Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Luziana: Artisti matet nga talenti, jo nga centimetrat e fustanit

Ajo mund të quhet këngëtarja e këngëve çame dhe vjen për herë të parë në faqet e gazetës tonë, ndaj dëshiron të tregojë gjithçka për pasionin e saj. E dashuruar që në vogëli me muzikën, ajo ka qenë pjesë e shumë festivaleve për fëmijë e për të rritur. Që atëhere nuk ka ndaluar së kënduari, përkundrazi, është përpjekur të qëndrojë sa më pranë publikut të saj duke sjellë disa klipe të veçanta. Besoj jeni dakord edhe ju se, klipi i saj i fundit, “U verbua dashuria”, në bashkëpunim me një tjetër këngëtar të trevave çame, Edmond Muhon, ka arritur të sjellë shpirtin e saj në muzikë…

Fabjola Kuburi: – Të kemi parë në klipe e në festivale popullore… Përveç kësaj, kush është Luziana?
Luziana: – Luziana është një zonjë që tregon kujdes për veten, familjen dhe karrierën. Jam e martuar dhe kam një djalë të vogël, Ergestin, 8 vjeç. Kam një bashkëshort të mrekullueshëm që tregon kujdes për mua, që karriera ime të shkojë mirë dhe të kemi një familje të këndshme.
– Si u takove me muzikën?
– Ndonjëherë mendoj se kam lindur bashkë me muzikën, sepse kam filluar të merrem me të që 7 vjeçe, kur në festivalin për fëmijë në RTSH, mora çmimin e dytë. Më pas merrja pjesë në Festivalin e Shkodrës dhe që atëhere jam marrë me muzikë. Unë kam mbaruar edhe shkollën artistike në degën e Kantos dhe po për Kanto vazhdova edhe studimet bachelor në Tiranë, ndërsa vazhdoj masterin në Universitetin “Marin Barleti”, për Pedagogji.
– Sipas teje, si verbohet dashuria?
– Ah, po bazoheni te titulli i klipit tim më të fundit! Është një klip ndryshe nga të tjerët, qoftë për idenë që është dhënë në klip, qoftë për performancën time, për të ardhur krejt e veçantë. Dashuria, e verbër është, apo jo?! (Buzëqesh)
– Pate ndonjë vështirësi gjatë realizimit të klipit?
– Jo, sepse idenë e kisha të qartë, e dija çfarë doja dhe me bashkëpunimin e Edmond Muhos, ia arritëm të nxjerrim një produkt të bukur.
– A ka ndonjë ngjarje apo situatë nga jeta jote që ti e ke shumë për zemër dhe do ta tregosh për lexuesit tanë?
– Unë rrjedh nga një familje patriotike. Stërgjyshi i babait tim, Tahir Mete, një burrë trim, i zgjuar e patriot, ka përfaqësuar Çamërinë në Lidhjen e Prizrenit. Jemi dekoruar familjarisht për këtë fakt. E pasova unë me titullin Qytetare Nderi në Markat të Çamërisë dhe dhurata më e bukur ka qenë para disa ditësh, kur një poet çam 80 vjeçar, Xhelo Zeqiri, më dhuroi librin e tij “Zemrën kam te ty” ku më ka dedikuar edhe dy poezi. Është nder shumë i madh për mua dhe besoj se do të kishte qenë për çdo artiste. Jam e lumtur sepse ky libër do të lexohet ndër breza dhe unë jam pjesë e tij.
– Në këtë pikë të karrierës tënde, mendon se mund të quhesh e suksesshme, në kuptimin e plotë të fjalës?
– Duhet ende punë, sepse e mira nuk ka fund dhe suksesi po ashtu, ama gjithmonë me këmbë në tokë.
– Cila është arma jote më e fortë në muzikë?
– Mua muzika më bën të lumtur, më jep jetë. Bukuria qëndron te zëri dhe unë jam e lumtur që Zoti më ka dhuruar zërin. Mendoj gjithashtu se konkurrenca është ajo që e bën më të vështirë sepse janë shtuar shumë këngëtarët që ndoshta nuk e meritojnë të quhen këngëtarë, por performues. Unë falënderoj Zotin që kam armën më të mirë për të ecur përpara, talentin dhe nuk më pengon asgjë për të qenë një artiste e vërtetë. Artisti matet nga talenti, jo nga centimetrat e fustanit. (Buzëqesh)
– Më mirë të zgjedhësh apo të jesh e zgjedhur?
– Më mirë të zgjedhësh sesa të presësh të zgjidhesh.
– Je e sigurtë në vetvete?
– Duke ditur që kam shumë vite që këndoj e performoj live, jam shumë e sigurtë në hapat që hedh dhe në vetvete. Të tillë më ka bërë puna, së cilës i kam kushtuar gjithmonë rëndësi të veçantë.
