Kjo është një nga ato intervistat që realizohen në orët e para të mëngjesit, kur edhe sinqeriteti i bisedës është në maksimum. Olgera së fundi ka publikuar baladën e saj më të re “Shpirti im”, një produksion nga Stine, me një klip shumë interesant dhe me një fabul ku e gjen veten secili nga ne. Për më shumë rreth saj, po edhe për mjaft gjëra të tjera interesante, ju tregon Olgera në vijim…
Mia.B: – Olgera, klipi i këngës tënde më të fundit “Shpirti im” është nga ato që të mbetet në mendje. Duke qenë se klipi i përshtatet fabulës së këngës, fabula e këngës të përshtatet ty apo tekstshkruesit?
Olgera Lleshaj: – Përshëndetje! (Buzëqesh) Fabula e këngës i përshtatet secilit person që është zhgënjyer në dashuri.
– “Shpirti im” është një baladë mjaft e ndjerë, një produksion nga Stine. Çfarë të bën të rikthehesh te ky kantautor?
– Për këtë këngë është punuar për një kohë të gjatë. Me Stinen kam nisur këngët e mia të para dhe sigurisht, u riktheva sepse Nesti është i talentuar dhe nuk i rezistova dot këngës, sapo e dëgjova.
– Nëse do të kishe një histori të ngjashme si ajo e këngës, do të rrije me kokën pas apo do t’i jepje fund të shkuarës për të nisur një jetë të re?
– Do të shikoja përpara, por pa harruar të shkuarën, që gabimet të mos përsëriten.
– Thonë që: “Dashuria e parë nuk harrohet lehtë, por e dyta është më e fortë”…
– Preferoj të mendoj për të parën. (Buzëqesh)
– Si të gjetën këto festa? Ti më kupton për çfarë e kam fjalën…
– (Qesh) Festat më gjetën shumë mirë, të lumtur!
– Mashtrojnë më shumë femrat apo meshkujt?
– Të dyja palët, besoj.
– Çfarë i kërkove Babagjyshit?
– Babagjyshi?! Hmmm… Ka shumë gjëra, por shëndetin në radhë të parë sepse të tjerat arrihen me kohë.
– Ti këndon jashtë Shqipërisë, por nuk i harron fansat këtu, për të cilët sjell klipe të reja. Është kjo një mënyrë efikase për të ushtruar profesionin e këngëtares apo e bën sepse Shqipëria nuk të ofron mundësitë që kërkon?
– Pa dyshim që është edhe pjesa e mundësisë, por duke qenë se unë jetoj në Itali, e kam dhe pak më të thjeshtë të jem më shumë jashtë Shqipërisë dhe të jem e pranishme në evenimente të ndryshme gjithandej ku ka shqiptarë.
– E ke kuptuar çfarë duhet të bësh për të ecur në këtë biznes?
– Nuk kam menduar realisht strategji tregu apo të sforcohem që të bie në sy se s’bën, qoftë edhe duke u munduar të paguaj për të qenë pjesë e medias së shkruar apo vizive, gjë që shumë e bëjnë. Unë bëj muzikë për pasion dhe mendoj se çdo punë ka një shpërblim, nëse bëhet mirë dhe me zemër.
– Ka diçka nga e cila ke hequr dorë për t’iu përkushtuar muzikës?
– Jam munduar t’i mbaj gjërat në balancë, edhe pse nuk është aspak e lehtë, kështu që nuk më është dashur të heq dorë. Mundohem ta menaxhoj kohën që të arrij t’i bëj të gjitha çfarë dua.
– Pret zakonisht dhurata për festa?
– (Qesh) Të them të drejtën, nuk është se pres dhurata, por mirë do ishte të m’i bënin. (Qesh)
– Zakonisht, kur i pyet këngëtaret se cilin do të zgjidhnin për të bërë një duet, thonë Jay Z-në. Mos më thuaj që ti do zgjedhësh Bijonsen…
– Unë do t’i zgjedh të dy. (Qesh)
– Nëse do të të bënin një ofertë për garantimin e një suksesi ndërkombëtar në këmbim të një menaxhimi siç duan ata, do ta pranoje?
