Fabjola Kuburi:-Gent, ta nisim me një pyetje profesionale. Je i kenaqur me suportin që keni dhënë në publik me emisionin dhe me feedback-un qe keni marre?
-Me suportin jemi shumë të kënaqur. Sigurisht që ka pafundësisht punë për t’u bërë, por që kështu është “Stop”. Gazetarët janë në terren, mesazhet e qytetarëve lexohen, domethënë “Stop” bën maksimumin e mundshëm për t’ju gjendur pranë një njeriu në nevojë dhe sigurisht nuk bëhet vetëm nga ne, janë dhe qytetarët me denoncimet e tyre, të cilët bëjnë një pjesë shumë të madhe pune, siç është e thënë edhe te slogani ynë që gazetarët më të mirë jeni ju, janë qytetarët që sjellin denoncime.
-Ke ndonjë porosi a keshille që do t’ia rikujtosh Saimirit dhe stafit përmes Intervista.al?
-Këshilla për Saimirin dhe stafin është: Të mos mërziten kurrë duke bërë këtë gjë që po bëjnë. Saimiri e ka treguar që ka shumë vite që e bën, ka një passion shumë të madh për këtë lloj emisioni, passion të cilin nëpërmjet Saimirit dhe stafit gradualisht e kam marrë dhe unë. Nuk është thjesht punë, është më tepër një kënaqësinë. Kur përzihet puna me kënaqësinë nuk ka gjë më të mirë.
-Me kë e pive kafen e parë sot?
-Kafja e parë është gjithmonë ose me një shok timin ose me ndonjë takim, nga të cilët duhet t’i organizoj gjatë ditës. Por, kafja e parë është herët. Jam tip që zgjohem herët. Domethënë nuk e kaloj asnjëherë orën shtatë të mëngjesit pa qenë aktiv dhe pa qenë i dalë. Jam tip i mëngjesit herët.
-Çfarë bëre verën që kaloi?
-Verën që kaloi isha në det më së shumti kam qenë në det. E kam kënaqësi të madhe detin, sepse edhe Danieli edhe djali im ka filluar tëzhytet me mua dhe peshkojmë sëbashku. Unë e ushtroj shumë peshkimin në zhytje, kështu që fakti që djali është bërë thuajse me të njëjtin pasion si unë e shijoj shumë dhe më kënaq koha që kaloj me të, pasi duke gjetur gjëra të përbashkëta kemi filluar të kalojmë më shumë kohë bashkë.
-Çfarë nuk dinë njerëzit për ty?
-Kaq shumë intervista sa kam dhënë unë, njerëzit dinë shumë për mua. Kam një pasion shumë të madh për detin, jam tip i dashuruar me Shqipërinë. Kam shumë qejf të vizitoj Shqipërinë. Nëse do zgjidhja midis pushimeve jashtë apo në Shqipëri, prioritet do t’i jepja Shqipërisë, sigurisht me streset që të jep Shqipëria, me trafikun, po prap jam tip që e dua vendin tim.
-Çfarë mendon sa herë dëgjon të përmendet emri yt?
-Është kënaqësi shumë e madhe, kur njerëzit ta dinë emrin dhe të thërrasin me emër. Sigurisht, si të gjithë kolegët e mi ka njerëz që të thërrasin në emrin e personazheve, për shembull Zenun, “Vdekja e Qaniut”, na ngatërrojnë me aktorët e tjerë. Një herë më kanë thirrur Albano Bogdo. Me ardhjen në “Stop”, sigurisht ikin peronazhet dhe ngelet Genti, Saimiri, kështu që kënaqësi, kur njerëzit të flasin me emër është shumë kënaqësi.
-Për çfarë nuk është vonë?
-Asnjëherë nuk është vonë për asgjë. Unë jam i mendimit që njeriu nuk është kurrë vonë për të bërë gjëra të reja, nuk është kurrë vonë për të ndryshuar veten e vetë, kështu që ka gjithmonë kohë. Jo në kuptimin e keq të fjalës, që ti ta marrësh me nge, por gjithmonë një udhëtim nis me një hap, kështu që po të jetë dëshira e mirë brenda teje nuk është asnjëherë vonë për asgjë.
