Jeta e tij është e ndarë mes Shqipërisë dhe Amerikës. Në një rrëfim të veçantë Kujtim Shehu tregon për vitet e gjata në muzikë, për projektet e fundit dhe për mënyrën sesi ka ndryshuar jetesa e tij që prej ikjes nga Shqipëria. Shehu përveç të tjerash ushtronte dhe profesionin e dijedhënësit. Një udhë e gjatë artistike, që tregon sesi mbijeton një këngëtar i mirë në një treg me shumë larmi rrymash muzikore.
Keni munguar goxha në ekranet muzikore, pse kjo mungesë dhe pse ky rikthim tani me një këngë që do flasim pak më shumë për të në këtë intervistë?
E vërtetë është që unë kam afro 4 vite e gjysmë që i mungoj publikut, pasi u largova nga Shqipëria dhe jetoj në Neë York. U riktheva me këtë këngë meqë kisha disa ditë pushim dhe mu dha mundësia të realizoja këtë këngë.
Si po e kaloni situatën që izoloi të gjithë botën, a janë këngëtarët, muzikantët më të prekurit dhe më të dëmtuarit nga kjo situatë?
E vërtetë kjo situatë e mpiu të gjithë botën, por unë nuk e kam ndjerë, pasi unë punoj te “3 ËORLD TRADE CENTER” dhe nuk e kam ndërprerë punën. Por, më vjen keq për të gjithë kolegët muzikantë sepse ata janë më të dëmtuar, pasi jeta e tyre varet nga muzika. Këtu dua të ndalem pak pasi unë gjithmonë e kam pasur parimin, që artisti duhet të këtë dhe një punë të dytë dhe kjo është arsyeja që unë kur isha në Shqipëri e mbajta profesionin e mësuesit të matematikës.
Ku ka qenë më e përqendruar puna juaj këto kohë?
Këto 4 vite angazhimet e mia muzikore kanë qenë nëpër disa shtete të Amerikës kuptohet me publikun tonë, ndërkohë isha i fokusuar tek gjuha, puna dhe familja, pasi nuk është e kollajtë ta përballosh jetën këtu. Por, jam i lumtur që unë e kam kaluar atë fazë.
Siç thamë edhe më lart ju sapo keni publikuar këngën më të re me titull “Mi ke buzët si qershi”… Ç’mund të na thoni për këtë produksion të ri muzikor? Si erdhi, kush janë bashkëpunëtorët e këtij projekti dhe si mendoni se do pritet tek publiku?
Në fakt, në këto ditë karantinë për publikun jo për mua unë realizova një inçizim live nga telefoni dhe një duet me kolegen dhe miken time Greta Zani dhe pas kësaj mendova të realizoj dhe një këngë solo. Vendosa të këndoja këtë këngë dhe falë mikut tim Ilir Balla, që u tregua i gatshëm. Mbasi e inçizova nga telefoni vendosa ti bëj një xhirim të thjeshtë, por për montazhin i telefonova një tjetër miku Ernis Cili ai i pa dhe me tha të bëj tjera xhirime dhe meqë unë punoj te ish kullat binjake pata mundësinë ta filmoja Manhattanin nga lartë. Mbasi u bë montazhi atëherë Liri më tha që kënga do të orkestrohet nga e para, që të mos të quhet realizim karantinë. Mirëpo mu desh të kërkoja studio për inçizimin e zërit, pasi nuk dukej mirë me inçizim telefoni. Por, fati e deshi që kam afër Drini Sarcin, i cili me ndihmoj të inçizoj zërin dhe kështu u realizua kënga falë miqve. Por nuk e prisja këtë reagim të publikut me komente pafund. Pra nga një herë gjërat e rastit dalin më interesante.
Në kohë pandemie a është mënyra më e mirë për të qenë më afër me publikun me muzikën që bëni?
Kjo kohë pandemie besoj ka qenë stresuese për muzikantët dhe nuk mendoj që është kohë e mire, por megjithatë këngëtarët janë munduar me sa shoh të argëtojnë publikun me realizimet live nga telefoni. Por, unë nuk kam shumë kohë në dispozicion.
Tek ju, ka më shumë ndikim tradicionalia apo modernia?
Në fakt unë i pëlqej edhe tradicionalen edhe modernen. Më pëlqen të risjell këngët tradicionale me trendin e kohës pa dalë nga korniza e këngës.
Jeni një këngëtar me karrierë të gjatë tashmë në muzikën shqiptare dhe kjo bën që edhe axhenda juaj të jetë e zënë(përtej situatës së krijuar).Çfarë kriteri përdorni për përzgjedhjen e aktiviteteve, ku jeni i ftuar për të kënduar?
E vërtetë është unë kam 25 vite që këndoj por jo në çdo lloj ambienti mund të këndoj. Unë preferoj ambiente familjare pasi repertori im është me muzikë popullore, lehtë dhe me këngë italiane dhe greke. Dasmave ju kushtoj shumë rëndësi pasi është dita më e bukur e personit që martohet dhe dua të nxjerrë në pah aftësitë e mia profesionale.
Keni ndonjë të preferuar prej rrymave të muzikës, veç asaj që lëvroni?
Preferencat e mia muzikore janë ato që unë i zotëroj duke kënduar pra këngë popullore, të lehta shqiptare, greke dhe italiane. Para disa vitesh kam kënduar këngën vivo per lei.
Si është jeta juaj mes Amerikës dhe Shqipërisë?
Tani besoj interneti e ka zvogëluar distancën e Amerikës me Shqipërinë dhe unë i mbaj kontaktet me kolegët muzikantë si dhe me kolegët e shkollës pasi kontributi im vazhdon akoma të paktën orarin e shkollës vazhdoj ta bëj. Dhe dua ti përshëndes të gjithë kolegët mësuesit e shkollës time Asim Vokshi me drejtoreshën më të mirë Silva Progri.
Cili ka qenë dhe sa kohë të ka marrë vendimi më i vështirë në jetën tuaj?
Vendimi më i vështirë në jetën time ka qenë kur vendosa të largohem nga Shqipëria pasi ishte i gjithë mundi im disa vjeçar por këtë vendim e morra vetëm për të ardhmen e fëmijëve dhe në përgjithësi unë nuk harxhoj kohë kur marrë vendime kështu që ishte një veprim tepër i shpejtë. Dhe mendoj që nuk kam gabuar pasi unë ndjehem mirë këtu ku jam.
Cila është gjëja më me vlerë që keni bërë së fundmi për veten ose për dikë tjetër?
Mendoj që gjëja më me vlerë që kam bërë është për fëmijët që i solla të rriten dhe të shkollohen këtu pasi Amerika të jep shumë mundësi kush ka dëshirë të eci në jetë. Ndërsa për veten time jam i kënaqur sa kam arritur deri këtu ku jam pavarësisht se kam akoma pretendime për veten.
Si do ta mbyllim këtë intervistë?
Unë po punoj për një projekt tjetër besoj do të jetë gati nga fundi i muajit Gusht. I përshëndes të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës kudo ku janë dhe uroj ditë më të mira pas këtij virusi!
Burimi: Gazeta Shqiptare