A quhet tradhti puthja? Kjo është një pyetje që shpesh i ndan opinionet më dysh. Është pikërisht kjo pyetje së cilës është përpjekur t’i japë përgjigje Instituti Francez i Sondazheve Ifop, i cili ka bërë një studim mbi pabesinë dhe se kur fillonte ajo. Në kohën e sotme, sitet e takimeve jashtëmartesore po përhapen gjithmonë e më shumë. Në Francë, për shembull, një në tre francezë pranojnë se e kanë tradhtuar partnerin/en e tyre. Por, çfarë quajnë evropianët tradhti? Tradhtia karakterizohet nga ndjenjat kundrejt një personi tjetër apo kur ka kontakt dhe shkëmbime fizike?
Nga studimi ka rezultuar se praktikat e tradhtisë ndryshojnë në Evropë, megjithatë, të gjithë janë dakord me faktin se tradhtia fillon me kontaktin fizik. Kështu, 80% e evropianëve vlerësojnë se kontaktet gojore e gjenitale dhe marrëdhëniet seksuale në përgjithësi, qofshin ato të rastësishme apo të rregullta, jashtë kuadrit të çiftit, janë sinonim i tradhtisë. Por, të anketuarit shkojnë edhe më larg, sepse për ta, tradhtia fillon para seksit. Kështu, 60% e francezëve dhe 75% e italianëve mendojnë se tradhti është edhe të puthësh një person tjetër.
Po të fantazosh dikë tjetër, është tradhti? Sondazhi është shtrirë edhe në forma të tjera të marrëdhënieve, si flirti apo fantazia. Kështu, mësojmë se 57% e evropianëve mendojnë se të shkëmbesh mesazhe të nxehta me një person tjetër është një formë tradhtie, ndërkohë që janë më pak se gjysma (45%) që kanë të njëjtin mendim përsa i përket lojës së joshjes, ose të mendosh për një tjetër, gjatë aktit seksual (41%). Do të ishte interesante të dihej nëse të anketuarit kishin kryer apo jo tradhti dhe nëse ky fakt kishte ndikuar në perceptimin e tyre kundrejt tradhtisë.
A ka marrë pra fund besnikëria në çift? Sado e përhapur është bërë tradhtia në kohët e sotme, kjo nuk do të thotë se është e pashmangshme. Kështu, 68% e të anketurve mendojnë se mund të qëndrosh besnik/e gjatë gjithë jetës ndaj të njëjtit person, megjithatë, kjo shifër është në ulje nëse krahasohet me dhjetëvjeçarët e kaluar dhe sidomos te gratë. Gjithashtu, 63% e të anketuarve që jetojnë në çift, mendojnë se mund ta duash dikë edhe duke e tradhtuar atë, pra, dashuria nuk ka lidhje me ekskluzivitetin.
Ne nuk jemi të sigurtë se partneri/ja i tradhtuar do të ishte i/e të njëjtit mendim!
Advertisement