Ajo është një nga vajzat më luftarake që kam njohur, do të drejtën, prosperitetin, rezultatet dhe arritjet. Enkelejda Rica, emri i dashur në politikë që premton shumë dhe të ardhmen e ka të skalitur në mendje…!
-Enkelejda, zakonisht fëmijët pasionin e vegjëlisë kanë pasur ose të kënduarin ose të kërcyerin. Po ti ku e gjete politikën?
-Ajo çfarë më bënte përshtypje ishte konsiderata e përgjithshme, shtysa, përkrahja që më jepte familja. Mbështetjen më të madhe në politikë e kam pasur nga familja, edhe pse unë vij nga një familje politike që ka dhënë e bërë për vendin, demokracinë!
-Sa e vështirë ka qenë për ty të dallosh në politikë, një fushë jo vetëm e komplikuar por dhe e dominuar nga meshkujt?
-Është më shumë sa e vështirë në fakt, nuk mbaron kurrë, është një proçes që vështirësohet më shumë kur vijon të synosh. Është një proçes ku që në fillesë të saj sundohet nga paragjykimi, si nga ana e origjinës/arsimit dhe gjithashtu dhe edukimit tënd personal. Ajo që kam vënë më shumë në dukje nga e gjithë kjo eksperiencë është fakti i “idesë” që një femër nuk duhet të jetë një lider dhe një femër s’duhet të udhëheqë, sepse meshkujt mbizotërojnë në shoqërinë tonë dhe kjo duhet të zbatohet me patjetër. Të jemi të sinqertë kjo është mjaft shqetësuese dhe ka qenë parësore në hapat e mia dhe rrugëtimin tim . Mendoj se është një tipar një temë që më shumë theksohet në rrethe por dhe në kryeqytet është e diskutueshme .
-Ke kandiduar si deputete për rrethin e Kurbinit. Çfarë do t’i japësh ti Kurbinit që ende e “vuan” që ai qytet nuk e ka?
-Po,në vitin 2016 u zgjodha kryetare e FRPD-së rrethi Kurbin, në 2017 kandidova për deputete në rrethin Kurbin, Qarku Lezhë. Laçi ka qenë vend industrial dhe sot kur flasim nuk ka punësim. Ekonomi-punsim, asfaltimin e rrugëve dhe ndriçimin e tyre. Vëmendja tek të rinjtë. Ka të rinj që i njoh personalisht që besojnë të një Shqipëri më e mirë dhe që duan ta ndërtojnë të ardhmen këtu e mos të marrin rrugët e emigracionit .Fakt është që deri më sot të rinjtë nuk janë dëgjuar dhe nuk ju është shtrirë dora e bashkëpunimit .Në shumicën e rasteve janë përdorur për interesa politike.
-Familja e ka mirëpritur ambicien tënde në politikë?
-Familja është forca dhe mbështetja ime më e madhe.
-Dimë që bën dhe menaxheren artistike të motrës së vogël, e cila merret me muzikë. Të ka ndihmuar statusi yt si politikane për t’ia lehtësuar pak rrugën asaj?
-Bota e artit dhe sidomos e muzikës është një botë me plot dallga të vështira që herë pas here janë të patejkalueshme dhe të duhet shumë kohë për të finalizuar projektet, kjo vjen sepse kemi mungesë standardesh dhe mundësi që arti të shprehet në mënyra dhe forma të ndryshme . Në rastin konkret patjetër që kam dhënë mbështetje dhe është një rrugëtim i gjatë ku do kemi dhe të reja në vazhdim që do zbulohen më tutje .
-Të shohim shpesh në foto me Grida Dumën, një ndër femrat më të suksesshme në politikë. Ke marrë ndonjë këshillë apo udhëzim nga ajo?
-Ajo është një zonjë fisnike që më miklon me fjalë shumë motivuese. Po përmend vetëm dy prej frazave të shumta që më thotë shpesh: “Qofsh e gëzuar, e mbushur, e arrirë, e pranë meje madje” dhe “Je luftarake energjike dhe e jashtëzakonshme!” E kam shumë përzemër, është fantastike.
-Partia Demokratike gjendet në një situatë shumë të vështirë. Shumë i janë larguar, e ti mbetesh. Idealiste?
-Partia Demokratike dhe vlerat që ajo mbart duhet të qëndrojnë gjithmonë, dhe pikërisht unë zgjodha këto vlera. Zgjodha një Parti Demokratike Perëndimore dhe euroatlantike, zgjodha një parti që është në partneritet me SHBA-në dhe jo në konflikt me të. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partneriteti me të nuk janë gjë abstrakte , por do të thotë partneritet me lirinë, me demokracinë, me drejtësinë e pavarur dhe të drejtat themelore të njeriut. Me pak fjalë zgjodha të jem në Partinë Demokratike që shikon nga Perëndimi aty ku e kanë vendin demokratët dhe të gjithë shqiptarët.
-Po afrojnë zgjedhjet vendore. Ke menduar të kandidosh?
-Po kam synim për të kandiduar për bashki dhe qëndron në planet e mia të ardhshme.
-Nëse do të të ofrohej drejtimi i një autoriteti apo Ministrie, ku do doje të pozicionoheshe?
-Ministria e Shëndetsisë dhe e Mbrojtjes Sociale ose Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.