Për 2350 kilometra nga Veriu deri në Jug shtrihet Deti i Kuq, një det i brendshëm i Oqeanit Indian. Ujërat e tij mbushin gropat tektonike midis dy kontinenteve, Euroazisë e Afrikës dhe ai, mezi i arrin të 350 kilometrat në pjesën e tij më të gjerë. E shtrënguar mes kufijve kaq të ngushtë është krijuar në atë pellg për miliona vjet me radhë një botë e tërë gjallësash, e cila nuk njihet në viset e tjera nënujore. Më shumë se 20 % të përfaqësuesve të florës dhe të faunës që gjallojnë në atë “gropë”, i gjen vetëm këtu dhe askund tjetër. Një mori kërminjsh dhe iriqësh deti, krimbash dhe midhjesh bashkëjetojnë këtu, mes shkëmbinjve nënujorë, së bashku me koralet “e gjalla”, por që s’janë gjallesa… Midis gjithë këtyre gjallesave nënujore jetojnë këtu në kope të mëdha edhe “fluturat e kopshtijeve të Neptunit”, sikurse janë quajtur që nga lashtësia, peshqit e bukur gjithë vijëza e ornamente të cilët jo vetëm që nuk kanë frikë nga njeriu, por po të kërcasësh gushtrinjtë nën ujë, afrohen dhe e marrin këtë si një sinjal për t’i ftuar për drekë…
Advertisement