– Jam 28 vjeç dhe më ka thënë patologia që kam myk në gjuhë. Ju lutem, më thoni ku duhet të drejtohem dhe çfarë analize duhet të bëj?
– Përderisa jua ka thënë patologia një gjë të tillë, besoj se duhet t’ju ketë dhënë edhe tipin e analizave që duhet të bëni. Gjithsesi, ne po ju themi që së pari duhet të bëni analizën që quhet mbjellje e mykut (mykogramë) dhe në bazë të saj, të bëhet trajtimi korrekt. Mjekimi mund të zgjasë deri në një muaj, por gjithsesi, ndryshon në varësi të lokalizimit të mykut. Duhet të keni parasysh që mjekimi duhet të shoqërohet me vitaminoterapi. Më mirë do të ishte që të konsultoheni nga afër me mjekun specialist.
– Jam 26 vjeçe. Kam vënë re që kam shtuar shumë në peshë dhe një shoqja ime po më thoshte që këtë gjë ta jep vetëm një çrregullim i tiroides. A është e vërtetë?
– Për të folur më konkretisht nëse bëhet fjalë apo jo për gjendrrën tiroide, ju duhet të bëni një vizitë të drejtpërdrejtë me endokrinologun. Zakonisht, nëse gjëndrra e tiroides sekreton me pakicë dhe nuk funksionon siç duhet, kjo sjell shtim në peshë, lodhje dhe plogështi. Duhet të bëni patjetër një bilanc mbi gjendrrën tiroide, si dhe një analizë gjakut T4, TSh. Rezultatet e analizave tregojnë nëse kemi të bëjmë me çrregullim të gjendrrës apo jo. Por gjithsesi, një vizitë tek endokrinologu ose mjeku i familjes do t’ju sqaronte më shumë.
– Kam dalë me herpes, ndërkohë që jam e lidhur me një djalë. Mos vallë duhet t’i tregoj të vërtetën apo të mos i them gjë?
– Sigurisht që duhet t’i thoni të dashurit, sepse rrezikoni ta infektoni edhe atë dhe ju të mos keni kurrë përmirësim, sepse do të infektoni njëri-tjetrin. Duke biseduar me partnerin tuaj, ju do të bashkëpunoni për të mënjanuar sa më shumë rrezikun e infektimit dhe të përdorni mbrojtje të lartë. E kuptoj që është shumë e vështirë për ju ta hapni këtë temë me partnerin, por në këtë mënyrë do të zbuloni edhe nëse dashuria e tij është e vërtetë dhe e fortë për ju. Ai do t’ju vlerësojë për këtë, sepse po të jetë i zgjuar, do të kuptojë se ju po mendoni për atë, më shumë sesa për veten. Duhet t’ia thoni patjetër, që të ndihmoni atë dhe veten tuaj.
– Jam 22 vjeçe dhe kam çrregullime të ciklit menstrual. Menstruacionet më shkojnë edhe gjer në tre muaj pa më ardhur. Si të veproj?
– Duhet patjetër të kontaktoni me një gjinekolog, sepse nga ajo çfarë përshkruani, mendojmë se keni çrregullime hormonale. Gjinekologu do t’ju bëjë vizitë, ekzaminime ekografike dhe ekzaminime hormonale, për të gjetur shkaktarin e çrregullimit të mestruacioneve tuaja. Janë të nevojshme një sërë analizash që të gjendet natyra e çrregullimeve dhe të merrni mjekimin e duhur.
Advertisement