Jo vetëm për këngën, por edhe për shumë gjëra të tjera të jetës së saj personale dhe profesionale, Arta na dha kënaqësinë të realizojmë intervistën e mëposhtme… Lexim të këndshëm!
Fabjola Kuburi: – Arta, kur e kuptove që je bërë një ndër këngëtaret më të suksesshme në muzikën shqiptare?
Arta Bajrami: – Faleminderit për vlerësimin! Që dua të këndoj, e kam kuptuar që e vogël, por që di të këndoj, e zbulova kur publiku im më duartrokiti për herë të parë. Ndërsa karriera ime, e cila vazhdon prej 15 vjetësh dhe njeh vetëm të përpjeta, e dëshmon suksesin tim.
– Balada e shumëpritur “Nuk prish punë”, erdhi. Na trego rrugëtimin që ndoqi kjo baladë…
– Vëllai im, Don Arbas, erdhi dhe më tha se ishte inspiruar për një vijë të re melodike. Tha se i kishte buruar thellë nga shpirti dhe se mund të më paramendonte vetëm mua duke e kënduar këtë melodi. E dëgjova demon dhe i thashë: “Kjo këngë është e imja!”.
– Ku mbështetesh ti?
– Vëllai dhe bashkëshorti janë dy shtyllat pa dyshim më të rëndësishme në karrierën time, por inspirimi tani vjen edhe nga vajza, familja ime e kështu me radhë!
– Për të patur sukses mjafton talenti apo duhen edhe bashkëpunimet e duhura?
– Talenti është elementi më i rëndësishëm, por për të bërë një hit, duhet bashkëpunim autorësh. Nëse ky bashkëpunim mungon, talenti mbetet i pazbuluar.
– Cilën këngëtare femër mund të zgjidhje për një bashkëpunim?
– Nuk e kam menduar, t’ju them të drejtën dhe nuk di se me cilën nga këngëtarët do përshtateshim. Femrat sikur janë më të komplikuara për bashkëpunim.
– E konsideron veten njeri me fat?
– Sigurisht që po. Falënderoj Zotin që më ka dhënë gjithçka që kam.
– Viktoria besoj se është rritur… Na trego si ka ndryshuar përditshmëria me të?
– Viktoria tani ka filluar të mësojë gjithçka dhe të interesohet për gjithçka. Do të gatuajë, do të qëndisë dhe gjithçka tjetër që bëjnë të rritrurit. Ajo ka sjellë një frymë dinamike në shtëpinë tonë.
– Për çfarë do të doje ta ndaloje kohën?
– Nuk do të doja ta ndaloja kohën. Besoj se bota do të kalonte në një monotoni të paparë po të ndalej në një moment të caktuar.
– Sipas teje, shprehja “Qëllimi justifikon mjetin” vlen në çdo rast?
– Jo në çdo rast qëllimi justifikon mjetin. Për shembull, duam të arrijmë kulmin në karrierë, por për të arritur atë, duhet të bëjmë edhe gjëra që s’i lejon ligji apo morali. Në këtë rast, nuk vlen shprehja e mësipërme.
– Ia vlen çdo lloj sakrifice për muzikën?
– Varet se çfarë nënkuptohet me çdo lloj sakrifice. Ka shumë gjëra që thjesht nuk bëhen, jo për muzikën, por për asgjë.
– Çfarë do të quhej mrekulli në këto momente?
– Të bëheshin trojet shqiptare të pasura si Zvicra.
– Ndodh ta gdhish të gjithë natën?
– Ndodh shpesh, me vajzën.
– Më e mirë dita apo nata?
– Dita mjafton për gjithçka. Njeriu ka nevojë edhe për qetësinë e natës.
– Ke pasur shqetësime nga fama?
– Nuk kam përvoja negative nga fama.
– Të tundon më shumë fama apo pasuria?
– Asnjëra nuk ma prish qejfin. Po të mos donim famë, do të mjaftoheshim duke kënduar në shtëpi, ndërsa paraja ta bën jetën më të lehtë.
– Çfarë do t’u thoje atyre këngëtareve që mendojnë se bukuria të hap çdo derë?
