Këngëtarja nga Kosova, Orhidea Latifi, apo siç njihet në art, me emrin Kida, që në paraqitjen e parë në publik me këngën e saj “Murder” të realizuar edhe me klip në një nga koncertet e DMX, arriti të joshë zemrat e publikut shqiptar me një shpejtësi marramendëse, duke grumbulluar rreth vetes mijëra fansa, sukses ky që vështirë të arrihet nga ndonjë këngëtare tjetër që në dalje të parë. Në një intervistë për gazetën “Intervista”, Kida shprehet se ky është veçse fillimi i sukseseve të saj në karrierën muzikore, se 2014-a do të jetë viti i saj dhe se, së shpejti, ajo do të lançojë këngën e saj të re, këtë herë, në shqip!
Fabjola Kuburi: – Për të gjithë ata që të kanë parë për herë të parë në klipin e sapolançuar “Murder”, kush është në të vërtetë Kida, përtej ekranit?
Kida: – Unë, aktualisht, ndjek studimet në Shkollën Amerikane të Kosovës. Muzikën e kam pasion dhe i përkushtohem me një seriozitet të jashtëzakonshëm.
– Në pamje të parë, ndërsa të sheh në “Murder”, nuk të jep përshtypjen e një vajze shqiptare… Ky ishte qëllimi që kishe kur vendose ta bëje në anglisht këngën e parë?
– Jo, qëllimi ka qenë të dal me një këngë në gjuhën shqipe, por për shkak të disa vonesave, unë, menaxheri dhe grupi me të cilin punoj, vendosëm që të performoj me “Murder”, këngë që është mirëpritur goxha nga publiku. Ju premtoj që së shpejti do të dal me një këngë në gjuhën shqipe.(Buzëqesh)
– Përsa i përket lukut në këtë video, na ke befasuar dhe të komplimentojmë. Sa gisht ke ti vetë në të?
– Të them të vërtetën, për imazhin tim, kujdesen shumë njerëz, duke filluar që nga stilistja ime Sarah Rexhepi Pula, e cila kujdeset për çdo detaj, ndonëse edhe unë vetë kujdesem për lukun, kurse për grimin është kujdesur EBC Cosmetics.
– Një gjë tjetër që bie në sy është edhe mënyra si kërcen. E ke patur të lehtë ta realizosh atë kërcim?
– Kërcimin nuk e kam problem sepse e kam ushtruar për gati 6 vjet me radhë, me koreografen Venera, nga grupi Get Up Dance Studio!
– Ky klip është realizuar gjatë koncertit të DMX, apo jo? Si u gjende në koncertin e tij?
– Po, ky klip është realizuar në një koncert të DMX dhe për këtë klip, që doli kaq i bukur, por edhe spontan, ishte ideja e menaxherit tim.
– Cili ka qenë momenti më i bukur gjatë xhirimeve të videoklipit?
– Momenti më i bukur ka qenë kur performova para një publiku shumë të madh, me rreth 3 mijë veta. Ishte një ndjesi e veçantë, që nuk e kisha provuar më përpara.
– Ka pasur shumë kritika që stili yt i të veshurit dhe ai i këngës, është shumë pranë atij të Rita Orës. Ti, si u përgjigjesh këtyre kritikave?
– Asnjëherë nuk ka qenë qëllimi im të dukem si Rita Ora, edhe pse më pëlqen shumë stili i saj. Faktikisht, ajo është një këngëtare plot talent e për t’u adhuruar dhe unë, si të gjithë shqiptarët, ndihem krenare për suksesin e saj. Përsa i përket stilit, Kida ka stilin e saj dhe nuk do të jetë kopje e askujt.
– A do të kishe dashur një sukses si ai i Rita Orës?
– E kush nuk do ta donte një sukses si ai i Rita Orës?! Do të ishte hipokrizi po të thoja jo!
– Cila është ëndrra jote më e guximshme në muzikë?
– Ëndrra ime më e guximshme në botën e muzikës është të jem në toplistat botërore.
– Mendon se do ta realizosh?
– Kam vetëbesimin dhe ekipin më të mirë rreth meje që do të më mbështesë deri në atë nivel ku dua të arrij.
– Megjithëse në skenë të njohim si Kida, ti ke një emër të bukur, Orhidea, emër luleje, apo jo? Pse nuk prezantohesh me të?
– Po, emri im i vërtetë është Orhidea, emri i një luleje të bukur, orkidesë. Do të vijë momenti kur do të prezantohem me emrin Orhidea (Kida), por se kur do të përdoret ky emër, e vendos menaxheri im.
– Ti, Kida, jeton në Prishtinë apo jashtë Kosovës?
– Po, jetoj në Prishtinë, në këtë kryeqytet të bukur.
– Më mirë të jetosh në Tiranë apo në Prishtinë?
