– I nderuar instruktor, mua më mungon shumë energjia për të bërë ushtrime. Kam vullnet dhe dëshirë, sepse kam nevojë të bëj palestër, por sapo filloj ushtrimet, lodhem menjëherë, më ikën energjia. Çfarë na jep më shumë energji për t’i bërë ushtrimet normalisht?
Mario, instruktor: – Të ushtrohesh në palestër nuk do të thotë vetëm të bësh ushtrime me vegla, por të kesh kujdes edhe në të ushqyer dhe në shëndet, përgjithësisht. Të ushqyerit dhe hidratimi janë thelbësore, aq më tepër kur vendosni të merreni me ushtrime. Përpara se të shkoni në palestër, duhet të planifikoni kohën për të ngrënë dhe të pini mjaftueshëm lëngje, sepse trupi ka nevojë për energji dhe energjinë na e jep në radhë të parë ushqimi dhe hidratimi i mjaftueshëm. Sipas një studimi të veçantë, burimi kryesor i trupit për energji janë yndyrnat dhe karbohidratet. Nëse ju bëni ushtrime rregullisht, duke kaluar edhe 90 minutëshin, atëhere kini parasysh që këta dy përbërës të jenë kryesorë te ju dhe nuk duhet të mungojnë në menunë tuaj të të ngrënit. Duhet të ushqeheni sa më mirë. Nuk po ju them ta teproni në të ngrënë, por të jeni mjaftueshëm të ushqyer sidomos 1 orë e gjysëm ose 2 orë para stërvitjes dhe të pini ujë të paktën 1 litër e gjysëm-2 litra gjer në 3 litra në ditë, në varësi të ushtrimeve dhe fizikut tuaj.
– Ndoshta ju edhe ujë mjaftueshëm nuk pini dhe mungesa e tij sidomos gjatë stërvitjes, ju jep ato probleme që keni shfaqur edhe ju, ndërkohë që keni qenë duke u ushtruar. Mirëmbajtja e trupit në një gjendje plotësisht të hidratuar është thelbësore për trupin dhe shëndetin, sidomos nëse merreni me ushtrime. Nëse jeni të dehidratuar, do të keni reduktim të volumit të gjakut në trup dhe më pak lëngje të vlefshme për të formuar djersën. Dehidratimi redukton kapacitetin për të thithur oksigjenin në muskuj dhe aftësinë për të parandaluar mbinxehjen e trupit; të dyja këto kanë efekte, ndërkohë që bëni ushtrime në palestër apo kudo qofshi. Kështu, është e rëndësishme që të jeni plotësisht të hidratuar kur filloni ushtrimet dhe të pini ujë në sasi më të pakët, edhe gjatë kohës që ushtroheni. Të paktën të pini ujë çdo 15-20 minuta, ndërkohë që ushtroheni dhe uji është lëngu më i përshtatshëm për stërvitje, më shumë sesa pijet energjike për të cilat unë personalisht nuk jam shumë dakord. Bëj përjashtim vetëm për ata sportistë që merren me aktivitete të rënda sportive dhe kalojnë 90 minutëshin, ata edhe mund të marrin pije sportive si suplemente përveç ujit, që shoqërohen dhe me ushqime të vogla energjike.
– Një rëndësi të veçantë ka edhe marrja e ushqimeve dhe lëngjeve pas ushtrimeve. Nuk duhet të konsumoni menjëherë sapo keni dalë nga palestra. Mund t’i lejoni vetes ujë, një kafe, por jo me qumësht, ose edhe ndonjë frut të lehtë. Të paktën 1-2 orë nuk duhet të konsumoni. Më pas mund të hani darkën ose drekën normalisht, varet kur e bëni stërvitjen. Duhet t’i kushtoni vëmendje edhe shëndetit tuaj. Do t’ju këshilloja të bëni edhe një kontroll për diabet, tiroide apo ndonjë anomali tjetër shëndetësore e cila mund të jetë një shkak që ju jep këtë dobësi trupore dhe mungesë energjie.
Advertisement