– Bukuria hap vërtet shumë dyer, por jo çdo derë. Shfrytëzoni momentin pasi të hapni një derë, por kini kujdes që të mos përfundoni nga dritarja.
– Si është e përditshmja jote në Kosovë? Po jashtë saj?
– Nuk dallon shumë nga ajo e të tjerëve. Kam një familje për të cilën duhet kujdes dhe kam një karrierë që kërkon punë e kohë. Sfida më e madhe është të gjej balancën mes këtyre të dyjave, sidomos kur më duhet të udhëtoj.
– Cilat janë gjërat që e bëjnë një person interesant në sytë dhe në mendjen tënde?
– Karakteri i fortë dhe një mendje e ndritur.
– Veten e konsideron më tepër një femër delikate apo të fortë?
– Varet nga situata, por sidoqoftë, nuk mposhtem dot.
– Çfarë të bën të ndjeshme?
– Familja, shëndeti i të afërmve, fëmijët dhe pleqtë e braktisur!
– Kur acarohesh, kujt ia nxjerr inatin?
– Vetëm atij që më acaron.
– Për çfarë je penduar kohët e fundit?
– Nuk më kujtohet të jem penduar për diçka kohët e fundit.
– Nëse do të të dhuronin një këngë, nga kush do të doje ta merrje këtë dhuratë?
– Pa përjashtim, nga të gjithë ata që më duan!
– A mund të themi se Arta po jeton jetën që ka ëndërruar?
– Definitivisht. Çfarë do një njeri më shumë se kaq? Martesë të lumtur, vajzë të shëndoshë, familje, karrierë.
– Çfarë mbetet ende sfidë për ty?
– Sfida ime e ardhshme është ta rris vajzën siç u rrita vetë: Me dashuri, edukatë dhe përkujdesje prindërore.
– Diçka që e ke zbuluar së fundi te vetja dhe që nuk e dije deri më sot?
– Nuk ka ndodhur akoma diçka që do të më bënte të vë veten në tekst dhe të zbuloja një anë timen që s’e njoh.
– Çfarë të ka ofruar më tepër siguri në jetën tënde?
– Bashkëshorti, sigurisht. Ndihem e mbrojtur në çdo aspekt.
– Ndodh t’i thuash vetes “Arta, je në majë!”?
– Ndodh shpesh të dëgjoj se jam në kulmin e kulmeve, prandaj nuk kam nevojë t’ia them vetes.
– Deri tani të kemi parë më shumë të shfaqesh me balada, të pëlqyera të gjitha. Do të të shohim edhe me këngë ritmike apo do të ruash këtë linjë?
– Shumica e këngëve të mia janë ritmike dhe pothuajse të gjitha kanë qenë hite, por siç duket, baladat e mia të fundit, janë pëlqyer aq shumë saqë krijohet përshtypja se baladat janë specialiteti im.
– Ndodh të jesh gjithmonë e kënaqur nga vetja? Kur jo?
– Nuk preferoj të kënaqem me veten shumë lehtë sepse mendoj se autokënaqësia vret kreativitetin e dëshirën për të ardhur secilën herë më e mirë dhe më e freskët.
– Nëse një projekt nuk shkon ashtu siç do ti, e rinis edhe njëherë nga fillimi apo e lë fare?
– Projektet e mia duhet të shkojnë ashtu siç unë dua, aty nuk ka aspak tolerancë. Unë jam në kontroll të asaj që bëhet.
– Këngët e kujt do të kishe kënduar me shumë dëshirë?
– Këndoj me dëshirë këngë të vjetra popullore, por edhe disa nga perlat e këngëve të vjetra qytetare.
– Ka ndryshuar shumë jeta jote deri tani?
– Po si nuk ka ndryshuar?! Kam kaluar etapa në jetën time, nga fëmijë në adoleshente, nga vajzë në grua dhe nënë, nga njeri i panjohur, në këngëtare të famshme. Gjithçka ka lënë vulën e saj në jetën time.
– Jeton me kujtimet?
– Kthehem shpesh në të kaluarën e këndshme, kurse gjërat e hidhura të së kaluarës nuk preferoj t’i ringjall.
– Në fund…
– …dhe për në fund, pikë. Pika shkon në fund, apo jo?!
Advertisement