“Venus Academy”, vendi magjik i yjeve. Aty ku talentet e vegjël bëhen yje dhe ku arti nuk është thjesht mësim, por mënyrë jetese.
Kur takohet pasioni me profesionalizmin, lind diçka e jashtëzakonshme. Kjo është filozofia që qëndron në zemër të “Venus Academy”, akademisë së artit që prej vitesh formon talente të reja në Tiranë dhe Durrës, duke u dhënë fëmijëve dhe të rinjve jo vetëm teknikën e skenës, por edhe zemrën e saj.
Nën drejtimin e Suela Brahimllarit, “Venus Academy” ka ndërtuar vitet e fundit një emër të fortë në botën e artit shqiptar. Suela nuk është thjesht drejtuese, ajo është shpirt i kësaj akademie, gruaja që beson se çdo fëmijë mban brenda vetes një yll që pret të ndizet.

Netët kur arti mori jetë
Më 15 dhe 16 maj, sallat e “Teatrit Astrit Sula” u mbushën me emocion, duartrokitje dhe lot gëzimi. Spektakli i titulluar “Venus, Vendi magjik i yjeve” solli mbi skenë talente të reja, të cilat provuan se mosha është thjesht një numër kur pasioni është i vërtetë.
Nata e parë u moderua nga Abiona dhe Perla Sulaj, dy motra nga Durrësi, të cilat me elegancë dhe karizëm e hapën mbrëmjen në mënyrën më të bukur të mundshme. Nata e dytë u moderua nga Jornis Ballçaj, Juersa Luli dhe Hana Lamaj, tre emra të spikatur të artit shqiptar, të cilët i dhanë shfaqjes atë nivel profesional që e shndërroi mbrëmjen në ngjarje kulturore.


Familja Sanija, zemra e gjithë magjisë
Pas çdo spektakli të jashtëzakonshëm qëndrojnë njerëz të jashtëzakonshëm. Organizatorët e vërtetë të gjithë kësaj magjie janë Gjergji Sanija dhe Suela Sanija Brahimllari, një çift që e do artin, fëmijët dhe biznesin me të njëjtën zemër të madhe. Ata nuk janë thjesht organizatorë, janë shembull i gjallë se si dashuria familjare bëhet themel i suksesit.
Magjisë së skenës i shtuan edhe tre zërat më magjikë, Anabel, Evelin dhe Venera Sanija, tri motra me shpirt artisti, të cilat këndojnë dhe përcjellin aq shumë emocion tek publiku sa i lënë pa fjalë. Ato janë krenaria e familjes dhe mishërim i asaj çfarë Venus Academy përfaqëson: art i trashëguar me dashuri, i ushqyer me pasion dhe i dhënë me zemër.
Familja Sanija e ka kuptuar një të vërtetë të thjeshtë por të thellë, suksesi fillon në shtëpi. Dashuria që ata kanë me njëri-tjetrin ndihet kudo, në prapaskenë, në organizim, në biznes, në mbështetjen e vazhdueshme që i japin njëri-tjetrit. Ata nuk kërkojnë vëmendjen e të gjithëve, por dashuria e tyre ndihet kudo që shkelin.
Një nga momentet më të fuqishme të mbrëmjes ishte leximi i letrës së Charlie Chaplin drejtuar bijës së tij nga zëri magjik i aktorit të mirënjohur Ervin Bejleri. Salla u mbush me heshtje të plotë dhe pastaj me lot. “Ndoshta disa shikonin edhe veten në atë letër”, ky emocion u ndje kudo.


Mbi skenë kishte edhe instrumente muzikore të rrallë, të sjellë nga Erdit Asllanaj, artizani autodidakt që me pasion të zjarrtë ka mësuar të luajë instrumente që shërojnë shpirtërisht, duke shkuar në nivelin theta të trurit njerëzor. Bashkëpunimi i tij me Venus Academy nuk ishte rastësi sepse sipas Suelës “universi nuk sjell gjëra rastësisht”.
Orgesa Zaimi,një emocion i gjallë i skenës, bëri që publiku të bashkohet me të si një frymë e vetme. “Orgesa Zaimi, një emër që do të shekullojë ndër breza”, u shpreh akademia me admirim dhe mirënjohje të sinqertë.
Po aq e veçantë qe edhe prania e Valbona Halili, e cila këndoi dhe kërceu me publikun, madje i bëri të ngrihen nga karriget edhe ata që kishin ardhur të shijonin shfaqjen. “Bona është projektuar për të dhuruar kënaqësi, dashuri, entuziazëm” dhe publiku e provoi vetë.

