“I do music through the art of thinking vvith sounds” (unë bëj muzikë, përmes artit të të menduarit me tinguj…) E ç`profesion mund të kishte tjetër bartësi i këtij tatuazhi, veçse muzikant?! Krahu i majtë i Mateus Frrokut, ka të “gdhendur” në të këtë filozofi… Teksa fliste Mateusi, i vura re tatuazhin dhe, menjëherë, ai filloi të shpjegonte minihistorikun e tatusë. “E kam parë në ëndërr sikur kisha këtë tatuazh në krah dhe ua tregoja të gjithëve. Kur u zgjova, pashë që tatuazhi nuk ishte, kështu që shkova ta bëj.”
Ja, pra, Mateusi e çoi në vend profecinë dhe pas kësaj profecie, erdhi momenti që ai, të mendojë me tinguj dhe të sjellë për publikun shqiptar një këngë të tijën, “Në buzët e tua”. Sa mirë që në Shqipëri ka muzikantë që mendojnë me tinguj dhe bëjnë, atë që na mungon aq shumë, muzikë të mirë…
Enkeleda Kurcani: – Mateus, pse klipi yt i parë “Në buzët e tua” erdhi vonë, kur eksperiencat e tua me muzikën janë të hershme?
– Në të vërtetë, vonë është kur mendon kohën në të cilën unë jam lançuar, por unë mendoj se ky ka qenë moment i duhur. Një muzikant duhet të jetë deri diku i formuar profesionalisht, që të përfaqësohet me një videoklip. Tashmë, pas pjesëmarrjeve të mia nëpër disa festivale, ky ishte momenti im i duhur.
– Si erdhi “Në buzët e tua”?
– Kënga ka ardhur fare natyrshëm në studion e mikut tim, Elgit Doda. Krejt rastësisht, në një ditë të zakonshme kur punonim në studio, ai kapi një motiv në piano (që është refreni i këngës). Që në atë moment më pëlqeu dhe i thashë që ta regjistronte. Pikërisht aty lindi ideja për të bërë këngë të re. Nuk isha në studio për këtë qëllim, ndodhi rastësisht.
– Dhe më pas, sa kohë ju është dashur për ta sjellë te publiku?
– Është projekt që ka nisur që në janar të këtij viti dhe, për shkak të angazhimeve, u gjet tani momenti i duhur për t’u lançuar. Ishim të sigurtë që kishim bërë një këngë të mirë pasi patëm kohë të punonim me të, ndërsa teksti më ka ardhur krejt natyrshëm, e kam shkruar vetë. Është hera e parë që shkruaj një tekst kënge, por kur dëgjoja melodinë e këngës, ndjeja që ajo melodi kishte një melankolizëm që kërkonte pikërisht atë tekst. Nuk jam nisur nga ndjesitë e mia personale, por thjesht kam vënë veten në pozicionin e një djali të vetmuar që; kudo ku ndodhet, kudo ku shkon, çfarëdo gjëje që bën, e ndjen praninë e vajzës që nuk e ka më… Gjatë punës me tekstin, rikujtoja ndjesitë e mia në rrethana të tilla, si ndihesha sa herë ndërprisja një marrëdhënie…
– Pse, sa marrëdhënie ke ndërprerë ti?
– Për shkak të pjesëmarrjes shumë i vogël në spektakle kombëtare televizive, gjë që më bëri të njohur, i kam filluar marrëdhëniet intime shumë herët…
– Kush është ajo bukuroshja që përqafon në klip?
– Ajo është një aktore shkodrane, mikeshë e imja, të cilën e falënderoj që pranoi të bëhej pjesë e projektit.
– I gjithë klipi është xhiruar në Shkodër. Përse?
– Unë nuk e kam parë Shkodrën si një qytet me të cilin më lidh familja. Gjatë udhëtimeve të mia të shpeshta në Shkodër kohët e fundit, po më pëlqente shumë. Shumë rrugica apo lagje të rikonstruktuara, xhiroja e Shkodrës… Kur ndodhesha aty, çdo gjë më lidhej me këngën. I qëndrova besnik imagjinatës sime e vendosa që klipin ta xhiroja në Shkodër. Dhe, mendoj se ka dalë një videoklip ndryshe; të gjithë elementët janë sintetizuar bukur me këngën. Gjërat u bënë akoma më të thjeshta dhe u konkretizuan më shumë, falë edhe mbështetjes së Shtëpisë Diskografike Supersonic, e cila mori ekskluzivitetin e këtij projekti, çka më bëri të shkoja në Shkodër si zotni. (Qesh)
– Duket sikur këngët e tua kanë lidhje më shumë me dashurinë…
– Të gjitha ashtu i kam unë, siç thonë korçarët, me “dhëmbka”… (Qesh)
– Je djali i një babai shkodran dhe i një nëne korçare. Do ta ndjekësh edhe ti traditën e krushqive Shkodër-Korçë?
– Jo, jo, do rri këtu në Tiranë!
– Ah, domethënë, qenka nga Tirana fatlumja?
– Po. Unë do kisha dëshirë të ishte shkodrane, po fati deshi të bëhesha dhëndërr Tirane. Nuk jam fare pishman në fakt, sepse prej kohësh kam filluar t`i mësoj të dashurës sime dialektin shkodran (Qesh). Për atë korçar nuk ka nevojë se ka mamamë nga Korça.
