Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Më la shtatzënë dhe më braktisi!

Përshëndetje! Jam menduar shumë para se të vendosja të shkruaja për historinë time, por kisha nevojë që ta ndaja me dikë. Para shtatë vjetësh, njoha rastësisht një djalë. Takimi ishte shumë i thjeshtë, nëpërmjet shoqërisë, por mua nuk më bëri përshtypje fare në fillim, ndërsa atij i kisha pëlqyer qëkur më kishte parë. Kështu, iku dita e parë, thjesht me një prezantim, ndërkohë që ai e kishte pyetur të nesërmen shoqen time për mua. Kërkonte të më takonte me se s’bën, edhe pse mua nuk më bëhej fare ta takoja sepse nuk më pëlqente dhe nuk e kisha parë me atë sy. Por, fatit asnjëherë nuk i dihet sepse erdhi shumë shpejt dita që ne u takuam rastësisht. Ai më përshëndeti me një buzëqeshje që i ishte stampuar në fytyrë. “Ja më në fund, rastësia na takoi”, vazhdoi ai dhe më ftoi të pinim dicka. “Një kafe nuk është ndonjë gjë”, mendova me vete dhe pranova, por edhe pse bisedoja me të, nuk po më bënte ndonjë përshtypje të madhe. Quhej Jorke dhe ishte shumë simpatik. Përveç kësaj, të bënte për vete edhe me tipin e tij, por vetëm kaq për atë ditë.
– Çfarë mendove kur më pe për herë të parë? – e pyeta sa për të thyer akullin e heshtjes që mbizotëronte herë pas here sepse unë nuk flisja pothuajse fare.
– Në momentin e parë që të pashë, m’u duk sikur të kisha njohur prej kohësh, sikur ishim takuar edhe më parë… – më tha ai gjithë entuziazëm.
Pas asaj dite, ne nuk po takoheshim më. Unë, as që bëhej fjalë t’ia thoja e para, por as ai nuk po më thoshte!! Që aty fillova ta mbaja mendjen tek ai; më vinte inat që nuk po më telefononte. “Ndoshta ka njohur ndonjë tjetër sepse unë i qëndrova shumë ftohtë”, mendova me vete e nëse më parë s’doja t’ia dija për të, në atë moment nuk e di se çfarë më ndodhi dhe i telefonova vetë e para. Ai m’u përgjigj thjesht: “Alo”. Mendova se e kishte fshirë numrin tim dhe i thashë se isha Bruna. “E di”, tha dhe kuptova që buzëqeshi. Pas një bisede të shkurtër, i thashë se ndonjë ditë mund të takoheshim dhe të pinim diçka. Nuk po u besoja veshëve të mi teksa e dëgjoja veten t’i thoja për të dalë, ndërkohë që më parë isha unë ajo që mezi dilja. Çfarë po ndodhte me mua kështu? Kisha ndryshuar shumë, gjë që nuk e prisja kurrë të ndodhte. Jorke kishte arritur të më ndryshonte, të më zbuste ndjenjat dhe të më bënte të isha e interesuar për ta njohur më shumë. Dhe, kjo ishte një ndër gjërat e tjera që më pëlqeu tek ai. Jorke e gjeti mënyrën si të më bënte për vete dhe, pak nga pak, të dashurohesha me të. Por, problemi ishte se edhe shumë vajza të tjera e pëlqenin Jorken dhe, pavarësisht se dukej sikur ai më kishte zgjedhur mua, kishte momente që e shikoja se u jepte shumë afrimitet vajzave të tjera. Mua kjo gjë nuk më pëlqente aspak, prandaj edhe diskutonim shpesh. “Nuk e kuptoj se çfarë të shqetëson kur unë po të dedikohem vetëm ty”, më thoshte.
Kisha filluar të ndihesha e pasigurtë në krahët e tij dhe kjo ndoshta ngaqë filloi t’i rritej mendja që kishte vëmendjen maksimale të femrave të tjera. Pse duhej të ndodhte kjo pikërisht tani kur unë po dashurohesha me të?! Isha shumë e dobët që ta përballoja një ndarje apo një gjendje kaq stresuese në lidhjen që kisha krijuar me të, prandaj u mundova me mish e me shpirt që t’i qëndroja më pranë dhe të mos bëhesha shumë xheloze, pasi xhelozia me siguri do ta shkatërronte gjithë atë që kishim krijuar deri në atë moment. Fillova të bëhesha më e përkushtuar dhe më e dashur ndaj tij. Më pyeti se çfarë kishte ndodhur me mua, pasi iu “duk shumë i çuditshëm ky ndryshimi i papritur”. Ia ktheva se unë kështu kisha