Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

E ka dhuruar pronën pa na pyetur. A është ligjor ky veprim?

– Përshëndetje zoti avokat! Kemi një problem për punën e një shtëpie që ndodhet në zonën e Korçës. Shtëpia është në emër të gjyshit. Gjyshi dhe babai kanë vdekur, por jeton mamaja dhe ua dhuroi dy fëmijëve, kur ne jemi më shumë. Pyetja ime, në këtë rast, është: A ka të drejtë mamaja ta dhurojë pronën e gjyshit, pa na pyetur ne të tjerëve?
Av. Drn. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlaë.com, cel. 0692737706 & ++35544532512: – I nderuar zonjë/zotëri, fillimisht ju falënderoj që keni kontaktuar me rubrikën “Ju pyesni, avokati përgjigjet”! Në letrën që ju dërgoni, nuk shpjegoni se: 1. Si e ka fituar këtë pronë nëna juaj? 2. A ka patuar ajo ndonjë testament nga gjyshi? Me lejoni fillimisht t’ju bëj një përmbledhje rreth kuptimit të trashëgimisë dhe pastaj t’ju këshilloj për rastin konkret që ju jeni e interesuar. Kodi Civil është ligji i cili në pjesën e tretë të tij, rregullon nocionin trashëgimisë, llojet dhe personat të cilët kanë të drejtë për të përfituar nga trashëgimia. Në kod përcaktohet se: “Trashëgimia është kalimi me ligj ose me testament i pasurisë (trashëgimit) të personit të vdekur, një ose më shumë personave (trashëgimtarë), sipas rregullave të caktuara në këtë Kod. Trashëgimia me ligj zbatohet kur trashëgimlënësi nuk ka bërë testament, ose ka bërë vetëm për një pjesë të pasurisë së tij, ose kur testamenti është tërësisht ose pjesërisht i pavlefshëm. Trashëgimia çelet në kohën kur vdes trashëgimlënësi dhe në vendin ku ai ka patur banimin e tij të fundit. Kur ky nuk dihet, trashëgimia çelet në vendin ku ndodhet e gjithë pasuria e tij ose pjesa kryesore e saj. Ajo rregullohet sipas ligjit të kohës kur është çelur. Është e pavlefshme çdo marrëveshje me të cilën disponohen ose përdorohen të drejta që rrjedhin nga një trashëgim ende i paçelur.
– Trashëgimtarët ligjorë janë fëmijët, fëmijët e fëmijëve, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave të paravdekur, gjyshi e gjyshja e të paralindurit e tjerë, personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, të afërmit e tjerë deri në shkallën e gjashtë, si dhe shteti. Këta thirren në trashëgim sipas rradhës të caktuar në këtë Kod. Në rradhë të parë thirren në trashëgim fëmijët dhe bashkëshorti i aftë ose i paaftë për punë, duke trashëguar secili në pjesë të barabarta. Kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit, është bërë i padenjë për të trashëguar, ka hequr dorë nga trashëgimi, në vend të tij hyjnë me zëvendësim fëmijët e tij dhe kur për shkaqet e sipërme nuk mund të jenë trashëgimtarë, vijnë në trashëgim të paslindurit e tyre pa kufizim. Në këtë rast, pjesa e prindit që nuk trashëgon, ndahet ndërmjet të paslindurve në pjesë të barabarta. Kur përveç bashkëshortit, nuk ka trashëgimtarë të tjerë, të radhës së parë, në trashëgimi thirren ata të radhës pasardhëse, të parashikuar në nenin 363 të këtij Kodi dhe kur nuk ka të tillë, thirren trashëgimtarët e radhës tjetër pasardhëse, të parashikuar në nenin 364 të këtij Kodi. Në çdo rast bashkëshorti merr 1/2 pjesë të trashëgimit. Kur nuk ka trashëgimtarë të radhëve të sipërme, trashëgimi i mbetet bashkëshortit pasjetues.
– Fëmijët e lindur jashtë martese, kur atësia ose mëmësia është njohur rregullisht, si dhe fëmijët e birësuar, barazohen me fëmijët e lindur nga martesa. I birësuari nuk trashëgon në familjen e origjinës së tij dhe as kjo nuk e trashëgon atë. Në radhë te dytë thirren në trashëgim prindërit e trashëgimlënësit dhe personat e paaftë për punë, të cilët të paktën 1 vit para vdekjes së trashëgimlënësit, bashkëjetonin me atë si anëtarë të familjes dhe në ngarkim të tij. Në radhë të tretë, thirren në trashëgim personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, që përmenden në nenin 363 të këtij Kodi, kur nuk ka trashëgimtarë të tjerë të radhës