Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Është i martuar, por nuk e lë dot!

Dua të shfryj me ju gjithë trishtimin që kam, sepse realisht po më rëndon në zemër një veprim i hershëm. Unë që po ju shkruaj jam një vajzë nga Mallakastra, që jetoj në Tiranë. U bënë disa vite që jam transferuar me familjen time këtu. Të gjithë në familje më punojnë dhe kanë punë shumë të mira. Duke qenë se familjarët e mi janë marrë me politikë, unë kurrë nuk e kam pasur të vështirë jetën dhe gjithmonë kam pasur përfitime që moshatarët e mi nuk mund t`i kishin kurrë. Që e vogël, llastohesha nga ata edhe bëja çfarë të doja. Tani kam mbaruar shkollën e lartë dhe jam në një udhëkryq të keq, që as vetë nuk di t’i jap zgjidhje. Para disa vitesh, në gjimnaz, isha një vajzë jashtë mase e llastuar që më pëlqenin gjërat e luksit dhe kishte disa ditë që shkoja te zyra e nënës sime për të fotokopjuar gjëra për shkollën. Të them të drejtën, nga mënyra se si vishesha dhe si mbahesha, të gjithë aty kthenin shikimin edhe më bënin komplimente. Rrobat e mia porositeshin e vinin nga jashtë. Shumë pak gjëra mund të kisha blerë në Shqipëri. Nëna ime më thoshte se nuk duhet të isha vetëm e bukur, por edhe e zgjuar, pasi gjërat e liga bëheshin sa hap e mbyll sytë dhe kishte të drejtë… Duke qenë vajzë e vetme, unë ndikohesha shumë nga shoqëria edhe ato, përgjithësisht, ishin vajza më të mëdha se unë, me para e me të dashur me pushtet. Ishin shoqe që nuk i kisha as në shkollë, as në lagje, i kisha njohur shoqëri mbas shoqërie edhe kështu, dilja me to sepse më pëlqente mënyra se si visheshin dhe si e jetonin jetën…

