon se meritoje të ishe pjesë e finales?
– Kur kam hyrë në Master Chef, nuk kam menduar asgjë, nuk kam menduar që do të jem pjesë e pesëmbëdhjetëshes, e dhjetëshes, ua kam lënë çdo gjë aftësive të mia, kreativitetit tim, nuk kam menduar kurrë për një receteë, nuk kam menduar kurrë për dekorin dhe nuk kam menduar për finalen. Dëshira është, këtë nuk e mohoj dhe nuk e kam mohuar kurrë se gjithsecili nga ne, përderisa i hyri kësaj rruge, e kishte këtë dëshirë, por unë e kam marrë si ëndërr, siç e nisa… Nuk i thoja vetes se e meritoja, nuk e kisha këtë ambicie të theksuar te vetja.
– Nëse do të kishe dalë në finale, cilin nga konkurrentët do të doje të kishe përballë?
– Gjithmonë në finale kam menduar Blerin ose Irdin. Irdin, si të thuash, e kam zgjedhur që në fillim, por Bleri, pa diskutim që është talent. Do të doja shumë që të kisha patur një nga të dy; janë dy personat që unë vlerësoj më shumë në kuzhinë. Pastaj, Indriti është komplet një surprizë për mua, gjithmonë ka bërë maksimumin, por në puntatat e fundit kam zbuluar një Indrit tjetër. Një nga këta të tre do të doja, nuk mund të zgjedh njërin…
– Po zemra, kë të do fitues?
– Zemra më ka dashur fitues Irdin, tek ai kam parë gjithë mirësinë e një kuzhinieri, gjithë artin, gastronominë e re, Bleri është një talent i vërtetë, ndërsa Indriti ka aftësinë për të shfrytëzuar më së miri eksperiencat e tij jetësore… Do të gënjeja po të thoja një emër, nuk i ndaj dot, këta janë të preferuarit e mi…
– A mendon se sivjet, provat ishin më të vështira se vjet?
– Vjet ishte formati i parë televiziv dhe të gjithë e shijonim gjithçka, ishte një gjë e re. Sivjet ishte e vështirë se duhet të bëhej më mirë se vjet, pritshmëritë e të gjithëve ishin më të mëdha…
– Një mendim për secilin nga shefat…
Gëzimi – Me të jam ndier sikur kam patur babain tim në Master Chef, është një zotëri i vërtetë. Ndjej një lloj ngjashmërie në pasionin që kemi, sepse nga një inxhinier e piktor, tashmë është një kuzhinier me një restorant të vetin…
Sokoli – Shef Sokoli është kulmi i artit! Nëse dua të ha ëmbëlsira gjithë kohën, do të haja ëmbëlsirat e tij.
Renato – Ky muhabeti i Shef Renatos është zmadhuar shumë… Në të vërtetë, ai është një person shumë gazmor. Përtej skenës, fal shumë buzëqeshje, pavarësisht se nuk i duket në ekran dhe unë kam përshtypjet më të mira për të tre…
– Çfarë të pret tani?
– Realizimi i të gjitha ideve që kam në kokë. Nuk mund të lë pas dore profesionin, por as këtë pasion, që me Master Chefin, arriti kulmin.
Në kuzhinë…
– Cili është përbërësi më sfidues për ty në kuzhinë?
– Prodhimet e detit, sepse nuk jam marrë shumë me to.
– Ushqimi më “skandaloz” që ke gatuar…
– Unë nuk ndihem asnjëherë e kënaqur me ëmbëlsirat, sepse i ha shumë, por pres t’i marr nga të tjerët dhe nuk kam pasur mundësinë deri tani t’i bëj mirë, por mendoj se kam filluar t’i perfeksionoj edhe ato.
– Receta për të cilën je krenare…
– Receta ime, për të cilën jam shumë krenare dhe ndihem shumë mirë me veten, është receta e audicionit të parë, me të cilën mora përparësen: Ravioli, e mbushur me mish rose, rikota, erëza, me pure lajthish, me salcë sherebele dhe gjalpë.
– Incidenti më komik në kuzhinë…
– Përveç ndonjë të prere tek-tuk…
– Kjo s’është shumë komike…
– (Qesh) Po, është tragjike në fakt… Në përgjithësi, jam shumë e organizuar në kuzhinë, me kohën, me organizimin e gjërave. Ka patur gjëra që kam dashur t’i vë në pjatë, por s’i kam vënë…
– Gjëja më e çuditshme që ke ngrënë…
– Nga natyra, dua të eksploroj dhe asgjë nuk më duket e çuditshme. Për mua, çdo gjë është për t’u provuar.
– Kemi si përbërës Gëzimin, Sokolin dhe Renaton… Ç’pjatë do na gatuash?
– Një pjatë të re që të përfaqësojë kuzhinën e re sepse atë duan ata dhe atë do t’u japim! (Qesh)