Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Mamaja nuk donte se ishte “fshatar”…

“Kur dashuria të trokasë, hapi derën” më thoshte gjithmonë gjyshja në ato fillimet e adoleshencës sime. Eh, gjyshja ime e shtrenjtë! Gjithmonë më fliste dhe më këshillonte drejt. Mund të duket e habitshme, por ajo për mua ishte shoqja më e mirë. As me nënën dhe me motrën nuk isha aq e lidhur sa me të. Ka qenë ajo e para që më ka folur për dashurinë, më tregonte se si ishte njohur me gjyshin, se si ai e kishte rrëmbyer dhe ishin martuar me dashuri, edhe pse fillimisht familja e saj nuk donte.

“Njeriu duhet të luftojë për dashurinë”, më thoshte gjithmonë. Deri sot nuk kam njohur njeri që të më flasë aq bukur për dashurinë. Kur e kujtoj tani që nuk jeton më dhe që unë kam më shumë nevojë për këshillat e saj, më vjen sa për të qeshur, aq edhe për të qarë. Ndonjëherë më duket sikur e kishte parandier se çfarë do të kaloja unë dhe prandaj më fliste aq shumë. Sot, më shumë se kurrë, më vijnë ndërmend këshillat e saj. Vetëm kur kujtoj gjyshen, arrij të gjej pak paqe dhe të shpresoj se, shumë shpejt, ky moment i vështirë do të kalojë.
“Gjithçka fashitet me kalimin e kohës, më thoshte gjyshja, kështu që mos ki frikë të guxosh për të bërë atë që të thotë zemra”. Familja ime ka dalë kundër lidhjes sime në mënyrë radikale. Kurrë nuk e kisha menduar se prindërit e mi do të reagonin në këtë mënyrë ndaj zgjedhjes sime. Ata kanë qenë gjithmonë njerëz mendjehapur dhe pa paragjykime. Gjithmonë janë treguar tolerantë, prandaj kurrë nuk e prisja që ata të më vinin përpara një zgjedhjeje. Jam e vendosur që të mos tërhiqem nga zgjedhja ime sepse kështu më thotë zemra, por kisha menduar se lidhja ime me M.-në do të merrte edhe bekimin e prindërve të mi, se do të bënim një dasëm të madhe, ashtu siç e kisha imagjinuar. E dini cilat janë arsyet pse familja ime nuk e pranon lidhjen tonë? Prindërit e mi, ata që gjithmonë i kam menduar si njerëz modestë, na dolën paragjykues. Ata nuk e pëlqejnë familjen e M-së. Prindërit e mi janë njerëz të shkolluar dhe bëjnë pjesë në një rreth shoqëror që ka një lloj niveli dhe nuk e kuptoj pse duhet të paragjykojnë të tjerët që ndoshta nuk kanë pasur në jetë fatin e tyre? M. ka 5 vjet që ka ardhur të banojë pranë lagjes sonë. Ai ka lindur në një fshat të Beratit dhe është rritur në Berat, në qytet. Pasi mbaroi shkollën e mesme, familja e tij emigroi në Greqi dhe qëndruan atje për disa vite, kështu që M. nuk pati menjëherë mundësi të vazhdonte shkollën e lartë. Kushtet e vështira ekonomike e detyruan familjen që të largohej në Greqi sepse ata janë familje e madhe. M ka tre motra dhe një vëlla, ndërsa unë kam vetëm një motër. Prindërit e tij janë njerëz të thjeshtë, por me zemër të madhe. Ata kanë qenë të detyruar të bëjnë lloj-lloj punësh gjatë viteve që kanë qëndruar në Greqi. Kur u kthyen, erdhën në Tiranë dhe hapën një supermarket në lagje. Edhe M. ka një biznes tjetër të vogël. Ai e filloi shkollën e lartë kur erdhi në Tiranë dhe tani është në vitin e fundit për Juridik, ndërsa unë jam në vit të tretë gjimnaz. Kemi 8 vjet diferencë. Mami im e njeh pak mamanë e tij sepse bën pazar në supermarketin e tyre. Unë kam 4 vjet që jam lidhur me M-në. Ai është një djalë i dashur dhe unë e ndjej që kam bërë zgjedhjen e duhur. Para pak kohësh, vendosëm ta zyrtarizojmë lidhjen tonë dhe unë shkova t’u tregoja prindërve. Mendova se ishte më mirë t’i thosha mamit në fillim dhe pastaj t’i takoja me M-në, por asgjë nuk shkoi siç e kisha menduar. Kur i tregova që isha lidhur me M-në dhe kishim vendosur të fejoheshim, mami nisi të interesohej se nga e kisha njohur dhe se çfarë familjeje ishin. I thashë se e njihte edhe ajo familjen e M-së sepse shpesh bënte pazarin te supermarketi i tyre. E kisha parë mamin që sillej përzemërsisht me të ëmën e M-së, por kur i thashë këto fjalë, ajo u prish në fytyrë. Më bëri edhe pyetje të tjera dhe pastaj më tha se nuk duhej as të më shkonte ndërmend ta lidhja jetën me atë familje, sepse sipas mamit tim, ishin familje pa nivel. I thashë se M-ja është i shkolluar dhe se ka aktivitetin e tij privat, ndërsa familja e tij nuk duhej të paragjykohej sepse kishte pasur një jetë të vështirë, por ajo nuk lëvizte nga e vetja.
