Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Njeriu maskë! Nga Agron Berdaj

Edhe sot, pas tridhjetë e pesë vjetësh nga ndërrimi i sistemit politik në Shqipëri, në skenën politike rishfaqet prapë mbetja politike Sali Berisha. I rraskapitur, i kërrusur nga pesha e krimeve dhe zullumeve që i ka bërë këtij vendi, pas daljes nga izolimi dhe në pritje të gjykimit, po shfaqet sikur të ishte faktor në zhvillimin e demokracisë. Ai ka ridalë në tregun politik brenda vetes, një atavizëm i së shkuarës, në urrejtje ndaj së resë dhe progresit. Për ironi të fatit, lufta politike në Shqipëri sot nuk zhvillohet mes alternativave dhe kauzave bashkëkohore, por si përplasje ndërmjet mendësisë dhe veprimit bajraktarist e despotik me mendësinë dhe veprimin e një shoqërie që përpiqet të bëhet gjithnjë e më e hapur, më e civilizuar e më demokratike.

Advertisement

Ajo që  dallon në komedinë e tij politike, është përdorimi i shumëllojshmërisë së maskave. Maskat e kanë ndihmuar dhe e ndihmojnë të fshehë të vërtetën dhe rolin e tij shkatërrimtar të shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Përmes tyre, ka arritur të maskojë  Saliun e vërtetë, duke shfaqur një tjetër Sali, të retushuar nga kozmetika e mashtrimit politik. Maskat e ndihmojnë që Saliun gjakatar dhe vrasës ta shfaqë si  njeri paqësor, të urtë thuajse si një  shënjtor. Saliun si modelin e njeriut të korruptuar në Shqipëri, i akuzuar nga drejtësia për korrupsion madhor, maskat e paraqesin një tjetër Sali: i pastër si Krishti, flamurtar në luftën kundër korrupsionit.

Saliu i ka përdorur të gjitha maskat, edhe atë të tiranit, edhe maskat e ftohta, edhe atë të të bindurit deri në nënshtrim e një servili ekstrem, tejetej të pështirosur, natyrisht gjithmonë ndaj atyre që mund të ndikojnë në fatin e tij. Saliu dhe maskat janë binom. Ai nuk ka jetuar dhe nuk jeton dot në politikë pa përdorur maskat. Dhe, kur thuhet maska, kuptohen pështjellimet që vijnë prej tyre. Pa maska ai e ndjen veten të tradhëtuar. Ndërsa, i veshur me maska, ndihet tepër i sigurtë dhe i mbrojtur, i suksesshëm në krimet e kryera.

Ndoshta nuk ka në botë një figurë politike të jetë përfolur si mbajtës i kaq shumë maskave, pseudonimeve, kodeve dhe i lidhjeve miqësore dhe familjare me njerëz të shërbimeve të huaja sekrete, sa është përfolur Sali Berisha dhe familja e tij. Por, si ka mundësi që shteti ende nuk e ndjek këtë akuzë, edhe pse mund të jetë përfolje? Thonë se Çezari mori vendim të ndante gruan pasi u përfol se dikush e kishte ngacmuar atë. I thanë Çezarit se ajo ishte e ndershme, por prapë Çezari nuk e ndryshoi vendimin me arsyetimin e famshëm: “Gruaja e Perandorit, jo vetëm që realisht duhet të jetë e ndershme, por edhe duhet të të duket e tillë. Ndërsa ky “Perandori” ynë u bë edhe president i Republikës sonë “demokratike”, edhe kryeministër, e një jetë të tërë deputet në tempullin e shenjtë të demokracisë, dhe përsëri shteti nuk i jep një shpjegim popullit. 

Maskat si tiran Saliu i përdori në ngjarjet e dhunshme e tragjike në Shqipëri që nga 1992 e deri sa u rrëzua nga pushteti. Kaq të efektshme për të kanë qënë ato maska sa edhe sot pas 35 vjetësh krimet e përfolura në emër të tij nuk janë zbuluar dhe dënuar. Kjo për faktin se edhe i gjithë shteti funksiononte si një maskë unike, ku dikush urdhëronte krimin, të tjerë e kryenin atë, ndërsa hijenat e natës zhduknin gjurmët e krimit. I gjithë shteti në qeverisjen e Berishës ishte vënë në shërbim të prodhimit të maskave. Urdhëronte bajraktari për ngjarjen tragjike të 21 janarit se vrasjet nuk ishin bërë nga shteti dhe Garda e Republikës dhe menjëherë instrumentet e shtetit, si të ishin organizma të mafjes, fillonin të përgatisnin maskat. Disa mjekë famëkeqë, që vetëm të tillë nuk duhet të ishin, lëshuan  ekspertiza se vrasjet ishin bërë nga afër, se demostruesit kishin vrarë njeri-tjetrin, duke përdorur çadra e stilolapsa pistoleta, pasi kështu kishte urdhëruar kryemaska.

