Intervistë me specialistin bankier Ernest Kotoni
Ardian Fullani, Inspektori i Përgjithshëm dhe anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, janë fajtorë të vjedhjes
Ernest Kotoni, me një përvojë 40 vjeçare si specialist bankar, i cili ka punuar mbi 20 vjet në kontrollin e Bankës së Shqipërisë, në intervistën për gazetën “Intervista” argumenton se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Fullani, por edhe Këshilli Mbikqyrës janë fajtorë të drejtpërdrejtë të vjedhjes së thesarit në BSH-së, pasi, siç pohon zoti Kotoni, ata, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, nuk kërkuan që para se të transportohej departamenti i thesarit nga BSH-ja në Linzë, të hartohej rregullorja e brendshme. Gjithashtu, Fullani, por edhe të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, sikurse edhe Inspektori i Përgjithshëm i BSH-së janë fajtorë, me papërgjegjshmërinë dhe me paaftësinë e tyre profesionale, që për 4 vjet nuk kanë kërkuar inventarizimin periodik të thesarit, që siç thotë zoti Kotoni, nëse do të ishte kryer me përgjegjësi, do ta kishte identifikuar qysh herët vjedhjen. Zoti Kotoni pohon se ligji “Për Bankën e Shqipërisë” përcakton se drejtuesit, sikurse Guvernatori, Inspektori i Përgjithshëm dhe anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, duhet të shkarkohen menjëherë, nëse dëshmohet papërgjegjshëria dhe paaftësia e tyre profesionale për të drejtuar, sikurse u dëshmua në vjedhjen e thesarit të BSH-së. Ndaj, që të shkarkohet Fullani, anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, thotë specialisti banker, zoti Kotoni, nuk është e nevojshme që çështja të procedohet në Parlament, sikurse edhe ligji “Për Bankën e Shqipërisë” nuk është e domosdoshme që të ndryshohet, duke marrë shkak nga vjedhja e thesarit…
Petraq Barjami: – A mund të konsiderohet një vjedhje ordinere vjedhja e Bankës së Shqipërisë?
Ernest Kotoni: – Këtë vjedhje mund ta ketë kryer edhe një njeri i vetëm, duke patur parasysh që nuk është zbatuar asnjë lloj rregulli i ruajtjes dhe kontrollit të vlerave monetare në kasafortë. Që në momentin që çelësat iu dhanë në administrim një personi të vetëm, u krijuan të gjitha mundësitë për të realizuar vjedhjen…
– Fakti që çelësat e kasafortës iu dorëzuar një njeriu të vetëm, a nuk lind dyshimin se mund të kemi edhe bashkëpunim në vjedhje?
– Një veprim të tillë mund ta kryejë vetëm një njeri që e ka idenë e organizimit të punës në arkën e Bankës. Nga ky shkak nisem, që them se vjedhja mund të kryhet edhe nga një njeri i vetëm, por teorikisht, nuk përjashtohet mundësia që mund të ketë patur dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
– Ju, keni qenë për një kohë të gjatë nëpunës i Bankës së Shtetit. Mund të na thoni se, si ka mundësi që kjo vjedhje u krye në një periudhë 3 vjeçare dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë nuk e kishin pikasur?
– Kryerja e vjedhjes për një periudhë 3 vjeçare tregon se kontrollet në thesar kanë qenë formale. Nuk janë zbatuar rregullat e inventarizimit, ose nuk janë kryer fare këto veprime.
– Vetë prokuroria dyshon që shuma e deklaruar e vjedhjes mund të jetë më e madhe nga 713 milionë lekë. Pyetja është: A e ka deklaruar Banka e Shqipërisë shumën e vërtetë të vjedhjes?
