– Kam një pyetje për fëmijën e motrës sime. Motra ka lindur një vajzë tani dhe djali është bërë shumë xheloz për të. A është normale kjo lloj xhelozie te fëmijë kaq të vegjël, sepse kam dëgjuar shpesh për raste të tilla?
Selami Deraj, psikopediatër: – Me këtë shqetësim ndeshen çiftet e reja dhe familja dramatizohet e tëra. Kur vjen në jetë një fëmijë i dytë, në familje ndryshon ambienti familjar, ekuilibri i saj. Reagimi i fëmijës së parë mbas lindjes së motrës ose vëllait të dytë, është i çuditshëm. Në psikikën e fëmijës, mendimi se “mami është e imja” është absolut. Ai nuk mendon se duhet ta ndajë nënën e vet me ndonjë tjetër. Ai ose ajo nuk do që e ëma të ketë një marrëdhënie analoge me atë tjetrën ose tjetrin e porsalindur. Vetë xhelozia e fëmijës për të sapolindurin e ardhur në ambientet familjare, lidhet me frikën se mos humbet përkujdesjen e nënës ndaj tij, vëmendjen e dashurinë e saj. Ideja se nëna mund të preferojë vetëm të voglin, e mundon. Ideja e humbjes së përkujdesjes së nënës ndaj tij, sjell dëm emotiv që mund të shkaktojë mungesë kujdesi në fëmijërinë e hershme. Fëmija më i madh reagon keq ndaj të voglit. Ai mund të reagojë në dy mënyra:
– E para, bëhet sedërmadh e i padurueshëm ose shmanget në nivel verbal ose fizik. Më i madhi ka tendencë të ngacmojë më të voglin, ta rrahë atë duke menduar së pari se “unë kam më shumë forcë fizike”. Ai gjithmonë mendon e thotë se “unë jam triumfuesi”.
– Mënyra e dytë është ajo e shmangies, që mund të shprehet në dy mënyra:
a. I madhi në marrëdhënie me të voglin mund të bëhet shumë i mirë (i nënshtruar, duke harruar zemërimin e agresivitetin)
b. Bëhet i regresuar, i vogël sa motra e vet dhe kërkon trajtim si i porsalindur, ose i vogël. Rol në këtë gjendje luan ambienti edukativ. Nëna është burimi i shpërblimeve dhe ndrydhjeve për të dy fëmijët. Nëna duhet t’u kushtojë të njëjtën vëmendje, dashuri e përkujdesje të dy fëmijëve. I madhi nuk duhet të mendojë se nëna e ka lënë pas dore. Shenjat xhelozuese shfaqen midis vitit të parë e të dytë të përkudesjes ndaj të voglit. Xhelozia shfaqet në mënyra të ndryshme, në varësi të moshës së fëmijës së parë. Fëmija i parë përdor shikimet dhe fjalët, ndërkohë që është më i madh, në raport me të voglin e lindur. Ai i shpreh ndjenjat e tij nëpërmjet fjalëve e gjesteve, për të fituar vëmendje nga e ëma. Thuhet se xhelozia midis fëmijëve të së njëjtës gjini është më e fortë, por pavarësisht vështirësive në raportet midis vëllezërve, këto tregojnë se këto raporte kanë vlerë për trajtimet e duhura. Edhe xhelozia motër-vëlla është e fortë si rezultat i ndryshueshmërisë së sjelljes së tyre me prindërit dhe e sjelljes së prindërve ndaj të dyve. Sepse prindërit nuk sillen njësoj si me vajzat, ashtu edhe me djemtë.
Advertisement