-Për çfarë nuk e vret mendjen?
-Të them të drejtën jam tip që e vras shumë mendjen. Dëshira ime të mos i vë njerëzit në siklet. Kam dëshirë që edhe kur dikush mund të më thotë diçka të pakëndshme në rrugë, nuk para kthej përgjigje me të njëjtën monedhë. Nuk jam as tipi që i kthejë faqen tjetër, në kuptimin simbolik të fjalës, por që përpiqem të sillem me të tjerët në atë formë që do të doja që edhe të tjerët të silleshin me mua.
-Kush është mik e kush armik?
-Një mik i mirë është ai që ta thotë të vërtetën në sy dhe armiku më i keq është miku falls, pra kjo është filozofia e jetës sime. Jam përpjekur të njoh, të zbuloj miqtë falls sepse janë shumë të dëmshëm, kurse armiku është armik. Nëse ti ke qytetarinë dhe ke burrërinë, njerëzillëkun, që ta trajtosh edhe armikun me respekt e duhur atëherë gjithçka shkon në rregull. Kujdesem shumë që mos të kem pranë meje miq fals, pra për mua janë armiqtë më të dëmshëm.
-Çfarë nuk e bën asnjë si ti?
-Nuk e di. Nuk e besoj të jem kaq i veçantë. Po flas që nga profesioni, ka aktorë shumë të mirë, ka aktorë edhe më të mirë se unë, kështu që përpiqem të jem një person normal, një djalë normal, i cili nuk ka kështu diamante (në kuptimin e personalitetit, veçori ekstreme) por që e rëndësishme është që çdo gjë që bëj, përpiqem të bëj maksimumin. Për mua kjo është prioritare.
-Çfarë do të doje që njerëzit ta shihnin me sytë e tu?
-Gjëja që do të doja që njerëzit të shihnin me sytë e mi është Shqipëria pa filtra. Nëse njerëzit do ta merrnin Shqipërinë siç e marrim unë me kolegun tim apo me stafin e emisionit “Stop”, do të shikonin një Shqipëri pa filtra, një Shqipëri reale, e cila nuk është aq Shqipëri reklamash dhe nuk është aq Shqipëri trailer-ash. Është Shqipëri me filtra të tjera dhe do të doja shumë që shqiptarët të vinin prioritare vendin e tyre, pasi duke e bërë këtë gjë vënë prioritare familjen e tyre, mirëqenien e tyre, pra duke rregulluar këtë Shqipërinë e vogël brenda nesh do të kemi mundësinë të rregullojmë Shqipërinë e madhe, në mund ta quajmë kështu.
-Si të gjeti sezoni i ri?
-Jemi rikthyer me “Stop”, me energji të karikuar. Kam projekte teatrore ne përgatitje e sipër, kam projekte teatrore që u ndërprenë për shkak të Covid-19 dhe kam shumë dëshirë t’i rikthej. Jam në kërkim të një drame të mirë. Do kisha dëshirë të filloj atë eksploroja pak edhe aktrimin drmatik, kështu që jam vazhdimisht në kërkim dhe në proces pune.
-Çfarë ka fundi në fund?
-Lexova një material shumë interesant përsa i përket university, i cili thoshte: “ Nëse nisesh nga një pikë në univers dhe udhëton në vijë të drejtë, do të vijë një moment që ti do kthehesh prap në pikën e fillimit”. Kështu që nuk mendoj asnjëherë që ka një fund, ka gjithmonë një sezon të dytë, të tretë, të katërt, pra, e kam shumë personale këtë punën e infinitit. Unë mendoj që energjia dhe shpirti nuk shkon kot, pra, diku riciklohet. Besoj shumë te kjo logjikë. Fundi, kush e përcakton që është fundi? Fundi mund të jetë fillimi i një gjëje tjetër, ndaj nuk e besoj që të jetë ky fundi i fundit, kurse fundi në fund ka tegelin që e qep rrobaqepsja (qesh)