Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që mjekësia moderne ecën paralelisht me teknologjinë, Merve Akinoğlu përfaqëson anën më njerëzore të saj. E njohur si një bosht besimi mes pacientëve dhe institucioneve shëndetësore, ajo ka ndërtuar një rrugëtim profesional të mbështetur fort në etikë, empati dhe respekt. Në këtë intervistë, Merve ndan përvoja që shkojnë përtej profesionit, duke treguar se shërimi nuk nis vetëm nga trajtimi, por nga zemra.
-Ju përshkruajnë shpesh si një “urë besimi”. A ka ndodhur që kjo urë të ndërtohej më shumë nga një gjest njerëzor sesa nga dijet profesionale?
Po, kam shumë kujtime të tilla, por njëra më ka prekur thellë. Djali i një pacienti me kancer pankreatik në stad të katërt na kontaktoi për një mendim mjekësor. Fatkeqësisht, nuk kishte më mundësi trajtimi që ta sillnim pacientin në spitalin tonë. Në takimin e dytë, ia shpjegova situatën me sinqeritet dhe i thashë se vazhdimi i trajtimit në vendin e tij ishte alternativa më e drejtë. Përkushtimi i të rinjve shqiptarë ndaj familjeve të tyre më ka impresionuar gjithmonë. Ai erdhi çdo ditë për një javë, ndërsa unë i shpjegova të gjitha trajtimet mbështetëse dhe e lidha drejtpërdrejt me mjekët tanë. Ai përsëriste vazhdimisht:
“Paraja nuk ka rëndësi, dua të bëj gjithçka për babain tim.”
Ia bëra të qartë se paratë nuk kanë qenë kurrë prioritet për ne. Kontakti ynë nuk u ndërpre as pas ndarjes nga jeta të pacientit. Ai erdhi të më falënderonte me lot në sy. Ishte një moment që më tronditi thellë.






Një fjali e drejtuesve të mi, veçanërisht e Dr. Fatih Bünül, më ka udhëhequr gjithmonë:
“Këtë punë nuk e bëjmë me këndvështrim tregtar, por mbi baza etike dhe njerëzore.”
Fitimi i besimit ka qenë gjithmonë prioriteti im.
-Nëse do të shkruanit një libër për përvojat tuaja, cili do të ishte kapitulli që ju ka ndryshuar më shumë?
“Liri dhe Respekt”.
Shqipëria më mësoi sa thelbësore janë këto dy vlera në marrëdhëniet njerëzore dhe në jetë.
-Çfarë ju ka mësuar të qenit mes teknologjisë dhe emocioneve njerëzore?
Teknologjia e nis trajtimin, por shërimi i vërtetë plotësohet nga vetë njeriu. Frika, pasiguria dhe shpresa e pacientëve më kujtojnë çdo ditë se empatia është po aq e rëndësishme sa profesionalizmi.
-A ka një moment pas kuintave në “Anadolu Medical Center” që tregon vërtet cilësinë e institucionit?
Kjo cilësi mbështetet në një strukturë shumë të fortë, të ndërtuar ndër vite. Një rol kyç ka përkushtimi i Drejtoreshës sonë UHD, znj. Aslı Akyavaş Pamuk, e cila i ka kushtuar jetën ndërtimit të këtij sistemi.
Një rast që nuk do ta harroj kurrë: një pacient u shtrua urgjentisht ndërkohë që mjeku përgjegjës ishte me pushime. Sapo u informua, ai i ndërpreu pushimet dhe erdhi në spital në mesnatë.
Kjo është kultura jonë, pacienti vjen para gjithçkaje.
-Si e shihni zhvillimin e turizmit mjekësor në Shqipëri dhe rajon vitet e fundit?
Ka pasur një transformim të madh. Njerëzit nuk kërkojnë më vetëm trajtim, por siguri dhe komunikim të ndershëm. Besoj se bashkëpunimi shëndetësor Turqi–Shqipëri do të thellohet edhe më shumë.
-Ndiheni ndonjëherë më shumë si psikologe apo anëtare e familjes sesa si drejtuese?
Patjetër. Pacientët tanë i shohim si pjesë të familjes. Bëjmë gjithçka që të mos ndihen të vetmuar në një vend të huaj. Për ne, pacienti nuk është “mysafir”, por një amanet.
-A ka një fjali që ia thoni vetes në momente të vështira?
Gjithmonë i them këtë gjë: “Ka problem? Ka. Ka zgjidhje? Ka. Atëherë, nuk ka problem.”
Çdo ditë zgjohem me mirënjohje. Vetë jeta është arsye e mjaftueshme për falënderim.
-Çfarë ju mungon më shumë nga Turqia dhe si e ruani lidhjen?
Fillimi në Shqipëri nuk ishte i lehtë. Më mungonin familja dhe ushqimet. Por pas 10 vitesh, kjo u bë shtëpia ime. Afërsia me Turqinë na lejon të udhëtojmë shpesh, edhe pse qëndrimet e gjata janë rralluar.
Në udhëtimin tim të fundit, aroma e lagjes ku u rrita më mbushi sytë me lot. Siç thotë shprehja jonë:
“E vendosën bilbilin në kafaz të artë, por ai përsëri tha: atdheu im.”
-Çfarë do t’i thonit Merves së ditës kur erdhi në Tiranë me fëmijët?
“Mos ki frikë. Je më e fortë se sa mendon. Kjo rrugë do të të rrisë.”
Sot jam krenare për atë vendim.
-A arrini t’i lini jashtë shtëpisë historitë emocionale të punës?
Jo plotësisht. Disa histori mbeten në shpirt. Por ia kujtoj vetes se forca ime është frymëmarrje për dikë tjetër. Koha me fëmijët, lutja dhe frymëmarrja më rikthejnë ekuilibrin.
-Cili vendim ju ka transformuar më shumë profesionalisht?
Të nisja nga e para në një vend të ri. Edhe pse e frikshme, më rindërtoi si grua, nënë dhe profesioniste.
-Një mesazh për lexuesit tanë?
Dashuria dhe besimi hapin të gjitha dyert. Familja dhe miqtë janë forca jonë e padukshme. Nëse jeni pranë njerëzve që e vlerësojnë kohën dhe jetën, nuk ka vështirësi që nuk kapërcehet.