– Cila është gjëja e parë që të vjen në mendje sapo hap sytë në mëngjes?
– Si fillim, nuk harroj të falënderoj Zotin që më ka dhënë shëndetin dhe familjen. Përgatis djalin në orën 7 për ta çuar në shkollë dhe vazhdoj rutinën e punëve mëngjesit, si çdo familjare. Pi kafenë e mëngjesit dhe mendoj si ta bëj ditën sa më pak monotone. (Buzëqesh)
– Të pëlqen jeta e natës apo ndihesh pak si e detyruar ta pëlqesh vetëm nga profesioni?
– Jeta e natës ka vite që është pjesë e jetës time sepse kam kënduar për shqiptarët e Zvicrës për 15 vjet me radhë dhe atje kam njohur edhe bashkëshortin tim. Të them të vërtetën, nuk është se më pëlqen shumë jeta e natës, me të më lidh vetëm puna, që në jo pak raste, është shumë e lodhshme.
– A je romantike dhe cili ka qenë gjesti më romantik që ke bërë ndonjëhere?
– Unë mendoj se romanticiteti është mënyra e vetme për ta bërë dashurinë sa më interesante dhe më të bukur. Në fakt, kam qenë shumë romantike më parë, ndërsa tani është bashkëshorti ai që kujdeset për këtë pjesë sepse është shumë romantik edhe ai. Herën e fundit që më ka bërë dhuratë, ka qenë makina që unë kam aktualisht.
– Cila është ajo gjë që e vlerëson më shumë te vetja?
– Sinqeriteti, korrektësia dhe karakteri i fortë.
– Ç’lloj muzike mund të të sjellë momente lumturie dhe qetësie?
– Muzika klasike më pëlqen shumë. Shpesh, kur dëgjoj Bethovenin apo Moxartin futem në një botë krejt tjetër. Ndoshta edhe sepse kam mbaruar shkollën artistike, e dëgjoj me kënaqësi këtë muzikë, pa lënë pas edhe muzikën popullore.
– Çfarë të bën të lumtur dhe çfarë të nervozon?
– Më lumturojnë pa fund sukseset që arrij dhe dashuria për njerëzit e mi më të afërt, sidomos e djalit tim Ergestit, që është gjëja më e shtrenjtë dhe më e bukur e jetës time. Më nervozojnë njerëzit që më japin energji negative dhe xhelozia që ata kanë. Ka shumë të tillë sot dhe e mira e të mirave është të rrish sa më larg tyre.
– Vishesh bukur dhe normalisht, ndjek edhe trendet e fundit të modës. A mund të ndikojë shopingu si te çdo femër, edhe humorin tënd?
– Jam këngëtare dhe normalisht, duhet të dukem bukur. Shopingu ndikon edhe ndikon shumë. (Buzëqesh) Kur isha në Zvicër, blija çdo ditë, sepse më jepte një kënaqësi të veçantë, por edhe sot nuk kam hequr dorë nga zakoni i vjetër. (Buzëqesh) Jam këngëtare dhe për mua ka shumë rëndësi dukja e jashtme, duke mos harruar që bashkëshorti im është ai që kujdeset më shumë për gjithçka që ka të bëjë me dukjen time. Harxhoj jashtë mase, por mirë bëj, se më jep kënaqësi të jashtëzakonshme. (Qesh)
– Mendon se çdo gjë mund të blihet me para?
– Jo, janë disa gjëra që nuk mund të blihen me para, si për shembull dashuria. Mendohet se gjithçka mund të blihet apo zgjidhet me para, por për mua, jo.
– Ku ndihesh më e shpërblyer, në planin profesional apo në atë personal?
– Ndihem e shpërblyer në të dyja planet dhe do të mundohem t’i mbaj fort e të mos i lë të më ikin kurrë nga dora.
– Ku do të jetë Luziana në të ardhmen?
– Në fakt, synimi im personal është që të eci vetëm përpara në muzikë, por edhe në mësuesi. Nga muzika nuk do të heq dorë kurrë, ka qenë pasioni im dhe tani është ajo që nuk më lë mua.
– Në fund, të ngeli ndonjë merak nga kjo intervistë?
– Besoj se thamë pak nga të gjitha… Doja t’ju falënderoja juve për këtë intervistë të parë që mendoj se u realizua me sukses, stafin e gazetës “Intervista” dhe ty… Ju uroj suksese në punën tuaj dhe paçit vetëm të mira në jetë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

10 supersticione të lidhura me Vitin e Ri kinez

Next Post

Mariza Ikonomi: Drejt Las Vegasit, ku kam zemrat e mia

Advertisement