“Thikë me dy tehe” kështu e ka cilësuar stilistja e njohur Blerina Kllokoqi Rugova të qenit nuse në shtëpinë e Presidentit Ibrahim Rugova. E ftuar në emisionin “Vizioni i Pasdites” teksa u ndal gjatë në jetën e saj personale u shpreh se mbiemri i bashkëshortit është një privilegj por njëherazi mund të bëhet edhe pengesë.
“Është privilegj dhe kënaqësia më e madhe që këtë fat e kam pasur unë. Të jem pjesë e një familje presidenciale. Unë dhe motra ime, jemi dy motra për dy vëllezër, është thikë me dy tehe. Shumicën e rasteve ndihesh krenare me punën tënde, por ka raste që duhet ta ndalosh veten me qëllime të caktuara që mos të dëmtosh imazhin e Presidentit. Gjithçka lidhet me familjen”, u shpreh stilistja.
Blerina Kllokoqi Rugova u ndal gjithashtu edhe tek krijimi i vellos së Princeshë Elia Zaharias e cila bëri xhiron e mediave.
“Të gjithë mbretëritë në dasmën e Elias e kanë komplimentuar si vellon më të bukur të dasmave mbretërore. Është shumë vështirë kur ke të bësh me një mbretëreshë, ose një princeshë. Kodi është kod. Protokolli është protokoll dhe ka rregulla. Por më ka ndihmuar shumë bashkëpunimi me Presidenten Jahjaga që ka pasur një kod të caktuar. Çfarë është mire e çfarë është keq. Me Princeshë Elia kemi punuar dy muaj e gjysmë, dhe ka këmbën e mbarë. Ka qenë interesante, për një muaj më ka thënë “është në dorën tënde, ti e di çfarë do bësh e si do jetë”.Deri në momentin që e ka vesh, po prisnim të shihnim si do reagonte se nuk e kishte pare asnjëherë. Dhe ngeli e shtanguar dhe më tha që i kisha tejkaluar pritshmëritë e saj”, përfundoi Blerina Kllokoqi Rugova.