qenë, vetëm se ai po e vinte re në atë moment. Kështu, ne filluam të afroheshim edhe më shumë me njëri-tjetrin. Kjo më bënte të mendoja se e kisha gjetur rrugën për te lumturia. Eh, sikur të ishte kaq e lehtë, por jo… Më vonë do të vinin ditë shumë të vështira për mua, të cilat nuk ishin asgjë në krahasim me këto që po kaloja! Jorke ndryshonte aq shpesh sjellje, sa unë tashmë nuk dija si të sillesha me të. Ishte e pamundur të mos bëhesha xheloze; ai më detyronte edhe sikur unë të mos doja. Nuk e dija çfarë përfundimi do të kishte ajo lidhje në të cilën u përfshiva si padashje dhe tani nuk mund ta lija më. Jorke erdhi në jetën time papritur dhe vendosi të bëhej pjesë e shpirtit tim, pa marrë parasysh se më vonë, pasojat e veprimeve të tij do të më bënin të vuaja. Prapë se prapë, unë vazhdoja të qëndroja e fortë dhe e vendosur për ta bërë këtë lidhje të funksiononte. Jorke filloi ta vlerësonte këtë dhe vura re që ne po afroheshim edhe më shumë me njëri-tjetrin. Kjo ishte diçka e mirë, duke marrë parasysh të gjitha grindjet që kishim patur herët e fundit. Pas çdo stuhie, dielli shkëlqen dhe këto stuhi ndoshta ishin të nevojshme në jetën time sepse po vinin në provë dashurinë tonë. Ishin prova të nevojshme që po mundohesha t’i kaloja me sukses për të siguruar lumturinë time.
Jorke kishte shumë shoqëri dhe një nga gjërat që nuk pëlqente aspak, ishte t’i ndërhynin shumë në privatësinë e tij. Edhe pse ne ishim të lidhur, atij nuk i pëlqente që unë të kërkoja shumë llogari. Ishte mësuar me lirinë e tij në çdo gjë, por unë e kisha shumë të vështirë të respektoja gjithë atë liri e cila më bënte të vuaja çdo herë e më shumë. Përsëri, e mbaja veten për të mos i thënë që kjo situatë ishte e padurueshme për mua dhe e mbaja përbrenda të gjithën. Nuk e kisha menduar kurrë se do të përjetoja atë lloj lidhjeje. Gjithmonë në mendjen time kisha krijuar idenë e një lidhjeje ku do të isha shumë e lumtur përkrah mashkullit që do të më dashuronte, do të kujdesej për mua dhe do të më mbështeste në gjithçka. Nëse do të isha ajo Bruna e fillimit, kur sapo e kisha njohur Jorken, me siguri do të kisha tjetër sjellje dhe nuk do të më bëhej vonë as për privatësinë e as për çka mund të ndjente ai për mua, por tashmë ishte shumë vonë sepse isha dashuruar dhe, meqë ai e kishte kuptuar këtë, mendonte se ishte i lirë të bënte çdo gjë sepse unë do ta falja, gjithsesi. Dhe, në të vërtetë, kështu ndodhte! Nuk po e njihja më veten time, nuk po më besohej se isha unë ajo Bruna e fillimit. Sa shumë kisha ndryshuar, ose më saktë, sa shumë më kishte ndryshuar ai njeri! Aq bukur nisi ajo lidhje, por nuk po vazhdonte ashtu siç kishte nisur. Sa do të doja ta ktheja kohën pas dhe të ktheja krenarinë time në vend… Kishte momente që i thoja vetes se duhej t’i jepja fund njëherë e mirë me Jorken dhe ta vazhdoja jetën time sepse kështu do të merrnin fund vuajtjet që përjetoja, por jo… Ishte e pamundur ta harroja atë. Edhe pse mundohesha të shikoja ndonjë mashkull tjetër, askush nuk më pëlqente. Jorke ma kishte marrë mendjen! Dukej sikur unë isha e vetmja që ai dashuronte dhe respektonte, ndryshe nga të tjerat, por kisha një ndjenjë dyshimi se më tradhtonte dhe intuita e femrës nuk gënjen kurrë. Ai mendonte se unë nuk kisha kuptuar asgjë, madje vazhdonte të fliste për të ardhmen tonë. Në planet e tij të shpejta bënte pjesë edhe lindja e një fëmije. E kishte vendosur vetë dhe ma thoshte si fakt të kryer.
– Ti ke vendsour që të bëhemi me fëmijë, jo ne. A nuk duhet ta kishim folur më parë bashkë këtë? – i thashë.
– Pse, ti nuk do fëmijë? – më pyeti i çuditur.
