Ai dhe ajo, nuk mund të kuptohen pa njëri-tjetrin. Duke parë emrin e Arjanit në krye të shkrimit, me siguri menduat se po flasim për të dhe për partneren e tij… Në fakt, po flasim vërtet për një partnere, ama një nga ato, të cilën Arjani nuk do ta lërë kurrë: Muzikën!
Biseduam me Arjanin për këtë intervistë, kur ai sapo u kthye nga koncerti i tij më i fundit në Athinë, ndaj edhe biseda jonë, nuk mund të mos mbante brenda saj pak erë Greqie dhe Shqipërie bashkë… Më tepër, ju tregon vetë ai vetë…
Besarta Luga: – Arjan, ne presim të të shohim në ndonjë koncert në Tiranë dhe ti, fluturon për në Athinë…
Arjan Korkaj: – (Qesh) Unë shkoj gjithmonë aty ku kërkesat janë serioze dhe aty ku ka skena. Shpresoj që edhe në Tiranë të kemi kërkesa të tilla…
– Shkon në Athinë, duke iu kthyer edhe një herë vendit ku qëndrove për aq vjet. Është ky njëri nga mendimet që të shoqëron rrugës për atje?
– Po, është e vërtetë që i kthehem atij vendi, por u kthehem në radhë të parë bashkatdhetarëve. Nuk ka gjë më të bukur sesa kur ata të presin me aq dashuri dhe ngrohtësi. Më 10 janar, të shtunën, vërtet s’e prisja të më nderonte aq shumë publik, ndërkohë që s’ishte ndonjë festë. Për mua, kjo do të thotë që duhet akoma më shumë përgjegjësi dhe seriozitet në punën tonë. Bashkatdhetarët tanë meritojnë peruljen time me respekt, se ata më bënë ky që jam sot në skenë.
– Mes Shqipërisë dhe Greqisë, çfarë ka të mirë njëra dhe çfarë tjetra?
– Në punën që bëj unë, publiku është publik kudo. Ja, t’ju them se çfarë më kënaq më shumë mua në skenë: Kur publiku fillon të këndojë bashkë me mua! Kjo më ka ndodhur në të dyja shtetet… Pastaj, po të kapësh me imtësi çdo gjë, edhe ne vetë kemi të mirat dhe të këqijat tona. (Buzëqesh)
– Pse e le Greqinë për Shqipërinë Arjan, objektivisht, pa folur këtu për dashurinë për atdheun?
– Unë nuk di të shtirem apo të them një gjë që nuk e mendoj vërtet. Njerëzit tashmë më njohin dhe e dinë se jam tipi që i them gjërat me emrin e tyre. Për mua, Greqia dhe çdo Greqi, s’do të jetë kurrë vendi im. Vendi im, sa të mbyll sytë, është dhe do të mbetet Shqipëria!
– E di që do të më thuash se është më mirë të jetosh në atdhe, por sinqerisht e dua përgjigjen: Përse?
– Unë në Greqi apo në kudo shtet tjetër, do të isha tërë jetën i huaj! Si ndihesh në vendin tënd, nuk ndihesh askund tjetër, sado mirë të jesh. Vendi yt të jep notën dhe mundësinë e duhur.
– Ku është më mirë të këndosh muzikë live?
– Për mua si Arjan, kudo që të këndosh live është emocion dhe ndjenjë, s’ka rëndësi se ku. Ajo që unë e vlerësoj veçanërisht dhe që më bën të këndoj me shpirt është skena e madhe dhe fonia që kanë për live e që të çon në botë tjetër. Për mua, në muzikën live ka të bëjë shumë pastërtia e dëgjueshmërisë.
– Nëse të bëhet një ftesë për të kënduar diku, cili është kushti i parë që vlen për ty, pagesa?
– E para, ajo që kërkoj unë si Arjan, gjë që e dinë të gjithë ata me të cilët kam bashkëpunuar, është fonia e mirë, orkestra të jetë e saktë e të dijë këngët e mia, jo ec para se vijmë nga mbrapa dhe e treta, pagesa, pa diskutim.
– Pas kaq vitesh që merresh me muzikë, je i kënaqur me të?
