Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Pse jam vazhdimisht i mërzitur?

– I nderuar Dr. Demiri, dua një përgjigje më shumë për veten time. Nuk më mungon asgjë e megjithatë, ndihem i mërzitur. Me siguri, të tjerët do të donin që të ishin si unë, por nuk janë e megjithatë, shumë prej tyre janë më të gëzuar se unë. Po ashtu, shoh shumë njerëz të mërzitur, sidomos të rinj dhe më është bërë si obsesion që të gjej se pse. Ju lutem, më ktheni një përgjigje: Pse shumë njerëz ndihen të mërzitur? Me respekt, Toni.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – I nderuar Toni, për të mësuar se përse ti ndihesh i mërzitur, do të duhej të të bëja tri teste: 1. Atë të deprimimit, 2. Të ankthit 3. Të mënyrës së të menduarit. Analiza psikologjike e këtyre tri testeve, nxjerr të vërtetën nëse ke sadopak depresion, ankth, apo mënyra të të menduarit “katastrofizues”, që duhen rregulluar. Mos u çudit, ne psikologët argumentojmë se nuk kanë aq rëndësi ndodhitë në vetvete, pasi më shumë rëndësi ka mënyra se si ne i mendojmë ato, rëndësia që u japim ndodhive. Por, meqë ti më pyet në tërësi se përse shumë njerëz ndihen të mërzitur, edhe unë do të flas duke përmendur në aspektin psikologjik, ca nga arsyet më kryesore:

  1. Fëmija i brendshëm.

Çdo njeri, në çdo moshë, ka edhe pjesën prej “fëmije” brenda vetes. Fëmija si fëmija, do përkëdhelur e llastuar, por shumë njerëz nuk e bëjnë këtë, pra, nuk e duan fort këtë “fëmijë” që është vetvetja, gjendja shpirtërore. Sa herë shoh njerëz të mërzitur, më vjen t’u them: “Kujdes, ke lënë në rrugë “fëmijën” tënd dhe të tjerët po ta masakrojnë”. Vazhdimisht kam shkruar se çdo njeri duhet ta mbajë vetë në dorë gjendjen e vet shpirtërore, të mos e lërë atë të bjerë, të mos na bëhet si zakon i keq mënyra që veç mërzitemi dhe kërkojmë nga të tjerët, pasi mërzitja na i bllokon fuqitë dhe aftësitë, kurse të tjerët, kushdoqofshin ata, një ditë ose do të vdesin e s’do t’i kemi më (si për shembull, prindërit), ose mund të na braktisin… Pra, mbajeni mend: Ajo që s’na braktis kurrë është vetvetja!

Advertisement

  1. Dëshira për perfeksion

Shumë njerëz janë rritur me dëshiren për perfeksion dhe me frikën ndaj gabimeve e të metave. Por, po të ishim të pagabueshëm, ne nuk do të kishim vend në këtë planet. Edhe vetë pejgamberët kanë qenë të gabueshëm. Mania vetëm për të gjetur të meta te vetja dhe te të tjerët mund të na kthehet në obsesion dhe pastaj, e gjejmë gjithmonë diçka për t’u mërzitur. Edhe kur punët na shkojnë mbarë, s’jemi të qetë, sepse shqetësohemi për problemet e së nesërmes, pra, kërkojmë perfeksion e siguri të tepruar. Bëhemi të ndjeshëm e shumë të ndikuar nga të tjerët e të metat, i vuajmë gabimet e të tjerëve deri ngjarjet që ndoshta s’kanë lidhje me ne. Mos u çudit, më kanë thënë ca gra se deri edhe vetëvrasja e Bihterit te telenovela: “Dashuri e ndaluar”, i ka bërë ato të ndihen të mërzitura. Eh, këto telenovelat, me ato ngjarjet shto ujë e shto miell, jo vetëm që krijojnë varësi, por edhe i trembin njerëzit me dramacitetin e tepruar kur njeriu i mbindjeshëm e që nuk përballet sa duhet me jetën jashtë, vazhdimisht thotë me vete: “Ja, se ç‘ndodh!”. Çdo gjë ndodh, deri në shkëputje nga realiteti, i cili tashmë quhet shumë i frikshëm.

  1. Abuzimi me substancat

Shumë njerëz, duke dashur ta ngrenë disi gjendjen shpirtërore, përdorin alkool, duhan, shumë kafe apo drogëra farmacie, krijojnë varësi prej tyre dhe nuk e kuptojnë se alkooli e duhani jo vetëm që shtojnë ankthet, por me kalimin e kohës, mund të shtyjnë në shfaqje depresioni e në varësi të keqe. Të vjen vërtet shumë keq kur sheh goca të reja apo gra të bukura me cigaret që i thithin gjithë qejf sikur të duan të afrojnë plakjen, sëmundjet apo vdekjen. Disa shkojnë në farmaci e marrin ilaçe pa recetë, kur edhe kurat bimore apo terapitë e ëmbla unë nuk ua jap pa konsultë, pasi edhe ilaçet 100 % bimore e pa asnjë efekt anësor, nuk janë si ujët e burimit, plus që kushtojnë nga ana financiare. Të marrësh ilaçe të tepruara, do të thotë ta blesh të keqen me para…

