Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

A ju binden fëmijët?

Hajde të hash, vër nëpër vende lodrat, laj dhëmbët! Këto urdhëra banale, të shqiptuara pothuajse çdo ditë nga prindërit, nuk kanë të njëjtin efikasitet në gojën e të gjithëve. Disa nuk kanë fare nevojë t’u kërkojnë fëmijëve të binden, mjafton një shenjë koke, ose një gjest, që fëmijët të bëjnë atë duhet, pa u ankuar. Ky quhet autoritet i natyrshëm. Ka të tjerë pastaj që përsërisin të njëjtin urdhër me dhjetëra herë, me tone të ndryshme, urdhëra që nganjëherë zbatohen, po jo gjithmonë… Që të të binden fëmijët, duhet ta ndjesh këtë nevojë si të ligjshme, të kesh besim në vetvete dhe të dish t’u imponohesh atyre, gjë që nuk është kaq e thjeshtë! Po ju dini ta bëni apo jo?

1. Fëmija i fqinjit përplaset me ju në shkallë dhe largohet me vrap, pa kërkuar falje.
a. Fëmijë është, nuk ka problem…
b. “Çfarë mungese edukate!”, mendoni ju.
c. Sapo ta shoh, do t’i them se çfarë mendoj.
d. “Çfarë bën kështu, mor djalë! Bëj pak kujdes”, i bërtisni ju.

2. Në autobus, një nënë qorton vajzën e saj të vogël, gjithë kohën dhe për gjithçka. Ju:
a. Përpiqeni të diskutoni me nënën për t’i marrë mendjen.
b. Ndërroni vend.
c. I buzëqeshni vajzës
d. Zhyteni në librin që po lexoni dhe bëni sikur nuk shihni dhe dëgjoni gjë.

Advertisement

3. Kur duhet të flenë fëmijët nën 10 vjeç, në fundjavë:
a. S’ka rëndësi kur flenë, mjafton të plotësojnë orët e gjumit.
b. Kjo ndryshon nga njëri fëmijë te tjetri.
c. Mund të flenë më vonë, por pa e tepruar.
d. Njësoj si në ditët e tjera të javës.

4. Ka disa ditë që vajza juaj 13 vjeçare e mbyll derën e dhomës së saj me çelës:
a. Normale, adoleshentët kanë nevojë për intimitetin e tyre.
b. Çfarë fsheh ajo? Ju i hidhni një sy dhomës kur ajo nuk është aty.
c. Para se të reagoni, ju i lini pak kohë. Mbase nuk do të vazhdojë gjatë.
d. Nuk e lejoni dhe i merrni çelësin.

5. Ajo është 14 vjeçe dhe ka blerë një mi të bardhë, të cilin e mban në qafë dhe e vë të flerë në këmbët e krevatit.
a. Nëse ajo kujdeset vetë për të, nuk jeni kundër.
b. Çfarë shijeje! Por, do t’i kalojë, si shumë gjëra të tjera.
c. I lini disa ditë për t’u ndarë nga kjo kafshë e vogël. Pastaj, le të zgjedhë një tjetër!
d. Çfarë tmerri! Ta çojë aty ku e mori, pa diskutimin më të vogël!

6. Ajo është 15 vjeçe dhe vjen në shtëpi me një pirsing në vetull, gjë që ju ia kishit ndaluar:
a. Ajo që u bë, u bë. Jeni i/e pakënaqur, por nuk do ta bëni situatën tragjike.
b. E pyesni se kush ka guxuar t’i bëjë këtë pirsing pa lejen e prindërve. Skandaloze!
c. Ajo do të dënohet për këtë gabim
d. Do ta detyroni ta heqë që nesër!

7. Një fëmijë 8 vjeçar është në moshën kur mund të:
a. … çojë në lavaman pjatën e vet
b. …japë një ndihmë në ditët kur nuk ka shkollë.
c. …ndihmojë kur ia kërkojnë këtë.
d. …ndihmojë për të shtruar dhe ngritur tavolinën në çdo vakt.

