Lëviz me vështirësi
– Isha në shtëpi dhe motra e vogël më tha: “Ma sill filan gjë”, të cilën nuk e mbaj mend fare çfarë ishte, por di që lëvizja nëpër shtëpi si e hutuar dhe nuk e gjeja atë që kërkonte motra. Më dilnin pengesa, mezi ecja, rrëzohesha dhe sikur zvarritesha. Shoh shpesh ëndrra të tilla, sikur mezi lëviz. Çfarë kuptimi kanë, ju lutem?
– Ëndrra tregon një lloj dobësie; ndiheni shumë i/e rënë moralisht dhe psikologjikisht këto kohë. Meqenëse shikoni shpesh ëndrra të tilla, do të thotë se kjo lloj gjendjeje ju kap shpesh. Jeni person shumë i ndjeshëm dhe i brishtë njëkohësisht. Sa gëzoheni, sa hidhëroheni, sa jeni shumë entuziast, sa ju bie entuziazmi. Shpesh ndiheni pa shpresë dhe kapeni ndonjëherë pas gjërave që tashmë kanë kaluar. Mos vallë ndiheni i lodhur nga gjithçka që ju rrethon? Kjo mund të jetë një ëndërr që ju fton të ndryshoni mënyrën tuaj të të jetuarit. Duhet të dilni nga kjo gjendje, qoftë edhe duke kërkuar mbështetjen e njerëzve tuaj më të dashur.
Isha në varreza
– Mbrëmë kam parë në ëndërr sikur isha me shoqen time duke ecur mes varrezave dhe duke qeshur. Për momentin, m’u kujtua që nuk e dija ku ishte varri i gjyshit dhe gjyshes sime. U futëm nëpër vijat e varreve duke lexuar e kërkuar për varrin e gjyshit. Shoqja ime e dinte se ku ishte varri i gjyshit të saj dhe ata u ndalën tek ai varr, por nga e qeshura jonë, na u shfaq një plak, që herë më dukej plak dhe herë, një djalë i ri. Na u afrua shpejt. Më dukej sikur ai plak me atë kapele të bardhë si në kohët e vjetra, donte të na kapte dhe iu ktheva: “Xhaxhi, nuk e kemi me ty që po qeshim”, por ai gjithnjë afrohej dhe kishte një vështrim shumë rrënqethës, me disa sy të bukur, sa dukej si djalë i ri. Kjo shoqja ime nuk më lëshonte krahun, se unë doja të ikja me vrap. Aty, më doli gjumi. Ju lutem, më thoni, çfarë do të thotë kjo ëndërr? Ju faleminderit.
– Nuk duhet të shqetësoheni sepse e keni parë veten në varreza. Kanë shumë kuptime ëndrrat me varreza, por në rastin tuaj konkret, ëndrra tregon fundin e një të shkuare dhe një rilindje të brendshme shpirtërore, pse jo, edhe me gjëra të reja në jetë. Do të çliroheni nga e kaluara dhe do të hidhni sytë nga e ardhmja. Këtë e tregon fakti që keni parë një xhaxhi, që më pas ju është bërë si djalë i ri. Pra, ëndrra tregon fundin e zakoneve të vjetra dhe gatishmërinë për të përjetuar të ardhmen me të mirat e saj. Gjithë të mirat!
————————————
Bizhuteri
– Unë do t’ju lutesha të më shpjegonit një ëndërr: Shtypa një nga butonat e celularit dhe e gjithë aparatura e brendshme u zhduk. Kutia brenda u mbush me bizhuteri, varëse, unaza, vëthë e byzylykë, jo vetëm të florinjtë, por edhe të tjera. Njërën nga ata e mora dhe e mbajta në dorën e djathtë, duke e shikuar. Respekte, nga Trëndafili.
