“Dielli” i Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, “Dielli” i shqiptarëve të Amerikës, “Dielli” i Rilindjes Kombëtare, “Dielli” i mërgatës përtej Atlantikut dhe i mbarë botës shqiptare, sot feston 117-vjetorin e themelimit.

Që prej 15 shkurtit 1909, Gazeta “Dielli” , “Nderi i Kombit” qëndron si gazeta më e vjetër në botën shqiptare; regjistër i kohës, arkiv i memories kolektive, histori e gjallë, krenari dhe identitet i Vatrës, vatranëve dhe shqiptarëve të Amerikës. Ajo është dëshmi e vazhdimësisë sonë kombëtare dhe e përkushtimit të palëkundur ndaj çështjes shqiptare.
Gazeta “Dielli” është institucion atdhedashurie, shkollë gazetarie dhe referencë historike; një pasuri e çmuar kombëtare që ka ruajtur, dokumentuar dhe përcjellë zërin e shqiptarëve ndër breza. Në faqet e saj janë gdhendur përpjekjet, sakrificat dhe idealet e patriotëve e veprimtarëve që i shërbyen kombit me penë dhe me zemër.

“Dielli” është dritë që ndriçon përjetë qiellin e shqiptarisë. Është e shkuara që na mëson, e tashmja që na bashkon dhe e ardhmja që na frymëzon. Është fillimi i shekullit të dytë të frymëzimit kombëtar, i ruajtjes së trashëgimisë dhe i konsolidimit të vlerave më të çmuara të identitetit tonë.
Si pasuri e historisë sonë të lavdishme, e gjuhës, kulturës dhe medias shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në mbarë trojet shqipfolëse, “Dielli” mbetet simbol i qëndresës dhe i unitetit.

“Diell”, ndriço, qëndro, shkëlqe e vezullo në shekuj të shekujve.
Një falënderim i veçantë në këtë 117-vjetor i shkon edhe Sokol Pajës gazetarit dhe veprimtarit të palodhur të komunitetit shqiptar në SHBA, i cili prej vitesh kontribuon me përkushtim në Gazeta Dielli, organ i Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra.
Me profesionalizëm dhe ndjenjë të thellë atdhedashurie, ai përditëson vazhdimisht faqen e “Diellit” me zhvillimet më të fundit, duke promovuar figura, arritje dhe histori frymëzuese të shqiptarëve nga të gjitha trevat.