Ndërsa maskat dhe planet që përgatiste Shërbimi famëkeq Informativ deri në vrasjen dhe zhdukje njerëzish, mbeten një njollë e zezë e historisë së Shqipërisë në qeverisjen e Berishës. Pastaj ishte radha e drejtësisë t’i vinte stampën maskave që fshihnin krimet.

Fatkeqësisht edhe sot, në drejtësinë e pretenduar si të re, po lëkundet besimi i njerëzve ndaj saj. Njerëzit pyesin të habitur: mos vallë SPAK është trembur nga politika? Mos vallë i ka humbur mbështetja financiare? Mos vallë kërkon të duket në një linjë me erërat që po fryjnë brenda e jashtë Shqipërisë? Apo e ka të keqen qysh në embrion duke rekrutuar maskat e plepave?

E keqja SPAK-ut duket se do t’i vijë nga vetvetja, nga maskat që kanë depërtuar në të jashtë kritereve profesionale, si militantë partiakë, nga një lloj autoritarizmi rrebel i dalë jashtë kontrollit institucional, nga paqja që ky institucion po bën me super krimet e ndodhura si 21 janari, Gërdeci, shkatërrimi i pronës kombëtare, etj. Vija e kuqe për besushmërinë apo jo ndaj SPAK-ut është qëndrimi ndaj këtyre krimeve.

Po sot, çfarë maskash përdor Saliu? Maskën e një servilizmi të pështirë ndaj ekipit të ri qeveritar amerikan, si një skllav i poshtëruar, vetëm e vetëm që ata t’i falin dënimin që i kanë dhënë po ata. Antiamerikani i zjarrtë u bë, brenda datës 20 Janar 2025, proamerikan i përvëluar. Pështirosja duket deri në imitimin, gjuhën e përdorur e krahasimet e bëra, saqë njeriu nuk kupton se kush është superfuqia e botës, Amerika apo Shqipëria. Vendos Trump një kapele kaubojsi si pjesë e traditës amerikane, vendos edhe Berisha një kapele të tillë në vend të qeleshes së bukur dhe historike të malësorit. Në mënyrë figurative, stafi i kabinetit presidencial amerikan e cilëson Presidentin e vet si sherifin e ri të vendit. Të njëjtin fjalor imitojnë edhe maskat manekine në stafin e Berishës, kur thonë se në 12 maj, Shqipëria do të ketë shërifin e ri ta saj. Kulmi arrin kur, parullën e Trump për një Amerikë të Madhe e imiton në mënyrën më qesharake edhe Berisha kur koalicionin zgjedhor me shumicë të kriminalizuar, e ka titulluar Aleanca e Shqipërisë Madhështore. Nuk dimë se sa madhështore do të bëhet Shqipëria e Berishës dhe e kësaj “Aleancës për Shqipërinë Madhështore” pas Gërdecit, 21 janarit, krimeve të 97-tës , grushtit të shtetit të 98-ës, e të tjera e të tjera.

A do ta heqë maskën, maska që bëri konferencë shtypi për nxjerrjen jashtë ligji të homoseksualëve? A do t’i shkrijë shoqatat e Sorosit, njeriu që veshi i pari maskën e Sorosit?

Jemi në kohën kur po festohen karnavalet, kur  po zhvillohen panairet  e maskave, festivalet e paradat e kllounve. Si matrapaz dhe përdorues i hershëm i masakave, në tre sisteme politike, Berisha, në këto festivale nuk do të dalë pa gjë. Të paktën e meriton çmimin si njeriu që e kaloi jetën e tij i veshur me maska.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Juljana Shalla: An Inspiring Story of Identity, Integration, and Success in London

Advertisement