së dytë, gjyshi e gjyshja, vëllezërit e motrat, si dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave të paravdekur. Të sipërmit trashëgojnë në pjesë të barabarta, pa u bërë dallimi ndërmjet vëllezërve e motrave të një ati ose vetëm të një nëne, ndërmjet gjyshit e gjyshes nga ana a babës ose e nënës. Kur trashëgimlënësi nuk ka lënë të paslindur, as prindër ose të paralindur të tjerë, as vëllezër ose motra, apo të paslindur të këtyre, pasuria e trashëgimlënësit u kalon të afërmve më të afërt të tij, pa bërë dallim ndërmjet vijës atërore dhe asaj amësore, por gjithsesi jo më tej se shkalla e gjashtë. Kur trashëgimlënësi nuk ka lënë trashëgimtarë deri në shkallën e gjashtë, thirret në trashëgim shteti. Shteti nuk përgjigjet për detyrimet e trashëgimlënësit tej vleftës së pasurisë të fituar. Trashëgimtarët që bashkëjetonin me trashëgimlënësin në kohën e vdekjes së tij, kur thirren në trashëgim, marrin tej pjesës që u takon në pasurinë trashëgimore sendet shtëpiake të përdorimit të zakonshëm, përveç kur trashëgimlënësi ka disponuar ndryshe në testament. Trashëgimtarët e një radhe të mëpasme thirren në trashëgim vetëm kur nuk ka trashëgimtarë të radhës së mëparshme ose kur këta të gjithë janë bërë të padenjë ose kanë hequr dorë nga trashëgimi ose janë përjashtuar nga trashëgimi, përveç kur nga trashëgimtarët e radhës së dytë mbetet trashëgimtari i paaftë për punë dhe ka trashëgimtarë të radhës së tretë. Kur një nga bashkëtrashëgimtarët që thirret në trashëgim ka vdekur para trashëgimlënësit, ose është bërë i padenjë, ose ka hequr dorë nga trashëgimi, ose është përjashtuar nga trashëgimi dhe nuk ka persona që trashëgojnë me zëvendësim, pjesa që i takon atij u shtohet pjesëve të bashkëtrashëgimtarëve të asaj radhe. Trashëgimtarë të paaftë për punë janë ata që në kohën e vdekjes së trashëgimlënësit nuk kanë mbushur moshën 16 vjeç, ose 18 vjeç kur vazhdojnë mësimet, burrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe gratë që kanë mbushur moshën 55 vjeç si dhe, pavarësisht nga mosha, ata që janë invalidë të grupit të parë dhe të grupit të dytë.
– Testamenti është një veprim juridik i njëanshëm i kryer nga vetë trashëgimlënësi, me anë të të cilit ky disponon pasurinë e tij për kohën pas vdekjes. Testamenti nuk mund të bëhet prej dy ose më shumë personave po në një akt, as edhe në dobi të një të treti, as me disponime reciproke. Testament mund të bëjë çdo person që ka mbushur moshën 18 vjeç, si dhe gruaja nën këtë moshë kur është e martuar. I mituri nga 14 gjer në 18 vjeç mund të bëjë testament vetëm për pasurinë që ka fituar me punën e tij. Personi të cilit me vendim gjyqi i është hequr zotësia për të vepruar, si dhe ai që në kohën e bërjes së testamentit nuk është në gjendje për të kuptuar rëndësinë e veprimit të tij, nuk mund të bëjë testament.
– Pra, siç e shikoni, pasqyrimi që ju bëra më sipër, u jep përgjigje dilemave tuaja, megjithatë lidhur me shqetësimin tuaj unë dua t’ju këshilloj që të merrni një informacion të saktë lidhur me origjinën e pronës, a ka lënë gjyshi dhe babai juaj ndonjë testament për nënën tuaj dhe vellezërit ose motrat tuaja? Nëse nuk ekziston asnjë testament nga gjyshi për vëllezërit, motrat dhe nënën tuaj, atëhere ju jeni përfitues me trashëgimi ligjore. Nëse rasti juaj është i tillë, ju duhet të bëni çeljen e trashëgimisë ligjore pranë një zyre noteri, pasi jeni trashëgimtar ligjor si çdo trashëgimtar tjetër. Nëse përfituesit e pronës kanë testament, atëhere prona quhet e trashëguar me trashëgimi testamentare. Nëse jeni e interesuar për një konsulencë më të detajuar, por edhe për ndjekjen e problemit tuaj, mund të drejtoheni pranë zyrave tona, në adresën e mësipërme. Ju falënderoj shumë për letrën dhe shpresoj t’ju kemi sqaruar!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Nese partneri do t'ju thoshte...

Next Post

Kam birësuar një fëmijë. A përfitoj leje lindjeje?

Advertisement