Duart e një gruaje të dhunuar

Sot kam takuar gruan më të fortë që sytë më kishin parë. Një grua që për vite me radhë ka duruar një burrë që e dhunonte çdo ditë.

Intervistën e saj të plotë fatkeqësisht nuk e publikoj dot, pasi ende ka frikë nga bashkëshorti, ndaj të cilit po bën gati divorcin. Por kam marrë lejen të zbardh një pjesë të intervistës pa treguar fytyrën

-Si nisi gjithçka?

“Gjithçka nisi që në fejesë, ishte fejesë me mblesëri. Qëndruam dy vite të fejuar, ai rrallë herë vinte, e atëherë kur vinte, merrte ndonjë gjë që i duhej e ikte. U martuam e shkova në fshatrat e sipërm të Pogradecit. Ditë ime niste duke u kujdesur për vjehrrën, shkoja kositja barin për lopët, vija në shtëpi bëja drekën, shkoja prap nga tokat për të punuar e në darkë e dija çfarë më priste. Në fakt nuk doja të errësohej. Sepse përherë kur binte nata, dehja e tij i thoshte të më rrihte. Kam nxjerrë gjak nga çdo pjesë e trupit. I lutesha të mos pinte. Mendova se po të bënim një fëmijë do rregullohej. Bëra vajzën e parë. Por dhuna nuk ndalonte. Bëra e vajzën e dytë. Përsëri njësoj. Përsëri gjak. Kam pirë më shumë gjakun tim se ujin.

E di sa herë e kisha parë qytetin? Vetëm dy herë. Kur kam lindur vajzat në martenitet. Asnjëherë më. As kam parë t’u jepte një çokollatë vajzave, as të me thoshte njëherë një fjalë të mirë. Më dukej sikur kisha lindur vetëm për të jetuar si shërbëtorja e një burri të dehur që rronte nga duart e mia.

-Ku e gjete guximin për të reaguar? Çfarë ndodhi?

Por erdhi një ditë që nuk durova më. Mu rriten cupat, njëra 13 vjeç e tjera 11 vjeç. Në Korrik, ishte vapë, më kishte rrahur në sytë e vajzave dhe vendosa të arratisem. Ika me vrap nga shtëpia, mora e vajzat. Kjo ishte hera e parë që e shihja tamam qytetin. Dhe vrapova në dera e komisariatit. Sepse mora vesh që po më ndiqte. E nuk kisha frikën se më bënte gjë mua, por cupave.

Aty njoha Arbin (punonjës i shërbimit social në Pogradec), Etlevën e të tjerët. Më morën dhe më çuan në një qendër sociale. Aty ku jetoj ende dhe sot. Më rregulluan e në punë, punoj si kuzhiniere në një hotel. Vajta si pastruese por më pa shefja që të punoja shumë e më futi në kuzhinë. E ku më duket mua kjo punë, kur rrija majë pemës gjithë ditën.

Madje, mua nuk më besohet që po fle 6 orë resht pa më dalë gjumi. Ku isha mësuar unë.

-Tani po jeton në qendra?

Aty po rri. Dua të iki me qera por vështirë. Nuk me dalin. Ama prap nuk ankohem. Se me kane trajtuar si familje Arbi me të tjerët. Më kanë sjellë ushqime, veshje. Unë vetëm që shoh cupat e qeta jam gati t’i puth këmbët e tyre.

-Çfarë do bësh me jetën tënde?

Do gëzoj cupat. Unë për to rroj. Sa ti rrit e ti martoj. I kam mësuar të marrin ke duan ato, jo me mblesëri. E të mbajnë kokën lart e mos durojnë asnjëherë dhunën. Mos bëhen si mamaja e tyre

-Mamanë e kanë trime. E kanë shembull.

Nuk jam shembull jo. Duhet të kisha reaguar me shpejt. Me vjen inat se nuk isha as e rrugës e as e lënë. Është mashkulli i parë e i fundit që kam prekur. Por me vjen inat me veten. Pse e dënova kështu? Kur flasin shoqet në punë që ikin ne plazh, shkojnë blejnë veshje, rritin fëmijët me kushte unë vendos të qaj mënjanë. Me duket sikur i kam dënuar në këtë jetë.

-Po atyre grave që nuk reagojnë dot, që janë në kushtet që ke qene ti, çfarë do u thoje?

-Të ikin me vrap nga shtëpia. Të shpëtojnë. Nuk është e vërtetë që nuk kanë ku të jenë. E ne rrugë të dalin, me mire se ne atë shtëpi ku dhunohen do jenë. Ja mua, më pa Zoti qe me solli tek disa njerëz të mirë.

-Çfarë kërkesë ke? Çfarë do doje?

-Një shtëpi. Një çati. Të rrit cupat me dinjitet. Për ato rroj. Të bëjnë bredhin e vitit të ri se e kanë qejf atë. Asnjëherë nuk ua kam siguruar. Ti kënaq njëherë sytë e tyre e pastaj te vdes…

PS ; Gruaja ka vendosur që intervista e plotë të transmetohet në datën 25 Nëntor në një aktivitet kundër dhunës ndaj grave në qytetin e Pogradecit. Ka frikë të publikohet fytyra dhe zëri i saj për shkak të reagimit të mundshëm të bashkëshortit. Lutem qe kushdo që ka mundësi ta ndihmojë, të kontaktojë me Arbi Basho në numrin +355 67 381 0099, punonjës i shërbimit social që po kujdeset për zonjën në fjalë.

LUTEMI PËR NJË SHTËPI ME QERA DHE DINJITET. Zoti u bekoftë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here