– Për momentin, jetoj në Prishtinë, kurse në të ardhmen nuk i dihet, mund të jetoj edhe në Tiranë, sepse më pëlqen shumë Tirana. Gjithsesi, ia lëmë kohës më mirë… (Buzëqesh)
– Sa e afërt je me fansat e shumtë që ke nëpër rrjetet e ndryshme sociale?
– Mundohem t’u kthej përgjigje të gjithëve sepse ata janë më të vlefshmit për mua; më bëjnë të ndihem krenare për atë që di të bëj më mirë, të këndoj dhe të performoj, njëkohësisht. I falënderoj dhe këtë e kam bërë shpesh edhe nëpër komente në rrjetet sociale.
– Si është një ditë e jotja tani, pas suksesit të këngës tënde të parë?
– Pothuajse të gjithë ditën e kam të ngarkuar, sepse përveçse shkoj në shkollë, shkoj edhe në fitness e studio. Tani, jam akoma më e ngarkuar sepse janë shtuar ftesat për intervista nëpër emisione apo gazeta të ndryshme dhe, të mos anashkalojmë edhe ftesat nëpër klube të ndryshme, për të performuar këngën time.
– Çfarë do të ndryshoje te vetja?
– Jam shumë e kënaqur me veten time dhe nuk dua të ndryshoj asgjë.
– Në një status në profilin tënd në Facebook, ke shkruar: “2014 do jetë viti im, bëni mirë të xhelozoni që tani”. Për çfarë e ke patur fjalën?
– Viti 2014 do të jetë tërësisht viti im sepse do të sjell për publikun tim shumë këngë me stil dhe performancë të veçantë. Ky është veçse fillimi i sukseseve në karrierën time muzikore!
– Ka apo nuk ka një dashuri në jetën e Kidës?
– Në jetën e Kidës ka shumë dashuri për muzikën dhe ketë dashuri dua ta transmetoj te fansat nëpërmjet këngëve të mia.
– Si është Kida gjatë xhirimeve të një videoje? Je tip nervoz apo spontane?
– Gjatë performimeve dhe regjistrimeve të videove, shihet një Kida më ndryshe. Mundohem të jem 100% vetvetja që performanca ime të dalë sa më mirë.
– Synimi yt në fushën e artit përfshin vetëm muzikën?
– Për momentin, përkushtimi im shkon vetëm për muzikën sepse kjo më bën të mos merrem me gjëra të tjera. Do të shohim më vonë nëse do të ketë edhe vepra të tjera arti. (Buzëqesh)
– Kur do ta shohim këngën tjetër nga ti?
– Kënga ime e dytë do të dalë këtë muaj dhe do të jetë një bashkëpunim në shqip. Kaq mund t’ju them për momentin.
– Çfarë ndodh kur nxehet Kida?
– Kida ka principet e veta, por kam edhe njerëz afër që më ndihmojnë nëse nuk jam mirë.
– Sipas teje, kur quhet një mashkull i bukur? Po një femër?
– Për momentin, nuk po merrem fare me atë gjë, por të gjithë e dimë që bukuria vjen nga brendësia e njeriut, nga shpirti i tij.
– Kur dhe për çfarë ke derdhur lot për herë të fundit?
– Nuk e mbaj mend se kur kam derdhur lot për ndonjë gjë, të paktën, jo kohët e fundit.
– Ka shumë sekrete të fshehura në shpirtin tënd?
– Të gjithë kemi sekrete në shpirtrat tanë, por tek unë nuk janë me peshë të madhe sepse jam e re dhe nuk kam kaluar shumë në jetë që të kem sekrete të mëdhaja!
– Cila është pika jote e dobët?
– Pikë e dobët e imja është garderoba dhe të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me zbukurimin e imazhit tim!
– Si do ta përshkruaje veten me tri fjalë?
– E përkushtuar, e sinqertë dhe shumë pozitive!
– Si i ke raportet me kohën?
– Nëse e ke fjalën për kohën me diell apo me shi, unë e dua shumë diellin.
– Po me paratë?
– Jam fëmijë i vetëm, gjithmonë i kam pasur kushtet e mira e nuk më ka munguar asnjë gjë. Edhe me paratë, punët i kam pasur gjithmonë shumë mirë!
– Na sill pak kujtime të fëmijërisë tënde?
– Si fëmijë kam qenë shumë e gjallë dhe më donin të gjithë, sepse përshtatesha me të gjithë.
– Ke kënduar që fëmijë?
– Të them të vërtetën, nuk kam kënduar që fëmijë.
– Kur e sheh veten të martuar e me familje?
– Me siguri, më vonë. Tani, përpara kam karrierën dhe do t’i vijë koha edhe asaj çështjeje sepse për momentin jam shumë larg asaj, vërtet!
– Cilat janë tri vetitë e tua pozitive?
– Vendosmëria, sinqeriteti dhe të menduarit pozitiv.
Advertisement