  1. Mungesa e dashurisë dhe e seksit

Shoh shumë raste kur njerëzit janë lidhur duke e kujtuar seksin për dashuri, ose janë të dashuruar, por nuk përshtaten seksualisht. Në të dyja rastet, kemi të bëjmë me iluzionet e ndjenjave dhe të ndjesive. Kjo është edhe arsyeja pse mbi 30 % e grave nuk arrijnë në orgazëm, kur në botën e kafshëve nuk ka asnjë rast që femra të mos e arrijë këtë gjendje shumë të rëndësishme nga e cila përfitojnë shumë shëndeti, psikika, shpirti, organet dhe e tërë gjendja shpirtërore. Dashuria dhe seksi përhapen domosdoshmërisht dhe shumë njerëz, sidomos të rinj, ose nuk janë në gjendje t’ia sigurojnë vetes ato, ose ia sigurojnë në ca mënyra të gabuara si “ç‘të dalë përpara” ose sipas tipit Don Zhuanesk apo fenomenit “Bovarizëm”. Nëse nuk jemi në gjendje ta fitojmë dashurinë e të tjerëve, duhet të bëjmë një analizë dhe të shohim se çfarë nuk shkon. Analiza bëhet te psikologu, i cili ndër të tjera, na mëson se shumë vetë e kërkojnë dashurinë nga të tjerët në vend që ata ta bëjnë përpjekjen që ta fitojnë e meritojnë atë. Mungesa e seksit në moshë të rritur është një boshllëk e dëm siç mund të jetë edhe tejskaji tjetër, seksi i tepruar si ndonjë lloj sporti ose varësia nga seksi. Seksi i tepruar nuk të lë të “sublimohesh”, pra, që energjitë e tua t’i harxhosh më shumë për punë, krijimtari etj. Mungesa e seksit, edhe më keq…

  1. Inkurajimi i gabuar

Ç’është kjo? Na kanë sjellë disa prindër në fakultetin e psikologjisë ca fëmijë që s’janë për psikologë, nuk kanë atë që quhet IQ (koeficient intelekti) dhe nuk mund të bëhen psikologë, edhe pse lodhen e përpiqen shumë. Kështu, ata, duke dashur të arrijnë nivele të pamundura, të inkurajuar gabimisht edhe nga prindërit, mund të thyhen dhe të zhyten në depresion. Fenomeni psikologjik “inkurajim i gabuar” gjendet më shpesh te biznesmenët. Çdo biznesmen, edhe pse mund të ketë fitim ditor aq sa marrin në një muaj punonjësit e tij, mund të trembet sadopak nga rënia, pasi të tjerët e shohin atë gjithmonë në ngjitje dhe ai vetveten po ashtu, ndaj nuk i lejohet aspak zbritja, rënia. Ndaj të vjen për të qeshur kur punëtori i tij i gëzohet asaj rroge të vogël, kurse ai nuk i gëzohet një fitimi të madh vetëm sepse ky fitim nuk është ai që ishte më parë. Ndaj ne psikologët themi që secili duhet të ecë sipas mundësive të tij, pse jo, edhe me pasiguritë e tij dhe të mos bëjë krahasime, por të kënaqet me ato që ka dhe që arrin. Nëse ne nuk kënaqemi me ato që kemi, nuk do të kënaqeshim as me ato që do të donim të kishim.

  1. Mungesa e kushteve të jetesës, e punës, etj.

Shumë njerëz, në vend që të bëjnë gjithçka për t’i siguruar vetes kushte jetese, punësimi e profesioni etj., arrijnë e qahen ose bëjnë bla bla bla nëpër klube. Që të arrijmë qëllimet tona, duhet të kalojmë atë që ne psikologët e quajmë “zona e dhimbjes”. Duke qenë pasivë dhe inertë, asgjë nuk mund të arrijmë. Kur dikush niset për emigrim apo nis një shtëpi, krahas urimit “rrugë e punë të mbarë” unë i jap edhe këshillën: “Bëhu pak “katil” i vetes”. E kuptoni vetë, sepse rehatia s’të sjell asgjë. A nuk thotë populli, “mbaj e mos u qaj”? Shumë të rinj, në vend që të studiojnë e të përgatiten për të ardhmen, kanë prirje për lojëra e qejf, duke e çuar dëm kohën, e cila është vërtetë shumë e çmuar. Mosha e rinisë është mosha më e bukur, kur njeriu duhet të përgatitet për jetën e ardhme, mirëpo duke mos u përgatitur e duke i gjuajtur me “top” paratë e prindërve për të bërë qejf, ata mbeten si peshku në të thatë, nuk kanë aftësitë e duhura për të krijuar kushte jetese bashkëkohore, nuk janë në gjendje të gjejnë apo të mbajnë një punë dhe në mënyrë të pashmangshme, thyhen… Kujtoni fabulën “Gjinkalla dhe milingona”… Shumë njerëz, pasi vijnë te psikologu e bëjnë një analizë të saktë, fitojnë edhe 5 mjetet psikologjike për të shndërruar jetën e vet në besim, kurajo, rezultate e krijueshmëri, që do të thotë: Lumturi.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Amina, vajza bjonde e "Ca thu?!": Më ngacmojnë të dy...

Next Post

Pyetje-përgjigje për seksin…

Advertisement