– Cilat mund të jenë shkaqet e një dhimbjeje ose pakënaqësie gjatë marrëdhënieve seksuale? E bëj këtë pyetje sepse shoh që e dashura ime shpreh pakënaqësi në mimikën e saj dhe kur e pyes, më thotë: “Kam pak dhimbje”.
– Dhimbjet apo shprehjet e pakënaqësisë mund të vijnë nga shkaqe të ndryshme, që mund të jenë fizike ose edhe psikologjike. Shkak fizik mund të jetë kontraktimi i muskujve të vaginës ose ndonjë infeksion i brendshëm. Në raste të tilla, nuk duhet të bini në panik; mjafton një kontroll gjinekologjik dhe gjithçka zgjidhet. Mund të jetë shkak psikologjik, emocional, që vjen nga ndonjë ankth i brendshëm që ka partnerja juaj ose ngaqë është e ndrojtur. Në këtë rast, nuk duhet ta akuzoni, thjesht jini më i ngrohtë me të dhe pyeteni se çfarë e shqetëson. Kështu, gjithçka mund të rregullohet.
– Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj jam një burrë 40 vjeç. Problemi im është ky: Para disa muajsh kisha një jetë të rregullt seksuale me bashkëshorten, kryenim marrëdhënie pothuajse çdo ditë, por kohët e fundit, vetëm një herë në javë dhe ftohja është prej saj. Unë kam dëshirë, por ajo nuk është e gatshme. Është 34 vjeçe. Si mendoni ju, cilat janë arsyet e ftohjes së saj?
– Mund të ketë shumë arsye, mund të jenë arsye psikologjike, shpirtërore, fizike, shëndetësore, stresi, puna, familja etj. E rëndësishme është që ju ta pyesni drejtpërsëdrejti se çfarë ka, mos ka ndonjë problem shëndetësor a ka ndonjë stres, përse ndihet e tërhequr. Këto biseda duhet t’ia bëni në formë miqësore, si shok, si një bashkëshort shumë i dashur, por jo duke e vënë para përgjegjësisë sepse shpeshherë, janë femrat ato që kanë më shumë ngarkesë emocionale, fizike apo përgjegjesi, të cilat sigurisht ndikojnë edhe në uljen e dëshirës për seks. Te femrat ndodh ndryshe nga meshkujt, të cilët mund të kenë shumë strese, por përsëri dëshira për seks rrallë u ikën. Pasi të bisedoni dhe të mësoni arsyen, mund ta zgjidhni bashkarisht ose te një mjek nëse ka nevojë për vizitë mjekësore.