Stuhi të forta goditën Emiratet e Bashkuara Arabe të martën, duke regjistruar sasinë më të madhe të reshjeve në harkun kohor të disa orëve, ndërsa përmbytën pjesë të autostradave kryesore dhe aeroportin ndërkombëtar të Dubait.
Kjo stuhi u quajt “një ngjarje historike e motit” që tejkaloi “çdo gjë të dokumentuar që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në 1949”.
Në Dubai jetojnë mjaft shqiptarë dhe një prej tyre është dhe makeup artistja e njohur shqiptare Merita Merja e cila jeton dhe punon në Dubai tashmë prej disa vitesh. Ajo e përshkruan kështu ditën e stuhisë, ditë në të cilën ajo vetë mbeti e bllokuar për 8 orë në mes të qytetit të përmbytur.
“Unë jetoj prej kohësh këtu në Dubai e më lejoni t’ju tregoj për motin e egër që u përjetua në Dubai gjatë gjithë së martës! Imagjinoni të qëndoni të mbyllur në makina për 8 orë të gjata, rrethuar me ujë nga të katër anët aq sa të shihte syri. Unë isha duke shkuar për tek salloni im që kam këtu në Dubai dhe mbeta pothuajse gjatë gjithë ditës mes ujit. Ishte fiks si një skenë filmi të frikshëm, vetëm se në këtë rast ishim ne personazhet që ishin në rrezik. Janë orë që nuk do i harroj kurrë sepse kanë qenë orë tmerri. Ende se kam marrë veten plotësisht”: u shpreh ajo.