Kishim vite pa e parë, deri në momentin kur në ekrane doli klipi “Mos nënshkruaj”, shoqëruar, sigurisht, nga zëri i saj origjinal… Ku është Pandora sot? Çfarë ka ndodhur në jetën e saj? Këto pyetje na lindën neve dhe besojmë, edhe juve, ndaj vendosëm ta sjellim në këtë bisedë të sinqertë dhe të hapur, për ne dhe ju…
Arjana Bregu: – Pandora përshëndetje! Sapo ke sjellë në treg një këngë mjaft të ndjerë… Çfarë u bë shkak për “Mos nënshkruaj”?
Pandora: – Ka qenë tekstshkruesja, e cila më ofroi këtë tekst me një temë thuajse aktuale për martesa pa dëshirë e martesa interesi…
– Ke njohur në jetë ndonjë rast të ngjashëm?
– Ka ndodhur të dëgjojmë raste të tilla, por pasi janë ndarë. Personalisht, nuk njoh dikë që ka jetuar një histori të ngjashme dhe uroj të mos ndodhin të tilla në kohët në të cilat jetojmë.
– Duket se gjërat kanë shkuar mbarë që nga dueti i këngës së njohur me Xhavit Dedejn. Çfarë kujton me nostalgji nga ajo periudhë?
– Gjërat më kanë ecur mbarë shumë më herët dhe dueti ka qenë një sukses i radhës. Gjithsesi, ka qenë një periudhë shumë e bukur.
– Nëse do të vendosje të bëje një tjetër duet, cili është emri që të vjen në mendje tani?
– Kam shumë oferta nga kolegë e kolege për duete, nuk do të kisha veçuar ndonjë.
– Shumë nga ata që po e lexojnë këtë intervistë, mund të mos e dinë që ti edhe je martuar ndërkohë… Mezi presim të na tregosh për historinë tënde të bukur të dashurisë!
– Po, jam martuar në Gjilan të Kosovës dhe falënderoj Zotin që kam afër njeriun të cilin e kam dashur gjithmonë. Historia ime e dashurisë fillon qysh në vitin 2002 dhe që prej atëhere, ka shumë momente të bukura që nëse filloj t’i përshkruaj, do të mbushnin gjithë faqet e gazetës. (Buzëqesh)
– A ka bashkëshorti lidhje me muzikën? Sa të ka ndihmuar ai për rritjen profesionale?
– Bashkëshortin e kam muzikant dhe është ai që më ka ndihmuar dhe vazhdon të jetë mbrapa gjithë këtyre sukseseve të mia.
– Tani, përveç bashkëshortit, ke edhe një fëmijë… Çfarë ka sjellë ai në jetën tënde?
– Ne kemi një vajzë të vogël e cila tash në mars ka mbushur 4 vjeçe dhe është drita e syve tanë. Ajo na e ka ndryshuar jetën plotësisht, për mirë. Shkurt e shqip, ne për të jetojmë, punojmë e veprojmë.
– Fillimisht, e kishe menduar se do të ishe kaq e suksesshme një ditë?
– Të them të drejtën, nuk e kisha menduar këtë gjë, mirëpo me punë mbërrihen të gjitha dhe vazhdoj të punoj për më shumë; kjo nuk është e gjitha!
– Çfarë mendon se ka ndikuar në këtë sukses?
– I pari dhe kryesori është vokali im e mënyra e interpretimit.
– Si vendose të pozicionoheshe në Zvicër, ta ndërtoje jetën tënde atje?
– Ishte koha kur në Shqipëri, për të lëvizur e vepruar jashtë shtetit, të lodhnin ambasadat me pritjet e gjata për një vizë, rropatje të ndryshme me dokumentet, të cilat për fat të keq, i bënin vetë shqipfolësit brenda ambasadave… Zvicra ishte dhe është alternativa më e mirë për të jetuar në të gjitha aspektet.
– Çfarë të tërheq më shumë atje?