8. Jeni ftuar te disa miq. Djali i tyre 3 vjeçar hipën gjithandej dhe ngacmon të gjitha gjërat për qerasje:
a. Normale, do t’i kalojë me moshë…
b. Ju vjen keq për këta prindër të shkretë që nuk kanë asnjë minutë qetësi.
c. I kërkoni me mirësjellje të rrijë pak i qetë.
d. Ç’mungesë edukate! Më vonë do t’ia dëgjojnë muzikën…

9. Tri herë e keni thirrur djalin tuaj 8 vjeçar të vijë të hajë drekë:
a. E thërrisni prapë; ai duhet të jetë i zënë.
b. Aq më keq për të, do ta hajë gjellën të ftohtë
c. Nëse nuk vjen menjëherë, e sheh ai pastaj…
d. Shkoni e merrni për veshi.

10. Ai është 10 vjeç dhe ende nuk i ha perimet:
a. Nëse gëzon shëndet të mirë, nuk ka problem, do t’i hajë më vonë.
b. Kjo ju shqetëson, ai rrezikon të ketë mungesa
c. Ju bëni pazar. Për shembull, nëse do patate të skuqura, le të hajë pak perime me parë.
d. Kjo nuk rrezikon t’ju ndodhë, pasi fëmijët tuaj i hanë të gjitha.

11. Ajo është në klasë të gjashtë dhe ka ndryshuar dy nota në dëftesë:
a. Nëse ajo e pranon, ju e qortoni dhe kaq…
b. Kjo flet keq për të ardhmen! Ju jeni i/e shqetësuar.
c. Ju doni të kuptoni pse e ka bërë ajo këtë… Kaq frikë ka prej jush?
d. Është serioz falsifikimi i notave! Do t’ia hiqni ju këtë zakon!

12. Mendoni se fëmijëve u duhet dhënë një pagë e vogël javore?
a. Sa më shpejt të mësojnë t’i menaxhojnë lekët e tyre, aq më mirë
b. Kjo i bën të ndjehen mirë, pasi i blejnë me lekët e tyre gjërat që duan.
c. S’ka asnjë interes para nëntëvjeçares.
d. T’i shpërblesh me para, do të thotë t’i prishësh.

13. Sa herë që hap kompjuterin, djali juaj 13 vjeçar, kontrollon e-mailin tuaj:
a. Do t’i kalojë… Pastaj, ju nuk keni gjë për të fshehur.
b. Edhe ju të njëjtën gjë bëni, shihni faqen e tij të Facebookut.
c. E pamundur, ai nuk e di kodin tuaj të hyrjes.
d. E papranueshme! Kjo nuk është punë e tij.

14. Vajza juaj 14 vjeçare, boshatis kutinë e biskotave, pa u shqetësuar për pjesëtarët e tjerë të familjes:
a. Nuk është kaq e rëndë, në të gjitha familjet kështu ndodh.
b. Ky lloj egoizmi ju çmend fare.
c. Pa dyshim që ajo ka uri, duhet kuptuar.
d. Ju i vini çelës, apo i fshihni gjëkundi.

15. Cili nga këto mendime ju duket më i drejtë për fëmijët e vegjël:
a. Shpullat janë të ndaluara.
b. Më mirë një shpullë në të pasme, sesa një dënim i vështirë për t’u mbajtur
c. Disa fëmijë, për të kuptuar, kanë nevojë nga një shpullë në të pasme, disa, jo.
d. Një shpullë herë pas here është e paevitueshme.

16. Çfarë mendoni ju për vënien e kompjuterit në dhomën e fëmijëve?
a. I domosdoshëm në ditët tona, sidomos duke filluar nga nëntëvjeçarja.
b. Ju nuk jeni shumë dakord, por në fund, dorëzoheni…
c. Është një çështje besimi, me orar dhe nën kontrollin e prindërve, ndryshe, jo.
d. Kurrë, për arsye të ndryshme!