– Duke patur parasysh që pasi u publikua vjedhja e kryer në thesar, Banka e Shqipërisë organizoi kontrollin e plotë të thesarit, mendoj se shuma e vjedhjes prej 713 milionë lekësh që ka deklaruar Banka e Shqipërisë është e saktë. Nuk mendoj se do jenë shkelur rregullat e inventarizimit edhe në një situatë të tillë. Nëse vërtetohet hipoteza që thatë, se prokuroria dyshon që shuma e vjedhjes është më e madhe nga ajo e deklaruar zyrtarisht nga vetë Banka e Shqipërisë, në rastin më të mirë është paaftësi e theksuar profesionale, si e drejtuesve, ashtu edhe e punonjësve të thjeshtë. Dhe, në rastin më të keq, është mashtrim.
– Mos ndoshta as tani, Banka e Shqipërisë nuk e di shumën e vërtetë të vjedhjes?
– Teorikisht, ekziston kjo mundësi, nëse nuk është kryer në rregull inventarizimi i fundit i thesarit.
– Kjo vjedhje që ndodhi në Bankën e Shqipërisë, a mund të ndodhë edhe në ndonjë bankë të nivelit të dytë?
– Vjedhje nëpër banka kanë ndodhur, por vjedhje të kësaj natyre, të tërheqjes fizike nga kasaforta e Bankës së parave nga vetë punonjësit e bankës, aq më keq në një periudhë sistematike 3 vjeçare, nuk ka ndodhur asnjëherë, sepse ruajtja fizike e parave në çdo bankë nuk i është besuar asnjëherë një njeriu të vetëm, por minimalisht 3 personave, që janë drejtuesit kryesorë të çdo njësie dhe filiali.
– Kush janë përgjegjësit për vjedhjen e ndodhur në Bankën e Shqipërisë?
– Vjedhja në Bankën e Shqipërisë ka ndodhur për arsyen e vetme sepse siguria fizike e parave në kasafortë iu besua një njeriu të vetëm dhe jo 3 personave, siç ka qenë historikisht ky rregull. Sasia e vjedhjes ka qenë në varësi të moskryerjes së kontrolleve dhe inventarizimeve sipas rregullave. Për të përcaktuar përgjegjësinë e vjedhjes, duhet të përcaktohet: Kush e ka dhënë urdhërin që të tre çelësat e kasafortës t’i dorëzohen Adrian Bitrajt? Dhe, cilët e kanë miratuar këtë urdhër? Këta janë personat përgjegjës? Përgjegjës, për mendimin tim, janë dy punonjësit që kanë dorëzuar çelësat, pavarësisht nga urdhëri i dhënë, pasi kjo nuk ka qenë e përfshirë në rregullore.
– A nuk të shtyn kjo te dyshimi, që vjedhja të ketë qenë e organizuar?
– Teorikisht, ekziston kjo mundësi, por bindja ime, si specialist, është që ky urdhër është dhënë nga njerëz të mangët mendërisht dhe profesionalisht.
– Po organet drejtuese të Bankës së Shqipërisë, si Këshilli Mbikqyrës, Inspektori i Përgjithshëm, Guvernatori dhe zëvendësvguvernatori, a kanë përgjegjësi për vjedhjen e thesarit të kësaj banke?
– Po t’i referohemi ligjit nnumër 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 45, shkronja “f” përcaktohet se: “Këshilli Mbikqyrës ka kompetencë të miratojë… rregulloret e brendshme të Bankës së Shqipërisë”. Pikërisht mungesa e kësaj rregulloreje, ka çorientuar punonjësit e thesarit dhe stimuloi dorëzimin e çelësave të kasafortës në duart e një njeriu. Kjo rregullore u miratua në mars 2014, kur porosia nga Këshilli Mbikqyrës i BSH-së ishte dhënë në 2011, në momentin kur departamenti i thesarit vajti në objektin e Linzës. Ligjërisht, kjo rregullore duhet të ishte miratuar përpara se ky departament të transferohej në Linzë. Edhe nëse ishte i ngutshëm transferimi i departamentit të thesarit në Linzë, duhej pritur aq kohë derisa të miratohej rregullorja. Së dyti, Guvernatori dhe zëvendësguvernatori, duke qenë drejtuesit ekzekutivë të BSH-së dhe njëkohësisht, anëtarë të Këshillit Mbikqyrës, janë fajtorë dy herë për vjedhjen e ndodhur, sepse këta e kanë ditur shumë mirë që në departamentin e thesarit, përveç mungesës së rregullores së brendshme të funksionimit të atij departamenti, ka munguar edhe kontrolli (auditi) i brendshëm. Sipas ligjit “Për Kontabilitetin” kontrollet e plota fizike të pasurisë së një subjekti bëhen çdo vit. Pra, guvernatori dhe zëvendësguvernatori i BSH-së kanë lejuar që vjedhja të rritet në një sasi të madhe. Përgjegjësi ka edhe Inspektori i Përgjithshëm i BSH-së, që nuk ka kryer kontrollet periodike në departamentin e thesarit.
