Boris Johnson dhe e fejuara e tij Carrie Symonds e kanë quajtur djalin e tyre Wilfred Lawrie Nicholas, kjo në nder të dy mjekëve që u kujdesën për kryeministrin britanik gjatë kohës që ai ishte i shtruar në spital i sëmurë me Covid-19, shkruan euronews.
Johnson u bë baba më 29 prill, dy ditë pasi iu kthye zyrtarisht zyrës pas rreth një muaji i sëmurë.
Emrin e djalit e njoftoi e fejuara, Carrie Symonds, në Instagram të shtunën.
Symonds, 32 vjeçe, shpjegoi se Wilfred dhe Lawrie ishin emrat e gjyshërve të saj dhe Borisit, ndërsa Nicholas ishte për nder të mjekëve Nick Price dhe Nick Hart.
Dy mjekët i shërbyen kryeministrit në spitalin St. Thomas, kur ai u shtrua në gjendje të rëndë.
Personalisht Johnson, 55-vjeç, i falënderoi më 12 prill përmes një mesazhi të bërë publik ku shprehej se do t’ua dinte për nder gjithë jetës.
Symonds, ish-drejtuese e marrëdhënieve me publikun, pati gjithashtu simptoma të Covid-19, por u riaftësua më lehtë.