Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Vjehrra deshi të më bënte prostitutë!

Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj jam Ema dhe jetoj në një fshat në Jug të Shqipërisë. Historia ime ka të bëjë me intrigat e njerëzve që të përdorin për interesat e tyre dhe të shkatërrojnë jetën, sidomos kur të gjejnë një fëmijë të pafajshëm. Pa u zgjatur, po filloj t’ju tregoj në detaj historinë time.
Në fshatin tonë janë disa lokale, por njëri dallon midis të tjerëve sepse aty bëhen shumë dasma dhe gëzime të tjera. Shkolla jonë në atë lokal organizonte mbrëmje dhe festa të ndryshme. Pronarja e lokalit është një grua rreth të gjashtëdhjetave. Normale, ka edhe burrin, po ai nuk ndërhyn në punët e saj. Të gjithë e njohin këtë femër si një njeri me moral të ulët, që me bëmat e saj ka arritur të mbajë gjallë lokalin dhe punën. Zona jonë është një vend turistik dhe vijnë shumë të huaj, por ajo gjithmonë ka egon që të gjithë kalimtarët të shkojnë tek ajo. Për këtë, përdor dhe pamjen e saj, duke dalluar nga femrat e tjera që janë në fshatin tonë. Me veshjen e saj ekstravagante kërkon të bëjë për vete sa më shumë klientë dhe në fakt, e ka arritur.
Unë shkoja shpeshherë në lokalin e saj me shoqërinë time të gjimnazit dhe ajo, më trajtonte shumë ndryshe nga shoqëria ime, madje ata bëheshin edhe xhelozë duke më thënë se çfarë kishte ajo me mua. Jo për t’i bërë qejfin vetes sime, por unë dalloja nga vajzat e klasës, pasi jam 1,73 e gjatë dhe kam një trup shumë të bukur, flokët i kam të zinj dhe sytë, po ashtu. Gjithmonë kam hasur në ngacmimet e djemve, por asnjëherë nuk e kisha patur mendjen se mund të merrja një djalë nga fshati. Po, nuk thonë kot, ajo që nuk do, ajo të bie për pjesë. Pa e zgjatur, po ju tregoj se si filloi historia ime. Kishim prenotuar lokalin me shokët e klasës për festën e Vitit të Ri dhe, kuptohet, unë isha zbukuruar si për festë. Sa hapa derën e lokalit, pashë pronaren që më priti duke më përqafuar dhe uruar për Vitin e Ri. Ndër të tjera, ajo më tha:
– Dukesh si princeshë, por mos harro se unë ta kam gjetur princin!
Pa e hapur unë gojën, ajo thirri një djalë që e quanin Juli. Ai erdhi me vrap drejt meje dhe ajo na prezantoi: – Ky është Juli, djali im, kurse kjo është Ema vajza më e bukur e gjimnazit dhe e fshatit tonë.
Ne i dhamë dorën njëri-tjetrit dhe, duke u parë në sy, shumë mendime më kaluan në mendje, megjithatë e mblodha veten dhe i thashë: “Kënaqësi që të njoha”. Menjëherë shkova dhe u ula te shoqëria ime. Gjatë gjithë mbrëmjes ai nuk po m’i hiqte sytë për asnjë çast, derisa erdhi një moment kur unë isha vetëm, pasi shoqëria ime po kërcente dhe ai erdhi e u ul pranë meje.
– Je vajza më e bukur e kësaj mbrëmjeje, këtë ta them me një çiltërsi fëmije… – më tha.
Nuk e di, po u ndjeva si në gjemba. Komplimentet e djemve i merrja gjithmonë si diçka kalimtare, pasi isha mësuar me to, mirëpo këtë herë ishte ndryshe, ndoshta ngaqë me Julin komunikoja për të parën herë. Në atë pak kohë që ndenjëm aty, ai më tregoi se punonte në Itali dhe kishte ardhur koha të kthehej në vendin e tij e të krijonte një familje. Më dukej se të gjitha këto ai m’i tregonte që unë ta kuptoja se ai kërkonte diçka serioze për jetën. I thashë se unë nuk e kisha parë asnjëherë në fshat dhe ai më tha se prej tete viteve jetonte në Itali. Nga kjo që më tha, kuptova se ishte në moshë të madhe, por në paraqitje nuk e tregonte. Ai dallonte nga djemtë e tjerë në fshat. Ndoshta ngaqë kishte jetuar jashtë vendit, kishte një stil shumë të bukur veshjeje, që çdo femër do ta kishte zili, aq më tepër që ishte shumë simpatik. Pronarja, ose më mirë, nëna e Julit, nuk pranoi të m’i mbante lekët atë ditë, ndërsa Juli tha: “Quaje si dhuratën tonë për Vitin e Ri”. Kur u ndava me Julin, ai më zgjati dorën dhe ndjeva se nën dorë më vendosi një copë letër të vogël. Për momentin nuk e dhashë veten, por me të mbërritur në shtëpi, e hapa dhe e lexova se në të ishte shkruar numri i tij dhe: “Të lutem, më telefono”.
Kishte kaluar ora një e vitit të ri dhe unë, pa u menduar më gjatë, i shkrova: “Gëzuar Vitin e Ri!”. Nuk kaloi as sekondi dhe ai më telefonoi. Nuk dija ç’të bëja. Ishte një dëshirë e zjarrtë për të folur me të, ndaj ia hapa telefonin dhe dëgjova zërin e tij: “Ema, faleminderit që më urove, ishte urimi më i bukur i këtij viti!”.