– Bota e artit në realitet, ashtu funksionon jashtë Shqipërisë. Nëse suksesi do ishte i garantuar, do pranoja, por normalisht, në fillim do të shikoja kushtet e kontratës që do të nënshkruanim.
– Kemi Top Festin para… do marrësh pjesë?
– Akoma nuk kam një plan konkret. Nëse do jem në kohë dhe do gjej ndonjë material të mirë që ia vlen, do të marr pjesë.
– Ndihesh më shumë Olgera në balada apo këngë ritmike?
– Në të vërtetë, këngët ritmike janë të bukura dhe mbase shumica e njerëzve i duan, por unë jam adhuruese e baladave.
– Si e shpreh lumturinë?
– Kur jam e lumtur, e shpreh në çdo gjë që bëj… në të folur, të qeshur, me gjeste… Jam gjithë kohës duke fluturuar nga qejfi. (Qesh)
– Gjëja më e bukur që të ka ndodhur këto ditë…
– Mesazhet dhe urimet e shumta për këngën e re “Shpirti im”.
– Diçka që të mallëngjen?
– Fotografitë.
– Cila është periudha që të bën më tepër nostalgjike?
– Periudha e festave, me qytete plot drita dhe dyqanet plot e përplot me dhurata, është perfekte për të qenë nostalgjike. (Buzëqesh)
– Cila është mënyra jote për të festuar diçka, në festë apo me një gotë verë?
– Me një gotë verë.
– Një gotë është pak, por dy gota janë shumë. Ti, deri në sa gota je e ndërgjegjshme?
– Preferoj të mbetem te gota e parë sepse me të dytën, nuk dihet çfare ndodh. (Qesh)
– Çfarë të acaron?
– Kur më gënjejnë, duke e ditur që unë e di të vërtetën.
– Për ç’arsye do ziheshe me dikë?
– Varet. Arsyet mund të jenë të ndryshme! Nuk jam tip që bëj konflikte, por ndoshta një shaka e tepruar në një moment të papërshtatshëm, do të më bënte keq.
– Çfarë ke menduar herën e fundit që je parë në pasqyrë?
– Që sigurisht nuk jam vajza më e bukur në botë, por jam e lumtur që jam kështu si jam.
– Çfarë të ka bërë përshtypje së fundi?
– Më bëjnë shumë përshtypje disa personazhe publikë që mbushin gazetat me intervista dhe shumica e gjërave që thonë janë gënjeshtra. (Qesh)
– Një nga gjërat që të ka bërë përshtypje ka qenë zhveshja dhe ekzagjerimi i vajzave të ekranit nëpër klipe dhe foto… Ke ndonjë koment sot për këtë?
– Më vjen mirë që më bëre këtë pyetje. Nuk jam kundra që dikush të shfaqë bukur, qoftë dhe pjesë pak më intime të trupit, sepse nuk jam njeri me komplekse dhe nuk jam askush që të gjykoj të tjerët. Madje, në njërin nga klipet e mia është një skenë me dritëhije ku ka dhe diçka deri diku provokuese, por çfarë është e tepruar është e tepruar dhe mendimi im ka qenë rreth disa fotove amatore shumë, po shumë të tepruara.
– Ku nuk do të këndoje kurrë?
– Unë nuk e përdor fjalën “kurrë” sepse jetës nuk i dihet.
– Me çfarë memdimi bie të flesh?
– Bie të fle duke imagjinuar fytyrat e njerëzve të dashur që nuk i kam pranë.
– Po ai me të cilin zgjohesh?
– Bobo, kjo po që është e vështirë! Vështirë të kem mendim sepse e kam të vështirë të zgjohem. (Qesh) Zgjohem me mendimin se çdo ditë e re është fillim i ri.