– I nderuar Trëndafil, një ëndërr e tillë, sa është e bukur, aq edhe ka pak mister brenda saj dhe ju duhet të bëni kujdes. Mjafton një lëvizje e juaja, që mund të jetë çfarëdo, veprim, fjalë, gjest etj. që do t’ju bëjë të merrni shumë përgëzime dhe të ndiheni i adhuruar. Ama, kini kujdes sepse asgjë e tepruar nuk është e mirë. Sado fjalë të bukura apo premtime të dëgjoni kohët e fundit, mos u besoni totalisht. Gëzojuni atyre që keni, apo çdo gjëje që ju afrohet, por jo duke u verbuar totalisht. Kjo është një ëndërr pozitive, por gjithsesi, nëse qëndroni me këmbë në tokë, do të ishte akoma më mirë dhe rezultatet janë më frytdhënëse. Shtypja e butonit tregon se ju do të bëni lëvizjen që ju thashë, që mund të jetë në punë, në shtëpi, në jetën personale, kudo. Edhe bizhuteritë, tregojnë vlerësimet, që mund të jenë në gjeste, materiale apo edhe në premtime, në jetën private apo sociale.
Vetëm udhëtoj
– Shoh shpesh veten në ëndërr sikur po udhëtoj. Në shumicën e rasteve, i harroj si i kam parë ëndrrat, vetëm di që jam në udhëtim gjatë gjithë kohës. A ka ndonjë kuptim të veçantë? Pres përgjigjen tuaj. Faleminderit.
– Duke lënë mënjanë faktin që mund të jeni adhurues/e të udhëtimeve, udhëtimi në ëndërr paraqet rrugën tuaj drejt qëllimeve në jetë. Gjithashtu, është një bashkudhëtar i juaji në jetën e përditshme. Nëse në ëndërr e shikoni veten që e përfundoni me sukses udhëtimin tuaj dhe arrini në destinacionin që dëshironit, kjo do të thotë që do të arrini sukses në qëllimet tuaja. Nëse udhëtoni me një person të zemrës, kjo përfaqëson ndjenjat tuaja, mënyrën se si ka ecur marrëdhënia juaj, mënyra se si ndjeheni me të. Pra, gjithçka varet nga ëndrra që shikoni.
Djali që pëlqej
– Në ëndërr kam parë një djalë që më pëlqen shumë. Diku më afrohej, diku përpiqej të më ngacmonte, më vinte nga pas, më largohej përsëri, zhdukej dhe shfaqej, por me fytyrë tjetër. Pra, herë e kam shumë afër, herë më zhduket ose sillet indiferent me mua. A ka ndonjë kuptim kjo ëndërr?
– Më duket se na keni shkruar edhe herë të tjera, sepse më ngjan me ëndrrat e një vajze që ëndërron gjithmonë djalin që dashuron. Gjithsesi, ëndrra juaj tregon ndjenjat që ushqeni për këtë djalë. Ju e konsideroni shumë të rëndësishëm dhe po vuani për të. Zhdukja, afrimi i tij, ndryshimi i fytyre etj. tregojnë mungesat tuaja në jetën e përditshme. Ju keni nevojë për të, ndaj edhe ia ndjeni shumë mungesën në jetën reale dhe ai ju shfaqet edhe në ëndrra. Siç e shikoni, ëndrra shpreh dëshirat tuaja, por jo se do të ndodhë ndonjë gjë mes jush. Të paktën, gjer këtu tregon ëndrra. Ju urojmë fat!
Shkela lulet
– Para dy netësh pashë në ëndërr sikur po shkoja te dajat e mi. Shkova atje dhe vendi ishte i mbushur me lule. Unë nuk doja t’i shkelja, por ishte e pamundur, ndaj shkelja mbi to, por çuditërisht nuk prisheshin, merrnin sërish formën që kishin më parë. Një zë më thoshte: “Duhet të rrini me to, ju u përkisni atyre”. Më zuri frika nga kjo ëndërr. Mos vallë do vdes?
– Mos kini frikë, nuk do të vdisni, kjo ëndërr s’ka lidhje fare me vdekjen. Lulet simbolizojnë dhembshurinë, ndjeshmërinë, butësinë, kënaqësinë, bukurinë, pra, në varësi të pjesës tjetër të ëndrrës, ka një mesazh të qartë në ëndrrat me lule. Fakti që keni shkelur lulet, tregon që shpeshherë, ju i ndrydhni ndjenjat tuaja sepse keni frikë të shfaqeni siç jeni. Megjithëse mendoni se nuk po e lëndoni veten, ju përsëri ndiheni e shtypur në shpirt. Lëreni veten të lirë, shprehni çfarë ndjeni dhe jeta juaj do të marrë kthesë më aktive dhe më të bukur, ashtu si vetë lulet.