– Me femrat, ke pasur më shumë sukses me shkodranishten apo me korçarçen?
– Hëm, ku e di unë… Ndjej që jam më i lezetshëm kur flas dialektin shkodran.
– Si njëri qytet, si tjetri, shquhen për kulturë e humor. Pjesën e kulturës ti e mbulon shumë mirë. Po atë të humorit?
– Me momente, e kam. Më kap ndonjëherë ndonjë dell humori, më pëlqen edhe vetja në ato momente. Tani, për momentin nuk e kam… (Qesh) Ndjej që, kur jam në Shkodër jam më gallatë, ndërsa kur jam në Korçë, më tepër më bëjnë për të qeshur ata.
– Për t`u diplomuar, zgjodhe aktrimin…
– Aktrimin e kam zgjedhur kur isha 18 vjeç. Në atë kohë, mendoja që të studiuarit për aktrim është diçka që vlerësohet në të ardhmen. Në atë moshë mendon vetëm për gjërat e bukura dhe unë e mendoja shumë të thjeshtë, nuk mendoja për tregun e punës. Jo se nuk më pëlqen ideja që mbarova aktrim, por nuk është aq e lehtë sa mendoja. Ndihem mjaft mirë që kam mbaruar studimet për këtë degë, më ka formuar shumë edhe mua… Më mirë që zgjodha një degë arti sesa diçka tjetër…
– Veçse si këngëtar, do të të shohim edhe si aktor në skenën e teatrit?
– Përgjithësisht, kam pasur punë brenda akademisë, akoma nuk kam pasur një projekt jashtë saj. Për t’u marrë me një vepër ose projekt teatral, duhen 2-3 muaj punë intensive, kohë të cilën unë tani nuk e kam dhe, nuk do kisha dëshirë të ishte një punë kalimtare. Në momentin që do ta kem një punë të tillë, do të shkëputem nga punët e tjera, që t`i përkushtohem teatrit.
– Kohën për teatrin, sigurisht, do ta gjesh. Po kohën për të rënë pak në peshë?
– Më në fund, kam vendosur t`i drejtohem palestrës dhe, fatkeqësisht, do të më duhet të kem kujdes me ushqimin… Jam një llupës i frikshëm! (Qesh)
– Edhe pianist, edhe kitarist… Edhe aktor, edhe këngëtar… Ti, duhet t’i çmendësh femrat!
– Tani që po e mendoj, të gjitha sa përmende më sipër janë të bukura, por asnjëherë nuk i kam përdorur për të joshur një femër…
– Dhe pyetja e pashmangshme: Planet e tua të afërta…
– Ndryshimi nga të gjithë vitet e tjera është se do të kem një angazhim shumë të madh me muzikën live. Për fat të mirë, do të jem në ambiente ku luhet muzike e mirë live, nga artistë të mirë big. Ideja që do të jem bashkë me Aurela Gaçen dhe vëllezërit korçarë, më bën të ndihem mirë dhe i vlerësuar. Paralelisht me këtë, do të shkoj edhe në shumë qytete të tjera, personalisht, për të luajtur muzikë live. Gjej rastin të falënderoj shumë njerëz nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, që më kanë ftuar për të performuar…
TË JESH SHQIPTAR TIRANE…
– Do ta konsideroje veten trendy apo pak të modës së vjetër?
– Unë jam shqiptar, në kuptimin e plotë të fjalës!
– Që të jesh një shqiptar tirane, duhet të kesh provuar disa gjëra… Për shembull, duhet të shkosh një herë në Dardhë apo Voskopojë…
– Në Dardhë unë shkoj sepse më pret Shadija, gruaja fisnike, që me lakrorin e saj me dy petë, përgatitur në saç, çmend gjithë njerëzit që konsumojnë ushqimin, ndërsa në Voskopojë shkoj shpesh për shkak edhe të mundësisë, pasi daja im ka një shtëpi turistike aty. Ai, na jep mundësinë që të relaksohemi edhe të plevitosemi… (Qesh)
– Duhet të shkosh një herë në Valbonë…
– Unë e kam parë Valbonën, por nga televizori. Kam ndërmend të shkoj.
– Do ta bësh se e bëjnë të gjithë, apo se ke qejf vetë?
– Mua më pëlqen të ekspoloroj vendet e bukura që ka Shqipëria; nuk nisem nga fakti se shkojnë të gjithë.
– Rafting në kanionet e Osumit…
– Nuk e dija këtë trendin e fundit të rafting, por do ta provoj shumë shpejt, me të ardhur koha e përshtatshme. Ndërkohë, i kam vënë lidhjet me organizatorët…
– Duhet t’i kesh bërë një herë pushimet jashtë Shqipërisë…
– Kam qenë në Ohër, në një ishull në Greqi dhe, pa dyshim, si të gjithë, e provova edhe unë një javë në Turqi…
– Ëmbëlsirën e lëmë për në fund, por nuk bëhet fjalë për ëmbëlsirë: Duhet të kesh ngrënë tavë krapi dhe qefull tjegulle në Shkodër!
– Janë dy specialitetet e mia të preferuara, bashkangjitur edhe një zhytje në lumin Drin, për të cilin e gjej gjithnjë kohën…