17. Ju ktheheni vonë në shtëpi dhe në një cep të rruge shihni disa fëmijë 10-12 veçarë që po zhgarravisin një makinë:
a. Ju vjen keq për ta. Të shkretët, nuk është çudi që bëjnë këto gabime, kur i lënë kaq vonë jashtë.
b. Kaloni shpejt, duke bërë sikur nuk i shihni
c. I pyesni se çfarë janë duke bërë.
d. Lajmëroni policinë sapo shkoni në shtëpi.

Rezzultatet
Nëse keni më shumë a. E keni të vështirë të impononi autoritetin tuaj.
Duhet pasur kujdes me autoritetin. Sa teprime bëhen në emër të këtij nocioni të ashtuquajtur të respektueshëm? Ju shihni shembuj të kësaj çdo ditë, ama mendoni se një fëmijë mund ta rrisësh edhe pa i dhënë gjithë kohën urdhëra dhe pa i thënë «jo» çdo pesë minuta. Edhe në moshën 2 vjeçare, ata kanë të drejtat e tyre. Sigurisht, duhet vepruar në përshtatje me moshën dhe duke mos i vënë në rrezik. Sipas jush, mund të diskutosh me fëmijën dhe të mos i imponosh asgjë, në mënyrë arbitrare. Kjo është një mënyrë për të zgjuar tek ata shijen e lirisë.
Mënyra juaj e të menduarit është e argumentuar dhe mbështetet te vullneti i qartë e i vendosur për të mos u treguar si komandant/e. Mbase ju keni ndjesinë se jeni viktimë e kësaj gjëje në jetën tuaj. Mbase keni përshtypjen se duan t’ju fusin në një formë (ashtu si futin çelikun e shkrirë), ose t’ju imponojnë norma që nuk ju përshtaten vërtet? Kujt dhe për çfarë nuk doni të bindeni ju personalisht? Kjo është pyetja që duhet t’i bëni vetes.
Megjithatë, me fëmijët kujdesuni të mos kalojnë disa limite dhe të mos tundohen për të shkëmbyer rolet, duke u treguar autoritarë kundrejt jush. Disa fëmijë janë shumë të zotë për t’i bërë prindërit t’u binden, pa rënë në sy… Kujdes!

Nëse keni më shumë b. Autoritet i pranuar me vështirësi
Ah, sikur të mos kishit nevojë për të treguar autoritetin tuaj, sa e lehtë do të ishte! Sinqerisht, orët e kaluara duke u përpjekur të detyroni një fëmijë «të bëjë këtë apo atë» ju duken të lodhshme dhe jo shumë zbavitëse. Kjo është një anë e edukimit që ju lodh, por është e detyrueshme. Atëhere, ju mundoheni t’i thoni derrit dajë ngaqë s’keni ç’të bëni. Megjithatë, kjo gjë bie në sy, juve ju mungon nganjëherë bindja dhe fëmijët, sigurisht, e kuptojnë këtë, gjë që i shtyn të «bëjnë pazar» me urdhërat tuaja. Meqë ju nuk keni dëshirë të debatoni me ta, ata përfitojnë dhe meqë ju kërkoni t’ju binden, tratativat bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe të vështira. Pse nuk i jepni rëndësi autoritetit tuaj? Mbase kjo fsheh një lloj frike se fëmijët nuk do t’ju duan nëse shkoni kundër vullnetit të tyre. Mbase kjo u referohet momenteve të fëmijërisë suaj, ku keni dyshuar për dashurinë e njërit prej prindërve. Kjo mund të lërë disa gjurmë që dalin në dritë kur bëhesh vetë prind. Kujdes që fëmija juaj të mos ndjejë bezdinë tuaj për të përdorur autoritetin. Nëse ai ndjen vështirësinë tuaj për t’u imponuar, rrezikon të luajë dhe të tallet me ju. Mos hezitoni të kërkoni herë pas here mbështetjen e parnterit/es, ose edhe të një shoku/shoqeje.