– Kjo përgjegjësi e Inspektorit të Përgjithshëm në rastin konkret të vjedhjes të BSH-së, a mund të jetë penale, sa të arrestohet edhe ai si i dyshuar, apo është thjesht shkelje e rregullave administrative?
– Unë nuk jam jurist dhe nuk bëj dot prokurorin, por duke u nisur nga eksperienca, kam konstatuar se moskryerja e veprimeve që ka sjellë pasoja të rënda ekonomike, në të gjitha rastet, është konsideruar vepër penale. Po të ishin kryer kontrollet periodike nga Inspektori i Përgjithshëm i BSH-së, vjedhja nuk do të ishte në këto përmasa.
– Duke qenë se drejtori i departamentit të thesarit të BSH-së, Çollaku, ishte emëruar nga Guvernatori dhe ishte dhëndrri i mbesës të Fullanit, a nuk është ky emërim tipik nepotik, që solli këtë dëm ekonomik të BSH-së?
– Patjetër! Kjo është edhe një nga përgjegjësitë e Fullanit.
– A duhet të vazhdojë të drejtohet BSH-ja nga këta përgjegjës ligjorë të drejtpërdrejtë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, për vjedhjen e thesarit të BSH-së?
– Të gjithë drejtuesit e BSH-së, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të BSH-së, duhet të largohen. Guvernatori dhe zëvendësguvernatori janë përgjegjës sepse kanë lejuar që për 3 vjet me radhë të mos ushtrohet kontroll në degën e thesarit. Gjithashtu, ata kanë lejuar që ky sektor të funksionojë pa një rregullore për rreth 3 vjet me radhë. Gjithashtu, guvernatori dhe zëvendësi i tij, duke qenë administratorë të BSH-së “dekorohen dhe ndëshkohen” për sukseset dhe skandalet që ndodhin në institucionin që ata drejtojnë. Anëtarët e Këshillit Mbikqyrës janë përgjegjës, sepse me mosveprimet e tyre kanë lejuar që guvernatori dhe zëvendësguvernatori të mos kryejnë detyrën në përputhje me interesat e BSH-së. Njëkohësisht, këta janë përgjegjës edhe për përkrahjen morale dhe ligjore që u dhanë shkelësve të rregulloreve, me deklaratat e tyre publike. Këta persona mund të kenë njohuri shumë të thella shkencore, por nuk janë të devotshëm për detyrën e ngarkuar.
– Me dorëheqje, apo me shkarkim?
– Dorëheqja është një akt vullnetar i vetë subjektit. Dorëheqja nuk i kërkohet asnjë njeriu. Dorëheqjen duhet ta bëjë vetë personi, nëse ndjen përgjegjësi, qoftë edhe morale, për ngjarjen e ndodhur. Dorëheqja është një akt qytetar që ia rrit vlerat atij që e kryen këtë veprim. Në rastin konkret, duke u nisur nga sa thamë më sipër, për veprimet dhe mosveprimet e Këshillit Mbikqyrës, të guvernatorit dhe zëvendësguvernatorit të BSH-së, konkludohet se ata duhet të shkarkohen për paaftësi. Pavarësisht se në nenin 47 të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” nuk parashikohet që anëtarët e Këshillit Mbikqyrës shkarkohen për paaftësi në kryerjen e detyrës, kjo nuk përbën pengesë ligjore (apo mbrojtje ligjore) siç duan ta trajtojnë miqtë e Fullanit dhe të të tjerëve, për të mos e ndërmarrë këtë veprim. Prezumohet se kushti numër një për të kryer një detyrë, është aftësia profesionale. Drejtuesit e BSH-së, përfshirë edhe anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, që qysh në fillim kanë qenë të paaftë dhe vjedhja në thesarin e BSH-së, e dëshmojnë katërcipërisht paaftësinë profesionale. Në rastin konkret, ndodhemi para faktit që i gjithë Këshilli Mbikqyrës i BSH-së nuk plotëson kushtet e domosdoshme për këtë funksion dhe për këtë arsye, të gjithë këta persona, duhet të shkarkohen.