Ne dilnim me makinë vetëm goca, iknim në plazh, në kafe, në diskoteka çdo fundjavë dhe flirtonim pa fund me djem të bukur. Kohët e adoleshencës sime, kështu më kaluan. Isha mësuar të mos më mungonte asgjë as nga familja, as nga shoqëria sepse të gjithë më mbanin në pëllëmbë të dorës. Arriti një moment ku unë e shikoja të nevojshme të krijoja një lidhje dhe u kërkova ndihmë shoqeve, të cilat menjëherë u vunë në lëvizje duke më prezantuar djemtë më me lekë të Bllokut. Për pak ditë më prezantuan djem me lek, me makina të fundit dhe të bukur, por asnjëri nuk po më ngjiste si tip. Sa herë ulesha në kafe me ta, përfundoja duke u zënë, apo duke i kundërshtuar në muhabete pa lidhje. Ndoshta kjo ndodhte sepse unë isha shumë e llastuar dhe gjërat nuk i doja përnjëherësh. Ata lodheshin që në takimet e para dhe nuk më merrnin më në telefon. Pati një periudhë që u demoralizova shumë. U bënë disa ditë që ikja te zyra e mamit dhe aty më kishte rastisur disa herë të takoja, ashtu si të gjithë, personelin edhe shefin e saj. Ai ishte një burrë brun, te të tridhjetat, që vishej gjithmonë me kostum. Sa herë kalonte ai, në zyra mbizotëronte qetësia. Ishte jashtë mase tërheqës me qëndrimin e tij dhe indiferentizmin që e bënte të dukej gjithmonë shumë të vendosur në vetvete. Disa herë më bëri përshtypje, sepse ndërkohë që të gjithë më përshëndesnin nëpër korridore, ai nuk më përshëndeste kurrë. Kjo më habiti aq shumë sa në fillim mendova me vete që ishte një mendjemadh i keq. Fillova të krijoja iluzione se pse e bënte ai këtë gjë. Mendoja se ndoshta kishte antipati nga mënyra se si vishesha, por jo. Kur pyeta mamin, ajo më tha se shefi ishte shumë njeri i mirë, shumë strikt dhe shumë familjar. Kjo m’i preu disi krahët, sepse direkt e kuptova që duhet të ishte i martuar. Një ditë, duke ndenjur me vajzat në internet, klikova emrin e tij edhe ua tregova të gjitha fotot që kishte. Të gjitha më thanë që ishte shumë i bukur, madje kërcyen përpjetë duke u zënë me njëra-tjetrën se cila do ta ngacmonte. Disa nga ato filluan të shprehnin lloj-lloj fantazish, ndërsa unë qeshja me vete.
– Përse nuk e bën frend në Facebook? – më tha njëra nga shoqet.
– Absolutisht jo, edhe pse më tërheq shumë! – i thashë, duke i lënë të kuptonin se i ruhesha nënës.
Kaluan ditë dhe unë nuk kisha guxim të shkoja te zyra e saj, sepse po ta shikoja, e dija që mendja do të më rrinte vetëm aty, gjatë gjithë ditës. Fillova të krijoja fantazi, sikur ai do të linte gruan vetëm për mua, do të martoheshim e do të ishim të lumtur përgjithmonë. Pak a shumë, siç bëjnë shumë adoleshente, që marrin ajër me pak gjë. Në mendjen time, qarkullonin lloj–lloj idesh. Isha një adoleshente e çmendur, mes disa vajzave të çmendura. Njëra nga shoqet e mia kishte komunikuar me të një natë në Facebook, duke i treguar se unë e pëlqeja dhe se nuk ia shprehja dot simpatinë time. Këtë gjë e kishte bërë pa ia kërkuar unë. Një natë në mbrëmje, kur hapa Facebook-un, gjeta një mesazh nga ai: “Përshëndetje! Shpresoj mos të të shqetësoj. Më thanë se më kishe shumë qejf, por nuk kuptoj se pse nuk e ke shprehur këtë simpati? Dua të të them se, edhe ti më tërheq shumë si vajzë, vetëm se ti i di rrethanat e mia dhe unë kurrë nuk mund të bëj hapin e parë drejt teje”. Kur pashë atë mesazh, u habita shumë dhe qesha pa fund. Në fund të fundit, m’u bë qejfi dhe vazhdova t’ia kontrolloja edhe një herë profilin deri në detajet më të vogla. Nuk kishte asnjë foto tjetër, përveç ca fotove në zyrë. Me çfarë kuptova, ai kërkonte që unë t’i shkoja pas. Qesha me veten disa orë. Këtë gjë nuk mund ta bëja kurrë, edhe pse më intrigonte shumë idea që të paktën të dilja me të. Kaluan disa ditë në kërkim të dëfrimit me vajzat dhe vera po afronte e shkolla më mbyllej. Bëmë shumë plane dhe shkuam në dyqanet më të shtrenjta për të blerë rrobat e verës. Si përfundim, e vendosëm dhe ikëm me vajzat disa ditë në Vlorë, pasi nuk bëheshim të gjitha për të shkuar jashtë. Duke diskutuar me ato, u tregova për mesazhin që më kishte çuar ai dhe vajzat më thanë: “Pse nuk e fton ta takosh në Vlorë?”.
Atë natë qëndrova duke menduar si edhe ku. Më vinte shumë habi pse u fiksova pas atij njeriu. Çfarë kishte vallë ai? Ditën tjetër i shkrova duke i bërë një ftesë për të darkuar me mua e shoqet e mia. Ai pranoi të vinte për të më takuar. Shkëmbyem numrat e telefonit dhe çdo gjë ishte në rregull. Në darkë u vesha me fustan dhe taka shumë të larta, që i kisha blerë të reja. Ngjaja si një princeshë, aq e mirë isha bërë, saqë kur më pa, edhe pse ishte natyrë shumë serioze, bëri një gjest për të më treguar se e kisha mahnitur. Unë qesha, por gjithsesi, nuk e dhashë veten. U ulëm të gjithë dhe darka kaloi shumë bukur mes të qeshurave pa fund dhe shakave të vajzave, që nuk u pushonte goja një sekondë. Ai insistoi të më përcillte me makinë, ndërsa gocat shkuan të gjitha bashkë. Në makinë folëm dhe në një moment m’u afrua duke më përqafuar me xhentilesë. Për mua, edhe pse kisha pasur eksperienca të mëparshme me djem, ishte lidhje pas dy vitesh pushim dhe u emocionova shumë. Vija re veten, që dridhesha nga lumturia. Zemra më rrihte fort, por nuk e kuptoja se çfarë do të bëja më tej me