Një falënderim dhe mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që krijuan këtë magji.

Për natën e dytë, një falënderim special për Deljana Topullin, regjizoren e shfaqjes, një shpirt i bukur që edhe pse shtatzënë, punoi me aq shumë dashuri dhe përkushtim, duke nxjerrë më të mirën tek fëmijët. Po ashtu, mirënjohje për Rexhina Ibron, koreografe, e cila krijoi magji në skenë me koreografitë e vajzave të vogla, si edhe për Jasmina Gjicin, asistente koreografe.

Për natën e parë, falënderime për regjizoren Anxhi Muça, e cila e krijoi këtë shfaqje me shumë dashuri, për Fjoralba Ficon, koreografe e eventit të ditës së parë, që me përkushtim solli koreografi të mrekullueshme për vajzat e vogla, si dhe për Luçjana Sedjen, dirigjente e korit “Engjëjt e Venusit”, e cila me pasion ka krijuar një nga koret më të veçanta, ku vajzat e vogla interpretuan këngë shqiptare me shumë emocion dhe talent.


Magjisë së skenës i shtohej edhe performanca e balerinave të vogla, lulet e “Venus Academy” të cilat përcollën një mesazh të thjeshtë por të fuqishëm “Nëse na rrisni me dashuri, besim dhe vlerësim, ne do të rritemi si lule të bukura.” Dhe të gjithë në sallë e kuptuan mesazhin.
Kori Engjëjt e Venusit sollën në skenë këngë shqipe nostalgjike, gjuhën më të bukur në botë,duke bërë që nënat dhe gjyshet në sallë të këndojnë bashkë me vajzat e tyre. Një moment i papërsëritshëm bashkimi mes brezave.
Kori i vajzave “Melodia” i shkollës Myrvete Peza, nën drejtimin e mësueses Sidorela Halilaj, këndoi në harmoni të përsosur, duke treguar se arti bashkon edhe fëmijë nga shkolla të ndryshme dhe u jep atyre mundësinë të përfaqësohen me dinjitet në një skenë magjike.
Ansambli i valleve popullore “Shqiponja” dha një performancë të shkëlqyer, një kujtesë e bukur se Shqipëria ka tradita që nuk duhen harruar kurrë, dhe se Venus Academy i mban ato gjallë me krenari.
“Për hir të artit njeriu mund të dalë në skenë edhe lakuriq,
por kur zbret prej saj, duhet të jetë jo vetëm i veshur, por edhe më i pastër shpirtërisht.”


“Venus Academy” nuk është thjesht një vend ku mësohet të këndohet, të aktrohet apo të kërcehet, është vendi ku fëmijët mësojnë të jenë të guximshëm, të sinqertë me veten dhe me artin, aty ku mësimet kalojnë nëpër zemër para se të arrijnë skenën, ku çdo student, i vogël apo i rritur zbulon se ka diçka për t’i dhënë botës.
Me degë në Tiranë dhe Durrës, akademia vazhdon të rritet, jo vetëm në numër studentësh, por në ndikim kulturor. Spektaklet e saj janë bërë eveniment i pritur çdo vit nga publiku, nga familjet dhe nga vetë bota e artit shqiptar.
Nëse do të pyesje Suelën çfarë është “Venus Academy”, ndoshta do të përgjigjej thjesht: “Kur qesh një fëmijë, qesh e gjithë bota bashkë me të.” Kjo frazë, e shtypur edhe në ftesat zyrtare të spektaklit, thotë gjithçka.


Venus Academy • Tiranë & Durrës
@venusacademy__ • @venus_academy_durres

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here