Mbahet këtë të mërkurë në Tiranë samiti për Ukrainën. I pranishëm do të jetë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili mbërriti në kryeqytet në orët e vona të mbrëmjes të së martës. Ai u prit në aeroportin e Rinasit nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Para nisjes së samitit, Zelensky do të pritet nga kryeministri Edi Rama në kryeministri. Më pas, Rama dhe Zelensky do të zhvillojnë një takim kokë më kokë. Më pas, do të vijojë një takim mes delegacioneve respektive që do të mbyllet me nënshkrimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve.
Rama dhe Zelensky do të hapin samitin, që pritet të nisë në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve, me një fjalim, ndërsa më pas punimet do të jenë me dyer të mbyllura. Në orën 13:30 është parashikuar një konferencë për shtyp e Ramës dhe Zelenskyt, ku do t’ju përgjigjen interesit të gazetarëve.
Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që u rreshtuan në krah të Ukrainës kur nisi pushtimi rus. Po ashtu, Shqipëria luajti një rol të rëndësishëm dy vitet e fundit kur ishte anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për çështjen e Ukrainës.
PROGRAMI I SAMITIT:
09.00 – Presidenti Zelenskyy do të mikpritet nga Kryeministri Rama, në Kryeministri.
09.05 – Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidentin e Ukrainës Zelenskyy.
9.30 – Takimi bilateral mes dy delegacioneve.
10.10 – Firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës
11.00 – ??Doorstep dhe mbërritja e liderëve ( Pallati i Kongreseve)
11.30-Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit.
13:00 – Foto Familjare
13.30 – ??Kryeministri Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.