– Kjo vjedhje e thesarit të BSH-a a nuk dëshmon, veç të tjerash, që edhe ligjbërësit në hartimin e miratimin e ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” nuk kishin parashikuar situata të tilla?
– Është normale që të mos e parashikosh në ligj rastin e vjedhjes, sepse prezumohet që po ndodhi kjo, personat përgjegjës janë të paaftë.
– Në emër të pavarësisë së institucionit të BSH-së, thuhet se as Parlamenti nuk ka mundësi ligjore që të shkarkojë Guvernatorin, zëvendësguvernatorin e Këshillin Mbikqyrës, edhe pse ndodhi kjo vjedhje?
– Pavarësia e BSH-së nuk realizohet duke marrë në mbrojtje të paaftët. Politikanët tanë të nderuar, për të ndihmuar miqtë e tyre te BSH-ja, që të mos i shkarkojnë, i referohen shumë faktit që në nenin 47 të ligjit “Për BSH-në” nuk është parashikuar një pikë e veçantë, ku të përcaktohet që: “Guvernatori dhe anëtarët e Këshillit Mbikqyrës shkarkohen ne rast se Dega e Thesarit vidhet, apo kur ndodhin ngjarje skandaloze në institucion”. Mungesën e kësaj pike, këta politikanë e konsiderojnë “mbrojtje ligjore” të guvernatorit dhe të anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës. Nga politikanët shumë pak zëra janë dëgjuar të thonë që të shkarkohet i gjithë Këshilli Mbikqyrës i BSH-së. Pjesa dërrmuese e tyre “luten” që “guvernatori dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikqyrës të japin dorëheqjen”, sepse në nenin 47 të ligjit për BSH-në, nuk parashikohet ky rast për t’i shkarkuar këta persona. Të kërkosh që guvernatori dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikqyrës të japin dorëheqjen, sepse po u luten politikanët për të kryer këtë akt, është mashtrim dhe, në rastin më pak të dëmshëm, është budallallëk. Pavarësia intitucionale dhe kushtetuese e BSH-së shërben për të mbarëvajtur ekonominë dhe jo për ta dëmtuar ekonominë. Në rastin konkret, nuk po ndërhyhet në kompetencat e Këshillit Mbikqyrës të BSH-së e të guvernatorit të saj, për interesa politike të një partie apo koalicioni partiak të caktuar, qoftë në maxhorancë apo në opozitë, por kërkohet të ndërhyhet në favor të mbarëvajtjes së ekonomisë në vendit dhe mbi të gjitha, për të krijuar mendimin se nuk ka njerëz që nuk ndërshkohen nga ligji, kur ata, me veprimet e mosveprimet e tyre, kanë cënuar ligjin. Vetë ligji është bërë për të mbrojtur pavarësinë institucione e kushtetuese të BSH-së dhe jo paaftësinë profesionale të drejtuesve të saj.
– Dëmin ekonomik të vjedhjes së 713 milionëshe nga BSH-ja, në fund të fundit, kush do ta paguajë?
– Nëse hajdutit i gjenden shuma e vjedhur, nuk kemi dëm ekonomik, por nëse hajdutit nuk i konfiskohet kjo shumë, dëmin ekonomik do ta mbajë në kurriz populli…