– Kënaqësinë me muzikën që bën, e merr në çdo moment, por po aq edhe kërkon më të mirën. Besoj se këtë të fundit, njeriu e kërkon deri në momentin e fundit.
– Kënaqësia që merr nga profesioni është shumëplanëshe… Nëse do të të kërkoja të vije në balancë kënaqësinë shpirtërore me atë materiale, si do të më përgjigjeshe?
– E them me siguri të plotë se jam më shumë i kënaqur shpirtërisht. Materialja shkon e vjen për mua.
– Arjan, s’të kemi parë asnjëherë përkrah një partnereje… Sepse nuk do që ta bësh publike jetën private, apo asnjëra nuk ka vlejtur aq shumë sa për t’u prezantuar në krahun tënd?
– (Qesh) Thjesht, jeta ime private është vetëm për Arjanin! Unë kështu e mendoj për vete…
– Shumë këngëtarë të tjerë të muzikës popullore kanë eksperimentuar edhe në muzikën e lehtë. E ke menduar ndonjëherë veten në skenën e një festivali?
– Çdo koleg apo kolege mund të bëjë atë që mendon se i përshtatet; unë bëj atë në të cilën ndihem mirë dhe që më shkon me zërin dhe stilin tim. Besoj se jam plotësisht te popullorja dhe te baladat.
– Përveçse të këndoni dhe të “rrihni gjoksin”, çfarë dini të bëni më mirë ju lebërit?
– (Qesh) Më bëre të qesh, se është e vërtetë kjo gjë, por besoj se s’jam shumë gjoksrënë… Thjesht, bëj atë që mendoj më mirë si artist dhe ul kokën, besoj. A, po, bëjmë edhe fëmijë të bukur ne vlonjatët! (Qesh)
– Viti që iku shënoi edhe disa këngë të reja të shtuara në repertorin tënd. Je i kënaqur me to?
– Besoj se çdo prind, sado fëmijë të lindë, është i kënaqur sepse deshi që t’i bënte. Për mua, është kënaqësi të bëj këngë të reja dhe që ato të ngelen jo sepse i do tregu. Prandaj, kam një bashkëpunim prej vitesh me kompozitorin dhe tekstshkruesin Sokol Marsi.
– Çfarë planesh ke për më tej, konkretisht, në muzikë?
– Shpresoj që së shpejti të kemi një këngë për Çamërinë. Këtë e bëj sepse kam një shok të mirë çam që jeton në Vlorë dhe që ka Hotel Bolonja, Rexhino.
– Çfarë i kërkove Babagjyshit të ta sillte me shumicë për këtë vit?
– (Qesh) Të bëhesha baba, do të doja pa masë, por të gjendet edhe zonja e duhur për mua, gjë që është e vështirë…
– Pse?
– Sepse jam tip i vështirë! (Qesh)
Pesë pyetje me humor…
– Po të kishe 1 milion euro, ç’do të bëje me to?
– Vetëm të kisha një njeri që ta dua e të më dojë me shpirt dhe le ta merrnin 1 milionëshin njerëzit më fukarenj se unë! (Buzëqesh)
– Nëse për një ditë do të mund të jetoje duke thyer të gjitha rregullat, çfarë do të bëje më së shumti?
– Do të ndryshoja edukimin dhe ekonominë e vendit tim.
– Kush e ka më të lehtë të ecë përpara në jetë, meshkujt apo femrat?
– Femrat, pa diskutim. Mirë apo keq, ne meshkujt s’na sponsorizon njeri dhe kjo dihet, kurse femrat kanë atë që mashkulli s’e ka… (Qesh)
– Nëse një jashtëtokësor do të zbriste në shtëpinë tënde, si do të silleshe me të?
– Do t’i thoja të më bënte edhe mua si veten, që të ikja sadopak për kureshtje në botën e tyre. (Qesh)
– Dhe… meqë jemi te jashtëtokësorët. Ç’mendim thua se do të kishin ata për ne, tokësorët, po të na njihnin?
– Ata e dinë se ç’jemi ne, prandaj nuk vijnë, se po erdhën, aha, do bëhen si ne! (Qesh)