– Kam probleme me njollat kafe në lëkurë, sidomos në fytyrë kam shumë. Ju lutem, më thoni nga vijnë dhe si mund të trajtohen, sepse më shqetësojnë shumë. Jam përpjekur me kremra që janë për zbardhje, por gjer tani s’kanë pasur asnjë efekt, ndaj iu drejtova mjekëve tuaj. Faleminderit.
Dr. Albana Lufi, mjeke – dermatologe: – E kuptoj shqetësimin tuaj, ndaj po ju shpjegoj si më poshtë: Njollat kafe ose hiperpigmentimet janë një gjendje e zakonshme ku lëkura bëhet më e errët sesa lëkura normale rreth saj, si pasojë e prodhimit të tepërt të melaninës, pigmentit që është përgjegjës për krijimin e ngjyrës normale të lëkurës. Melanina prodhohet nga melanocitet në shtresën e poshtme të epidermës dhe është përgjegjëse për ngjyrën e lëkurës e të flokëve. Melanina shërben për t’u mbrojtur nga rrezet ultraviolet dhe gjendet e zhvilluar në mënyrë të ndryshme në trup. Rrezatimi ultraviolet stimulon aktivitetin e melanociteve dhe kur përqendrimet e tyre në zona të caktuara, janë më të dendura e shkaktojnë hiperpigmentime, pra, njollat kafe. Njollat mund të jenë të përhapura ose të lokalizuara kryesisht në fytyrë dhe në pjesën e kurrizit dhe të duarve. Njollat shfaqen si pasojë e dëmtimit të lëkurës pas kalimit të akne vulgaris, psoriasis, djegieve ose si pasojë e ekspozimit ndaj kimikateve të ndryshme, ose pas trajtimeve të ndryshme estetike të bëra nga persona me kualifikim jo të duhur. Kemi edhe njolla të moshës, të cilat bëhen më të theksuara me rritjen e moshës. 90 % e personave me lëkurë të bardhë mbi moshën 60 vjeç, njollat nuk i kanë direkt nga procesi i plakjes, por si pasojë e ekspozimit në diell. Kemi njolla kafe që shfaqen si pasojë e ndryshimeve hormonale te gratë shtatzëna ose te femrat që përdorin kontraceptivë. Por njollat shkaktohen edhe pas përdorimit të solucioneve zbardhuese të lëkurës. Edhe përdorimi i disa medikamenteve gjatë verës mund të shkaktojë shfaqjen e njollave në lëkurë. Ka raste që njollat janë të lidhura me një sërë sëmundjesh të tilla, si: Sëmundja e adisonit, cushing, Acanthosis nigricans, porfiria, infeksionet mykotike etj. Lind pyetja: Si të trajtohen njollat?
– Trajtimi i njollave nuk është gjithmonë i lehtë. Në disa raste, është më i lehtë parandalimi sesa mjekimi. Për të pasur një rezultat të mirë e të suksesshëm trajtimi, është e nevojshme së pari një analizë e detajuar e lëkurës dhe një anamnezë e kujdesshme. Ndaj është e domosdoshme konsulta me dermatologun, për të kuptuar mirë origjinën e problemit dhe zgjedhjen e duhur të skemës së trajtimit. Trajtimi i tyre përfshin përdorimin në vatrat hiperpigmentuese të medikamenteve lokale të tilla: hydroquinone, acidi jojic, alpha hydroxy acid, acidi azelaic, acidi askorbik dhe tretinoina. Procedura të tjera me efikasitet më të lartë janë edhe përdorimi lokal i kremrave, që përfshijnë mikrodermoabrazionin, peeling kimik dhe trajtimin me lazer. Për shembull, peelingu kimik është një procedurë që përdoret për të pakësuar dhe eliminuar rrudhat e sipërfaqshme rreth syve, gojës dhe në tërësi, të lëkurës së fytyrës. I trajton mjaft mirë njollat dhe hiperpigmentimet në lëkurë, lëkurën e plakur dhe me pamje të lodhur, shenjat e lehta dhe të mesme të akneve. Peelingu kimik, nëpërmjet aplikimit të solucioneve kryesisht acide në përqindje të ndryshme nga 30-70%, realizon eliminimin e qelizave sipërfaqësore të lëkurës dhe stimulon krijimin e një lëkure të re. Lëkura e re është më e lëmuar, më e butë, e shndritshme, me më pak rrudha. Procedura e peelingut kimik mund të shkaktojë më pas përkohësisht një skuqje të lehtë që zgjat zakonisht disa ditë, në varësi të përqendrimit dhe llojit të substancës se perdorur. Është një procedurë që aplikohet pas shtatorit deri në mars, pra, jo në periudhën e rrezatimit të fortë diellor. Peelingu kimik është një procedurë mjekësore dhe aplikohet nga mjeku dermatolog. Para fillimit të procedurës, merret një anamnezë e hollësishme në lidhje me tipin dhe ndjeshmerinë e lëkurës, alergjitë ose patologjitë e tjera në zonën ku do aplikohet. Për trajtimin e hiperpigmentimeve dhe shenjave të akneve, nevojiten 4 deri 6 seanca, me interval 2 javor. Për të ndihmuar në parandalimin e hiperpigmentimeve, rekomandohet përdorimi rregullisht i kremrave fotombrojtës me filtër të lartë. Mungesa e kremit fotombrojtës në periudhën e rrezatimit diellor, qoftë edhe në një ditë të vetme, mund të sjellë shfaqjen e hiperpigmentimeve, pra, njollave kafe në fytyrë.
Advertisement