Ai është i ri në fushën ku lëvron por kjo jo vetëm nuk e ka penguar por i ka dhënë shtysë të ecë përpara dhe të arrijë synimet e tij. Donard Koçi, pasionin për fotografinë e ka përkthyer me punë dhe angazhime. Është fotografi zyrtar i filmit më të ri që do dalë në kinema shumë shpejt “Gjurmë pa shenjë” dhe kjo e ka shtyrë edhe për disa premisa të tjera në punën e tij. Njihuni më tej me Donardin…!
-Përshëndetje Donard! Nëse do të ishe përpara një jurie profesionale çfarë do të tregoje për veten? Na trego diçka për ty, pse zgjodhe fotografinë dhe çfarë domethënie ka fotografia për ty?
-Nëse do të isha përpara një jurie do flisja pak për veten dhe më shumë për punën. Çfarë t’ju tregoj? Mundohem dhe luftoj që të plotësoj ëndrrën që kam. I kam vënë vetes një qëllim dhe dashtë Zoti e arrij shumë shpejt. (Buzëqesh) Zgjodha fotografinë sepse më pëlqen shumë dhe e kam pasion. Në foto gjen domethënie çdo detaj i jetës!
-Filmi dhe fotografia, një binom i fortë. Dimë që edhe ti e ke të lidhur këtë hallkë, në një film që do të dalë së shpejti në publikim me titull “Gjurmë pa shenjë” Çfarë do shtoje më tej?
-Filmi dhe fotografia është gjëja më e bukur që ndodh të bësh në jetën e përditshme. Unë si fillim e nisa si fotorgraf filmi dhe pa dashje më futën dhe në film si aktor. (Qesh) Mezi pres të dalë filmi që dhe unë të shikoj veten dhe të gjithë sesi kemi arritur të bëjmë një projekt kaq të madh me buxhet personal do të shtoja dhe diçka, nëse të jepet mundësia të bëhesh fotograf ose aktor në një film mos të të vijë turp apo të heqësh dorë që në dështimet e para. Askush s’ka lindur i ditur, me kohën mëson dhe bëhesh më profesionist.
– Në cilin zhanër të fotografisë lundron dhe ku buron frymëzimi për ty?
-Unë jam në zhanrin e fotografit të filmit, që do të thotë jam fotograf filmi dhe bëj foto gjatë xhirimeve, kur fillon xhirohet skena,frymëzimin si fotograf dhe ndihmën e parë ma ka dhënë shoku im më i ngushtë Fatlindi, pastaj gjatë rrugëtimit më ka ndihmuar dhe regjizori im Maksi.
– Çfarë rregullash ndiqet nga ideja deri tek realizimi i fotografisë, ose më saktë a ka ndonjë rregull për t’u ndjekur?
-Rregullat duhet të ndiqen sepse na bëjnë më seriozë dhe profesionistë, gjithmonë ka rregulla.
– Donard, si mendon cili është dallimi në mes të bukurës dhe vulgares?
-E bukura mbetet e bukur, vulgarja mbetet vulgare.
– Sa i rëndësishëm është fotoshop-i dhe programe të tjera të editimit për formën finale të fotografive që ti realizon?
-Një fotograf duhet patjetër të njoh programet bazë për të edituar fotot, çdo program editimi ka përdorimin e vet dhe unë gjithmonë mësoj të përdor programet për të edituar fotot dhe në fund të jap rezultatin tim maksimal.
– Ke ndonjë foto që e ke me merak dhe e ke të skalitur në mendje?
-E kam një foto që vërtet më bën të trishtohem sa herë e shikoj është një skenë, ku protagonistit i vrasin vëllain dhe ky i lanë xhenazen, skenë që seriozisht për mua meriton çmim.
– Cila është sfida jote më e madhe si fotograf?
-Sfidat janë njerëzit që më rrethojnë sepse nuk besojnë në atë që merrem u duket budallallëk, por duke punuar shumë dhe duke iu përkushtuar fotografisë së filmit do ja dal dhe kësaj sfide.
-Çfarë shikon në të ardhmen tënde artistike?
-Prej filmit ku jam aktor dhe fotograf më ka lindur frymëzimi të bëj edhe vetë film, skenarin e të cilit po e shkruaj gjithashtu vetë. E kam thënë dhe në intervistat të tjera që në planet e mia është realizimi i një filmi tërësor nga unë.
– Në fund, një mbyllje si artist i ri që je, një mesazh që ke për të dhënë?
-Si artist i ri që jam nëse keni një ëndërr mos hiqni dorë dhe mos u ndikoni në fjalët e njerëzve të shoqërisë apo dhe nëse familja është kundër, nëse është diçka e mirë për të ardhmen, lufto puno se do ja dalësh!