të. Gjithsesi, për momentin, isha e lumtur dhe nuk doja të dija për më shumë, veç lumturisë sime. Lidhja jonë sapo kishte filluar. Ishin mesazhet e dashurisë që më zgjonin nga gjumi në mëngjes dhe bisedat e gjata në telefon që më bënë të dashuroj një njeri të tillë, i cili përveçse i martuar, ishte edhe shefi i nënës sime dhe kjo, e bënte fajin më të rëndë. Dilnim përditë nëpër Tiranë në kafe, dreka, darka. Përditë me makinën e tij, xhiro me vajzat. Më lejonte shumë gjëra. Nuk kishte mbrëmje që të mos dilnim për të pirë diçka me shoqërinë time. Ai, si zakonisht, zgjidhte vendet më shik në Tiranë dhe të dashurit që kisha pasur më parë nuk i afroheshin as te këmbët për nga mënyra se si më trajtonte. Për familjen nuk e pyeta kurrë dhe kurrë nuk më tregoi asgjë. Doja vetëm lumturinë time dhe për momentin, nuk mendoja më gjatë.
Lidhja jonë ishte luks, ashtu siç e kisha ëndërruar gjithmonë, mirëpo me kalimin e viteve, fillova të ndjej mungesën e sigurisë, sepse edhe ai filloi të bëhej monoton. Lokalet edhe restorantet e luksit tashmë i kisha mësuar përmendësh. Shikoja që shoqet e mia ishin të gjitha të lidhura me djem që po i prezantonin në familje dhe kjo më shqetësonte për të ardhmen. Nëna e babai shpesh më ngacmonin duke më pyetur mos kisha diçka të re, por unë s`kisha çfarë t’u tregoja. Vazhdova të ëndërroja një njeri që të ishte gjithmonë i pranishëm tek unë, ashtu siç unë mund të isha tek ai, por kjo ishte e pamundur. Doja dikë që ta merrja me pushime për dy javë, të rrinim bashkë dhe të mos mendoja se do t’i binte telefoni dhe do të ngrihej për të folur jashtë. Kishte gjëra që më parë nuk i vija re, por që tashmë më bezdisnin pa masë. Këto gjëra sollën edhe keqkuptime shpeshherë, mirëpo nga dashuria e madhe, kur takoheshim, i harroja të gjitha dhe pajtoheshim. Kisha filluar të bëhesha e ndjeshme dhe qaja shpesh kur më mërziste mungesa e tij. Doja që ai të bëhej xheloz për mua, por as xheloz nuk bëhej më si në fillim. Unë shikoja shoqet që dilnin e argëtoheshin nëpër diskoteka, ndërsa unë prisja për një telefonatë dhe për t’u liruar ky nga puna për të dalë. Vërtet nuk më ndalonte të dilja me shoqërinë time, por isha unë ajo që e prisja, sepse kisha rënë kokë e këmbë në dashuri. Nuk arrija ta besoja se si isha katandisur. Disa nga shoqet e mia u fejuan me të dashurit që kishin, ndërsa unë nuk dilja me asnjeri, sepse më dukej tradhti ndaj tij. Ato më bërtisnin kur unë u thoja që nuk doja të njihja tjetër njeri.
– Shiko interesat e tua! – më thonin, por ishte shumë e lehtë për t’u thënë. Kjo në fakt është deri diku legjitime sepse lidhja jonë u bë një vit që nuk shkonte ashtu siç e kishim planifikuar.
Unë vazhdoj të jem e lidhur me të edhe pas shumë ndarjesh. Është e vërtetë që e dua, edhe pse gjërat kanë ndryshuar shumë nga fillimi i lidhjes. Tani takohemi shumë rrallë dhe shkaku i takimit jam vetëm unë. Ai është gjithmonë shumë i zënë për të më ftuar. Nuk shkojmë më as në plazhe, as në mbrëmje, vetëm takohemi dhe rrimë bashkë disa orë, sikur të jetë duke na ndjekur njeri. Ai më duket përditë e më i ftohtë. Duket sikur është penduar për atë që po bën, ndërkohë që mua më thotë se ende më do. Jam në një dilemë të madhe, sepse e kam të vështirë të heq dorë pas kaq kohësh, por edhe kjo histori kështu, nuk shkon më. Jam e trishtuar për mënyrën se si e nisa dhe si po e vazhdoj. Ditë përditë, pendohem për vendimin që kam marrë në atë kohë. Kam menduar disa herë t’i hapem mamit, sepse ajo ndoshta do të më ngushëllojë e të më tregojë se si të veproj, mirëpo jam e ndrojtur sepse do të më mohojë shumë gjëra. Ajo, me siguri, do mërzitet nga ky veprim dhe do të reagojë shumë keq. Nuk e di si do të reagonte ajo në rastin e së vërtetës…
Tani, shkolla e lartë ka mbaruar dhe unë jam në dilemën më të madhe të jetës. Nuk di si t’ia bëj! Të jem dashnorja e tij gjithë jetën apo të shikoj interesat e mia dhe të krijoj një lidhje normale? Herë-herë mendoj se do ta kem të vështirë ta kapërcej këtë, sepse ai do të më kërkojë gjithmonë, edhe nëse do të jem e lidhur me një njeri tjetër, plus që tani, bashkëmoshatarët e mi nuk më tërheqin edhe aq shumë. Vajzat që deri dje më përkrahnin, më këshillojnë ta lë, sepse nuk po më plotëson në asnjë lloj mënyre dhe kjo nuk është lidhja që më kishte premtuar. Ato kanë siguruar të ardhmen e tyre! I lanë pas budallallëqet që bënë kur ishin të vogla, ndërsa unë nuk po mundem ta kaloj këtë situatë. Jam në dilemë sepse mendoj që veprimet e mia do rëndojnë edhe te nëna, e cila me siguri do të pushohet nga puna dhe nuk do t’i jepet asnjë shpjegim. Nuk di si t’ia bëj, vetëm shpresoj që me kalimin e ditëve të më qartësohen edhe më shumë idetë. Tani jam në mëdyshje shumë të mëdha. Ka netë që nuk vë gjumë në sy duke lexuar e rilexuar mesazhet tona, që i ruaj. Qaj e pushoj, por për mua nuk mund të ketë më qetësi. Ju kërkoj mendim nëse mundeni e, nëse keni pasur të njëjtën situatë, si keni vepruar?

A. S Tiranë.

Advertisement

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (4) View Comments (4)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

BETEJËN E FITUAN MIZAT... Nga Mitro Cela

Next Post

NDRYSHIMI I VIP-ave: Adelina Tahiri

Advertisement