– Përshëndetje avokatit. Dua të di, a mund të bëj një padi civile apo penale në prokurori pa patur një adresë konkrete për një person, edhe pse ai mund të ketë ndërruar shtëpi apo vend pune? Duhet të kem patjetër ndonjë adresë të personit, apo mjafton vetëm emri dhe mbiemri i saktë? Është një person i cili ka dhunuar në gjendje shumë të rëndë shoqen time të ngushtë, por është zhdukur dhe nuk jeton më në shtëpinë ku jetonte me qira. A mund të bëj denoncim apo padi penale, sepse ai është vetëm kriminel? Çfarë thotë ligji në kësi rastesh? Faleminderit.
Av. Drn. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlaë.com, cel. 0692737706 & ++35544532512: – Përshëndetje! Ju falënderoj që na keni shkruar për problemin që ju shqetëson! Lidhur me pyetjen tuaj, mund t’ju informoj se: Dhuna konsiderohet një konflikt penal. Në momentin që ju jeni vënë në dijeni për dhunën që është ushtruar mbi shoqen tuaj, duhet të bënit kallëzim në polici. Pra, në mënyrë telefonike ose duke shkuar në postën më të afërt të policisë duhet të njoftonit për dhunën, personin që e ka shkaktuar atë, çfarë keni parë ju nëse keni qenë në vendin e ngjarjes, duhet të jepni emrat e personave të pranishëm në vendin e ngjarjes, kohën kur ka ndodhur dhe çdo informacion që ju keni rreth kësaj ngjarjeje. Meqenëse nuk e keni bërë kallëzimin në kohën kur ka ndodhur kjo ngjarje, mund ta bëni edhe tani. Duhet të sqaroni oficerin e policisë se nuk keni qenë i informuar ku duhet të drejtoheshit, ndaj jeni vonuar për të kallëzuar dhunën.
– Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë e ka të parashikuar këtë vepër penale në nenin 90 të tij: “Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, përbën kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë deri në 9 ditë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj”.
– Pasi merret kallëzimi nga oficeri i policisë pranë postës ku ju do të bëni kallëzimin, ai e çmon nëse duhet t’ia referojë këtë vepër penale prokurorisë apo jo. Në shumicën e rasteve, policia ia referon këto vepra penale prokurorisë. Prokuroria fillon hetimet e saj, duke marrë në pyetje personin e dëmtuar, duke parë raportet e spitalit, pyetur persona të cilët kanë dijeni për këtë ngjarje dhe veprime të tjera procedurale të cilat ndihmojnë hetimin e kësaj vepre penale. Pasi i ka kryer të gjitha veprimet procedurale të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale, prokuroria mund të vendosë: Dërgimin e kërkesës për gjykim në gjykatë ose mund ta pushojë kallëzimin penal kur krijon bindjen bazuar në provat e dosjes hetimore. Në rastin e parë, personi i dëmtuar mund të thërritet në gjykim vetëm kur e thërret gjykata ose prokurori si dëshmitar, kjo ndodh nëse gjykimi do të jetë i zakonshëm dhe jo i shkurtuar. Në rastin e dytë, kundër vendimit të prokurorisë për pushimin e kallëzimit mund t’i drejtoheni gjykatës për 5 ditë nga marrja në dijeni e këtij vendimi.
– Nëse personi i cili ka shkaktuar rrahjen, dënohet me vendim gjykate të formës së prerë, atëhere personit të dëmtuar, i lind e drejta për t’u drejtuar me padi civile për të kërkuar dëmin civil që mund t’i ketë shkaktuar personi që ka kryer rrahjen. Në objektin e padisë, personi i dëmtuar mund të kërkojë dëmin shëndetësor, psikologjik dhe moral, konvertuar në dëm financiar ndaj personit që ka kryer këtë vepër penale.
Shpresoj të keni marrë informacionin e duhur për shqetësimin tuaj!
Advertisement