– Atje ka rregull dhe ligji mbizotëron mbi të gjitha, duke të garantuar në çdo aspekt, siguri maksimale.
– Sa herë vjen tani në Shqipëri? Ke shpesh ftesa për të kënduar këtu?
– Nuk mund të them se vij shpesh, mirëpo kur jemi në Kosovë, zakonisht, gjej kohë për t’i vizituar njerëzit e mi në Rrëshen të Mirditës. Sa u përket ftesave, po, kam edhe dasma e mbrëmje në Shqipëri, por largësia bën të jem më pak e pranishme sepse edhe kostoja del e lartë që të vij enkas nga Zvicra.
– Vihet re një rifreskim në lukun tënd në tërësi… Flokë të shkurtër, veshje të tjera, posturë ndryshe… Ishte një sugjerim nga dikush apo e zgjodhe ti vetë?
– Jo, zgjedh vetë zakonisht, si shumica e femrave që bëjnë prova në dukje.
– Sa rëndësi i kushton pamjes e përgatitjes përpara pasqyrës në përditshmëri?
– Në jetën private jam shumë e thjeshtë, aq sa shumica dhe nuk më njohin nëse më takojnë.
– Dieta, palestra, qendra bukurie janë në natyrën tënde dhe sa i frekuenton ato?
– Palestër kam bërë gjithmonë, por qëkur ka lindur vajza, kam mbetur pak mbrapa sepse më duhet të kujdesem për të derisa të rritet pak, kurse dietë mundohem të mbaj.
– Duhet të jesh e pashme në këtë profesion?
– Po, pamja është njëra prej predispozitave në këtë fushë.
– Je me filozofinë se paraja shkon e vjen apo kur vjen, mbaje?
– Paraja shkon e vjen, shëndeti mbi të gjitha.
– Cilat janë gjërat që kanë më shumë vlerë në jetën tënde?
– Familja.
– Për çfarë merr më shumë komplimente, zakonisht?
– Për interpretimin, thjeshtësinë dhe modestinë.
– Të pëlqen fama?
– Fama për mua është sa e mirë, aq edhe e keqe sepse të pengon në jetën private.
– Ku të presin më mirë?
– Unë performoj më shumë nëpër dasma e ahengje të ndryshme, mbrëmje rinore e familjare, ku jam e ftuar speciale dhe zakonisht, më presin mirë kudo, nuk do të kisha veçuar një vend.
– Cilën konsideron si këngën tënde më të mirë? Cila është pritur më mirë se të gjitha nga publiku?
– Kam disa këngë që janë pritur mirë nga publiku; gjithashtu edhe kjo e fundit “Mos nënshkruaj” është pritur dhe komentuar për mirë në të gjitha aspektet.
– Çfarë marrëdhënieje ke me kolegët e tjerë të skenës muzikore? Ke miq prej tyre apo thjesht, raporte mes kolegësh?
– Ruaj raporte shumë të mira me të gjithë kolegët anembanë trojeve shqiptare dhe janë thjesht raporte mes kolegësh.
– Pandora, mendon të lësh gjurmë në muzikë?
– Shpresoj që po.
– Çfarë konsideron fat në jetën tënde?
– Konsideroj fat familjen e burrit tim, e cila më konsideron si vajzën e tyre e pastaj, si nuse.
– Çfarë duhet të presin fansat nga ti në vazhdim?
– Fansave mundohem t’u servir gjithmonë këngë të bukura, në mënyrë që të mos i zhgënjej.
Mos nënshkruaj…
– Kontrata më interesante që ke nënshkruar deri më sot…
– Për besë, nuk merrem shumë e shumë me kontratat, s’mbaj mend ndonjë interesante.
– Ke nënshkruar ndonjëherë diçka pa e lexuar?
– Hëm, po, dhe më ka kushtuar shumë nga ana financiare.
– Për çfarë do të nënshkruaje një marrëveshje me djallin? Ndoshta për të patur rini të përjetshme?
– Për asnjë arsye, qoftë larg!