– Do bëhesh pishman gjithë jetën! Nuk je e zonja të gjesh një nga qyteti, por shkon e ngatërrohesh me fshatarë? – më tha.
U preva. I thashë se unë e kisha ndarë mendjen sido që ta priste ajo këtë lajm, por në mbrëmje, biseda mori përmasa të tjera. Ia tregova edhe babit dhe të dy nisën të më flisnin ashpër. Më thoshin se duhej të kisha më shumë kërkesa nga vetja dhe se nuk duhet të nxitohesha. Ata e gjykonin M-në pa e njohur fare. Ai është një djalë me shumë nivel e i pjekur dhe këtë e them me bindje. Ndoshta familja nuk e ka nivelin e familjes sime, por nuk i fajësoj për këtë. Nuk më duket pengesë që unë dhe ai të lidhim jetën me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, M-ja priste që të takohej me prindërit e mi. Nuk dija çfarë t’i thosha sepse e dija që do të ofendohej, si cilido, po të merrte vesh se çfarë kishin thënë prindërit e mi. Atë ditë i thashë se prindërit e mi nuk e kishin pritur mirë lajmin dhe se do të sqaroheshim ditën tjetër. Nga ana tjetër, prindërit më shtynin që të ndahesha prej tij, madje ngulnin këmbë që të mos e zgjasja më këtë gabim. U përpoqa t’ua mbushja mendjen me argumente, por ata nuk pranonin të dëgjonin. E kishin idenë fikse se ajo familje nuk kishte nivelin e duhur dhe se ai djalë, nuk ishte i duhuri për mua. Në shtëpi u krijua një situatë shumë e tensionuar, derisa prindërit e mi më thanë, ose të hiqja dorë prej tij, ose të largohesha nga shtëpia. Kur arriti puna deri këtu, i tregova M-së pak a shumë të vërtetën, duke u përpjekur të minimizoja ato që kishin thënë prindërit e mi. Ai vendosi ta takonte vetë babain tim, edhe pse sedra i thonte të kundërtën. Kur shkoi ta takonte, im atë e kishte trajtuar si mos më keq dhe nuk kishte pranuar as ta dëgjonte. Në këtë moment, këta prindërit e mi me nivel, m’u dukën aq të prapambetur sa nuk e keni idenë. Flasin për nivel dhe nuk pranojnë të dëgjojnë as argumente. M-ja më kërkoi të merrja një vendim. Ishte i nxehur dhe e reflektonte gjatë komunikimit me mua. Më tha se duhet të vendosja, ose të shkoja me të, ose t’i jepnim fund lidhjes sonë, sepse me prindërit e mi nuk mund të merrej. Nuk kishte faj sepse ata e kishin fyer në çdo mënyrë të mundshme. Ime më nuk shkonte më në supermarketin e prindërve të M-së. Një mëngjes, teksa nëna e tij e kishte përshëndetur, ajo kishte kthyer kokën në anën tjeter dhe nuk i kishte folur, kështu që u detyrova të largohesha nga shtëpia dhe them se kam bërë gjënë e duhur. Kam një javë që kam filluar të jetoj me M-në dhe me familjen time nuk kam asnjë komunikim. Kur ika, u bë një sherr i madh. Ata u betuan se nuk do të më flisnin më dhe, deri tani, nuk janë bërë të gjallë. Shpresoj që do të ndryshojnë shpejt qëndrim. Nuk mund të konsiderohen me nivel prindërit që janë gati të ndahen për së gjalli me fëmijën e tyre, prandaj duke qenë se ata e mbajnë veten se janë njerëz të ngritur, besoj se do të reflektojnë dhe do të pendohen për këtë periudhë të vështirë që më bënë të kaloj. Kjo ishte historia ime, të dashur lexues të gazetës. Kjo është situata e vështirë në të cilën ndodhem dhe gjej ngushëllim vetëm te këshillat e arta të gjyshes sime. Sa do të doja ta kisha pranë këto ditë! Të paktën, ajo do të më kuptonte dhe do të më mbështeste, por, shpresoj se do të jetë duke më parë nga lart e duke më dhënë bekimin e saj!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (2) View Comments (2)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

U vesha si djalë e shkova në Itali...

Next Post

Lidhje vetëm për qejf...

Advertisement