Nëse keni më shumë c. Autoritet i maskuar
Për ju, një gjë është e sigurtë: Me fëmijët duhet të tregohesh elastik/e. Megjithëse jeni i/e bindur se është e pamundur të edukosh pa përdorur autoritetin, ju doni të impononi një disiplinë inteligjente, të moderuar dhe elastike. Duhet të dish të dëgjosh, të përshtatesh dhe në fund, të përpiqesh të imponohesh, por pa luajtur rolin e shefit që imponon rregullat e tij. Autoriteti i pastër dhe i egër ju lëndon në shpirt. Ju preferoni të përdorni një strategji më fine dhe të keni besim në forcën tuaj bindëse. Keni të drejtë, sepse, në më të shumtën e rasteve, ju i arrini qëllimet tuaja duke gjetur argumente dhe shpjegime që i shtyjnë fëmijët në rrugën e bindjes. Në realitet, bëhet fjalë për autoritet, por ai është më i kamufluar dhe bie më pak në sy. Mbase në rini keni pasur përshtypjen se ju kanë drejtuar dhe dominuar me tepri? Sikur nuk ju kanë marrë shumë në konsideratë ose dëgjuar, ndërkohë që kishit gjëra për të thënë? Mbase do të ishte mirë për ju ta diskutonit këtë temë me anëtarët e familjes suaj, prindërit, vëllezërit dhe motrat, për të kuptuar më mirë atë që keni përjetuar dhe çfarë doni t’i transmetoni brezit të ardhshëm. Është një sqarim që nganjëherë mund të jetë shumë interesant dhe i dobishëm.

Nëse keni më shumë d. Autoritet i padiskutueshëm
Roli i prindit nuk ka vetëm anë të këndshme, herë pas here duhet pranuar ideja se përballja është e nevojshme. Të gjithë fëmijët, të vegjël apo të mëdhenj, në një moment të caktuar, refuzojnë t’i binden disiplinës së imponuar dhe luajnë: “kush e ka krahun më të fortë”. Është normale të mos pranosh të bindesh me sy mbyllur. Ju e dini këtë nga eksperienca. Edhe ju keni qenë dikur fëmijë, por ata kanë nevojë për limite për të ecur përpara në jetë me siguri dhe për këtë, jeni i/e bindur. Ju duhet t’u fiksoni atyre rregulla dhe t’i vini t’i zbatojnë. Ju ia dilni mbarë kësaj, sepse autoriteti juaj ju duket njëkohësisht i ligjshëm, i pashmangshëm dhe i nevojshëm. Prindi është shefi, kjo hierarki është e padiskutueshme dhe ju nuk e vini në diskutim. Ka disa të vërteta si kjo, me të cilat jeni i lidhur dhe nuk keni dëshirë t’i kundërshtoni. Juve ju pëlqen t’i keni këmbët e mbështetura në baza të forta dhe të qëndrueshme, nuk ju pëlqen aspak të ecni qorrazi. Pastaj, si do të ishte bota pa rregulla? As që doni ta mendoni këtë. Mbase ju keni frikë ta lini të lirë personalitetin tuaj të zjarrtë dhe të pakontrollueshëm…
Për të mos u ndjerë si një robot, përpiquni nganjëherë t’i lejoni vetes momente lirie «gati» totale, ku nuk ndjeheni i/e detyruar për t’iu bindur, as të tjerëve, as vetes suaj, thjesht, duke ndjekur instiktin tuaj. Kështu, mund të merreni me aktivitete krijuese, ose thjesht të kaloni disa orë të lira, për kënaqësi, pa orare, apo shtrëngime.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Av. Drn. Alban Duraj: A jemi të rrezikuar nga përgjimet?

Next Post

Patëllxhani, historia dhe dobia e tij.

Advertisement