Kur dëgjova zërin e tij në telefon më lindi një ndjenjë e bukur, që nuk e shpjegoj dot. Pastaj ai më ftoi në lokalin e tij për të pirë një kafe me mamanë e tij. E kuptova se kjo ishte një lojë e tij që të më ftonte për kafe, por nuk e mendova gjatë dhe mbas mbarimit të shkollës, u ktheva në lokal. Aty, si gjithmonë, më priti krahëhapur e ëma e Julit dhe diku në një cep të lokalit, rrinte edhe Juli duke më pritur. I zgjata dorën dhe ai më afroi pas vetes e më puthi. U ulëm në tavolinë të tre dhe pa e hapur gojën fare Juli, ia filloi e ëma:
– Dëgjo, moj vajzë e mbarë! Këtij djalit tim i ka rënë në kokë për ty dhe do të fejohet. Ti mendohu dhe na jep një përgjigje se ne vijmë dhe të kërkojmë tek yt atë.
Unë u bëra flakë e kuqe, Juli e kuptoi dhe më tha se mami bënte shaka. Ajo u largua dhe ne vazhduam bisedën.
– Është e vërtetë ajo që tha mami, që dje kur të pashë, nuk më hiqesh nga mendja… – më tha.
– A e kuptoni se çfarë po më bëni? – iu përgjigja. – Po ta marrin vesh prindërit e mi, do të bëhet nami, të paktën sa të mbaroj shkollën…
Dhe, kështu bëmë. Unë dhe Juli ndenjëm të lidhur derisa unë mbarova shkollën, takoheshim fshehtas dhe flisnim gjithmonë në telefon, por historia jonë nuk mundi t’u shpëtonte llafeve të fshatit, derisa e morën vesh prindërit dhe nuk pranuan që unë të fejohesha me të. Ata kishin të drejtë. Familja e tij nuk ishte familje dinjitoze për ne, por dashuria nuk pyet për këto gjëra. Unë isha e vendosur dhe u thashë prindërve:
– Ose do të marr atë, ose nuk do të martohem asnjëherë!
Ata s’kishin ç’të bënin dhe pranuan, bëmë edhe dasmën dhe, pa kaluar as një javë, vjehrra më nxori të punoja në lokal si kameriere. Rrobat e mia ishin të pafundme, por jo të përshtatshme për fshatin tonë. Ngrihesha që në pikë të mëngjesit dhe punoja deri në darkë në lokal. Habitesha se si më linte Juli të vishesha në atë mënyrë dhe të ekspozohesha para të tjerëve. Shpeshherë zihesha me vjehrrën, madje ia kisha thënë edhe në sy se unë nuk mund të bëhesha si ajo, por ajo ma ktheu:
– Lëre nderin mënjanë… Leku është pushteti në ditët e sotme!
Shumë herë isha përballur me ngacmimet e njerëzve, djemve të rinj, por edhe atyre më të moshuar, por kulmin arriti kur një biznesmen zgjati dorën dhe më preku nga këmbët. Aty nuk m’u durua dhe e qëllova me gjithë fuqinë time, kurse tabakanë e mora dhe ia përplasa vjehrrës te këmbët:
– Unë këtë punë nuk e bëj më! – thashë.
Atë ditë u bë një skandal i vërtet në lokalin tonë, ajo skenë u mor vesh në gjithë fshatin, madje u ra në vesh edhe prindërve të mi. Me plot gojën mund të them se atyre u shkatërrova jetën, me gjithë ato llafe që dëgjonin për mua poshtë e përpjetë. Unë, nuk kishte ditë të mos qaja për fatin tim të zi, Juli më dukej shumë i pafuqishëm përballë të ëmës. Pas incidentit që ndodhi, i kërkova tim shoqi që të shkonim në Itali, po ai nuk pranonte. “Nuk ka punë”, më thosh.
Nga stresi që po kaloja isha dobësuar fare, derisa një ditë erdhi im atë dhe bisedoi me prindërit e Julit, duke u thënë: “Ose mbajeni vajzën ashtu si duhet, ose do ta marr në shtëpi dhe nuk do të ketë më punë me ju”. Si duket, fjalët e babait e bënë Julin të reflektonte, madje një ditë e dëgjova duke u zënë me të ëmën. Juli i thosh se nuk donte që unë të punoja më në ata lokal ku vinin lloj-lloj njerëzish, por ajo ia ktheu:
– Dëgjo këtu, ti, djalë i mbarë! Pakti ynë ishte që ajo të vinte në shtëpinë tonë për të punuar dhe për të na shtuar klientelën e jo për të mbajtur nderin e familjes!
Nga fjalët e saj, sa nuk m’u përmbys bota, shkova në dhomën time dhe fillova të qaja me të madhe. Këtë gjë ua tregova njerëzve të familjes time. Im atë, me të drejtë, më tha:
– Ç’na bëre, moj çupë? Nuk na dëgjove kur të folëm… Ja, për këto gjëra nuk donim ne që ti të shkoje atje.
Mbas asaj bisede, im atë nuk më la më të shkoja në familjen e Julit. Edhe pse Juli erdhi dhe u betua para prindërve të mi se ai më donte dhe nuk do të lejonte që e ëma të më përdorte për interesat e saj, im atë nuk më la të kthehesha te bashkëshorti. Kam dy vjet që jetoj te prindërit, ndërsa Juli ka shkuar në Itali. Më mban gjallë vetëm shpresa se ai një ditë do të kthehet dhe do të më marrë për të jetuar që të dy larg familjes së tij, që na shkatërroi jetën…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

PRIT GOMAR TË MBIJË BAR…

Next Post

Dua ta hedh në gjyq për largim të padrejtë nga puna

Advertisement