– Jam V. Kote, emigrante e kthyer prej një viti nga Italia. Kam një vit që kam filluar punë në Shqipëri me sigurime shoqërore të paguara rregullisht. Gjithsej në Shqipëri më bëhen 8 vite pune me sigurime shoqërore. Sapo kam birësuar një fëmijë, të porsalindur. Dua të di, a përfitoj leje lindjeje, sa ditë dhe në ç’masë?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – E nderuar zonjë, si kushte për përfitimin e lejes së lindjes për gratë që birësojnë fëmijë, sipas nenit 27 të ligjit 104/2014, që fillon funksionimin nga data 01.01.2015 janë:
– Nëna që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se mbas ditës së 63-të të lindjes së fëmijës dhe vazhdon jo më shumë se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuesen është 28 ditë.
– Kur një fëmijë është birësuar gjatë lejes së lindjes, nëna që ka lindur, do të ketë një periudhë përfitimi deri në ditën e birësimit, por jo më pak se 63 ditë pas lindjes.
– Pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron, apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna.
– Shumat e pagesave sipas po këtij ligji janë:
a) 80 % e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes;
b) 50 % e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim. Pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijës, e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron, apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna. Nisur nga sa më sipër, përderisa Ju keni një vjetërsi kontributive mbi 1 vit dhe aktualisht jeni e siguruar, do të përfitoni leje lindjeje, ashtu siç përcaktohet në nenin e sipërcituar.
Advertisement