Unë që ju shkruaj jam Afërdita. Lexova rubrikën tuaj të rrëfimeve dhe vendosa t’ju tregoj një ngjarje që më ka ndodhur disa vjet më parë. Tani jam 21 vjeçe. Në atë kohë shkoja në shkollë të mesme dhe jetoja në një fshat, ndërkohë që sot jetoj në një qytet më të madh, por nuk jam e kënaqur. Ëndrra ime është që të vij në Tiranë, jo edhe aq shumë për ato gjëra që synojnë shumica e të rinjve, si shkolla apo mundësitë, sesa për faktin që dua të kërkoj atë që më bëri të dashurohesha në errësirë, atë që edhe sot e mendoj me lot në sy. Gjithçka ndodhi në dasmën e motrës sime. Ato qenë ditë shumë të bukura për mua. Doja t’i ndihmoja të gjithë, të bëja çfarë mundesha, hidhesha përpjetë sa herë që motra provonte fustanin e bardhë. Isha në qiellin e shtatë. Nuk mendoja për asgjë tjetër veçse për ditët e dasmës që mezi po i prisja. Motra ime vendosi të bënte katër ditë dasëm. Dita e parë shkoi me shumë rrëmujë, por ishte edhe shumë e bukur. Unë ndihesha shumë e lodhur. Po përpiqesha të çlodhesha pak dhe të flija kur dëgjova trokitje në derën e jashtme. Dëgjova edhe babain që doli dhe se me kë po fliste. Zgjata kokën nga dritarja. Brenda u fut një djalë me një çantë në dorë. Babi i thirri mamit dhe më pas nuk dëgjova gjë. Qëndrova edhe pak duke pyetur veten kush ishte ai njeri, por pastaj më zuri gjumi. Të nesërmen, kur u ngritëm për të ngrënë mëngjes, babai na prezantoi me një kushëririn tonë të largët, i cili kishte ardhur nga Italia. Ai jetonte në një fshat tjetër, por kishte ardhur tek ne për dasmën e motrës. Ai na tha që duhet të silleshim mirë me të dhe të mos e bezdisnim. Në fakt, sapo iku babai, unë dhe motrat e mia nisëm që ta rrethonim Dhimon dhe ta pyesnim për çdo lloj gjëje. Ai na tha se do të rrinte deri sa të mbaronte dasma dhe pastaj do të ikte. Po atë ditë do të vinte edhe një shok i tij. Qëndruam edhe pak me të dhe pastaj ikëm për t’u bërë gati. Një ditë tjetër na priste. Në darkë, teksa kishim shtruar darkën e familjes sonë dhe po prisnim njerëzit, pashë kushëririn tim me një djalë shumë simpatik. Nisa ta shihja dhe nuk po ia shqisja sytë. Ishte aq i bukur! Ishte veshur edhe shumë bukur! Kur vura re që edhe ai po më shihte, ula sytë nga turpi, por në fakt e ndieja që ai vazhdonte të më ndiqte me sy, kudo që shkoja. Edhe unë e shihja herë pas here. Teksa po kërceja me kushëririn tim, e pyeta kush ishte ai djali. Ai qeshi dhe më tha që ishte shoku i tij i ngushtë, me të cilin kishte ardhur nga Italia.
“Pse qesh?”, e pyeta.
“Sepse edhe ai më pyeti për ty!”, më tha. “Vetëm ki kujdes, unë e di ç’mendon babai yt për këto gjëra!”.
Unë u skuqa dhe ula kokën, por mendja më qëndronte tek ai. Ëndërrimet e mia i prishi mamaja e cila më thirri dhe kur shkova pranë saj, më tha që duhet të merrja në qilar nga ajo vera e mirë që ruante babai. U nisa me vrap, pasi nuk doja të humbisja asnjë moment nga ajo darkë. U futa në qilar dhe nisa të merrja nga vera e mirë e babit kur dëgjova një zhurmë. Ktheva kokën, por nuk kishte njeri. Nisa të merrja sërish verë, por dëgjova prapë zhurmë.
“Ka njeri?”, ngrita zërin. Ktheva kokën dhe pashë fytyrën bukuroshe të djalit që kisha gjithë darkën që e shikoja. Qesha. Ai m’u afrua dhe më tha: “Të të ndihmoj që ta hedhësh verën?”. Pa i thënë “po”, ai m’u afrua dhe nisi të më ndihmonte. Mbaruam dhe i thashë që duhet të shkonim, por kur po dilnim ai më kapi nga krahu dhe m’u afrua. Nuk po dija çfarë të bëja. Ai më puthi. Drithërima të forta ma përshkuan trupin. Pastaj, ai më vuri dorën në supe dhe më tha që të dilnim se po na prisnin.
Gjatë gjithë mbrëmjes shihja vetëm nga ai. Kërcyem një herë bashkë, por aq sa mund të kërcesh kur ke edhe prindërit rrotull. Më tha që ishte kthyer nga Italia dhe kishte vendosur të qëndronte në Tiranë, tek prindërit e tij, të cilët e kishin shtëpinë afër stacionit të trenit.
“Do të shihemi prapë!”, më tha dhe u largua për te kushëriri im. Më pas nuk u takuam më. Dasma mbaroi dhe në mëngjes të gjithë u larguan. Kushëriri im përcolli mikun e tij dhe më pas u kthye. Unë isha gjithë sy e veshë për të marrë vesh ndonjë gjë, por nuk munda. Dëgjova vetëm Dhimon që i tha babit se e kishte përcjellë shokun e tij dhe ai e falënderonte për mikpritjen, por nuk e pyesja dot ku kishte shkuar ai. Ditët e tjera shpresova që ta shihja, por ai nuk erdhi. Megjithëse u kënaqa, prapë mendja më rrinte tek ai dhe tek fakti që doja ta takoja sërish.
Pas dasmës, kushëriri im u nis për në fshatin e tij. Nuk e mora më vesh se çfarë u bë me djalin tim. Që nga ajo kohë mendoj vetëm për të. E gjithë dita më shkon duke pyetur veten çfarë është duke bërë, nëse po më mendon, nëse ka gjetur ndonjë vajzë tjetër apo është larguar prapë. Kam fiksuar që shtëpia e tij ishte afër stacionit të trenit dhe fiksimi im është që të shkoj në Tiranë dhe ta kërkoj. Deri tani nuk e kam pasur këtë mundësi. Tani kemi lëvizur nga fshati në qytet dhe shpresoj që ndonjë ditë të kem mundësi ta takoj sërish. Ndoshta ai lexon këtë rrëfim dhe vendos të vijë vetë tek unë. Unë di vetëm që ka rënë në dashuri kokë e këmbë dhe nuk do të jem mirë derisa ta takoj sërish. Atëherë jeta ime do të marrë kuptim!