– Nuk thashë këtë… por ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe kërkon përgjegjësi…
– Epo, unë i kam menduar të gjitha këto, prandaj të thashë…
Në fakt, më shumë se hedhja e atij hapi, mua më shqetësonte lidhja jonë sepse nuk isha ende e sigurtë nëse ishte momenti i duhur për të patur një fëmijë me Jorken. Nuk ndihesha e sigurtë në besnikërinë dhe përgjegjësinë që ai po premtonte. Nga ana tjetër, isha edhe e lumtur që ai ma kërkoi këtë sepse ishte personi që dashuroja me shpirt. Isha në dilemë, por ajo që kishte për të ndodhur, ndodhi. Pas testit që bëra një ditë, pashë që isha shtatzënë. Nuk e dija a duhet të gëzohesha apo të mërzitesha. Një ndjenjë e pakuptimtë më kaploi të gjithën. U shtriva dhe po meditoja me veten. Në vend që të lumturohesha, ashtu siç ndodh me çdo femër që bëhet nënë për herë të parë, unë kisha një ndjesi të cilën nuk dija si ta shpjegoja, mërzi të përzier me lumturi. Kur takova Jorken, ia thashë, por pa ndonjë entuziazëm të madh.
– Çfarë ke? Ke ndonjë problem me shtatzaninë? Nuk të shoh fare të lumtur…. – më tha.
– E lumtur jam, por kjo është diçka e re për mua… – i thashë, ndërkohë që në të vërtetë nuk isha e lumtur. Zemra ime e ndjente se diçka do të ndodhte me ne. Dhe ndodhi…
Barku im rritej dita-ditës e po ashtu, edhe tradhtitë e tij. Një ditë, pashë rastësisht celularin e tij. Po i telefononte njëra me emrin Graci. Zemra më rrahu fort dhe m’u morën mendtë, edhe nga gjendja në të cilën ndodhesha. U ula në divan të merrja veten. Ai ishte në gjumë dhe shumë mendime po më vërtiteshin në kokë: Të përgjigjesha apo të mos përgjigjesha?! Vendosa të përgjigjesha.
– Alo, me kë po flas? – tha ajo pasi dëgjoi zërin tim.
– Kë kërkoni? – vazhdova unë.
– Jorken doja… – vazhdoi ajo me paturpësinë më të madhe. Pasi e pyeta nga e njihte, më tha se ishte e dashura e tij. Aty, gati sa nuk më ra të fikët, por e mblodha veten dhe i thashë që unë isha e fejuara e tij.
– E fejuara e tij? Unë pres një fëmijë nga Jorke dhe shumë shpejt do të fejohemi… – vazhdoi ajo.
M’u duk sikur m’u shemb qielli mbi kokë. E mbylla telefonin se nuk mund të flisja dhe, ashtu siç isha, me lot në sy, zgjova Jorken nga gjumi.
– Çfarë ka ndodhur? – më pyeti ai.
Në fillim nuk po flisja dot, nga e qara me ngashërima, por ia shpjegova të gjithë situatën.
– Dhe ti i beson këto gjëra? Mund të jetë ndonjë provokim… – tha, i qetë.
– Jo, nuk ishte provokim. Nga e gjeti ajo numrin tënd dhe ndërkohë që fliste ishte shumë e qetë? Çfarë janë këto lojëra që po luan? Ne presim një fëmijë dhe ti merresh me dashnore? – i thashë e dëshpëruar.
Ai nuk ktheu fare përgjigje, bëri sikur u inatos dhe doli duke përplasur derën me forcë. “Po ikën tek ajo”, mendoja me vete dhe qaja, por më e keqja ishte se që atë ditë që doli nga shtëpia, Jorke nuk u kthye më kurrë. Më braktisi në momentin më të vështirë, duke më lënë të zhytur në dhimbjen time. Ajo që kalova ishte një dramë për mua dhe falënderoj Zotin që nuk abortova. E mbajta fëmijën dhe e rrita e vetme. Kurrë nuk i kam treguar se kush ishte babai i tij; i thashë që ai kishte vdekur kur ky ishte shumë i vogël dhe s’e mbante mend fare. Jorke më la shtatzënë dhe më braktisi. Ky është veprimi më i poshtër që mund t’i bëjë mashkulli një femre. Me siguri, ashtu si mua, ai ka mashtruar jo vetëm vajzën me të cilën fola në telefon, por më mirë që u largua nga jeta ime njëherë e përgjithmonë sepse tani e kuptoj që isha mbyllur në një rreth vicioz ku vërtitesha rreth tradhtive të tij dhe vuajtjeve të mia të përsëritura.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

A shkaktojnë shytat infertilitet?

Next Post

Anjeza Branka: Ndizem vetë e para...

Advertisement