Një produksion i ri muzikor,
në të cilin kushdo e gjen veten. “Zbrazëti”
një konglomerat ndjesish i punuar bukur që vjen përmes tingujve dhe vargjeve, për të marrë një dimension tjetër kur e sheh të finalizuar.
Mes përjetimesh dhe thënieve të sinqerta, Ina Qato rrëfen të thënat dhe të pathënat e botës së muzikës, pasionin e madh që e ka bërë të prek dyert e suksesit, si dhe mënyrën e natyrshme drejt së cilës synon të rritet profesionalisht.
Ina, sapo ke sjellë një këngë mjaft të bukur me një titull mjaft interesant “Zbrazëti”. Çfarë ke dashur të shprehësh ti përmes saj?
“Zbrazëti” është publikuar më dt. 25 Dhjetor. Është një këngë mjaft e ndjerë, ku përplasen një sërë emocionesh me njëra-tjetrën përgjatë gjithë këngës. Emocionet janë të trishta sa dhe dinamike. Jam munduar që këto emocione ti përshkruaj edhe më mirë vizualisht në performancën time gjatë klipit. Kënga flet për një histori dashurie të madhe, e cila humbi në një humnerë të madhe zbrazëtie dhe dhimbjeje. Shumë njerëz e gjejnë absolutisht veten në këtë këngë sepse të gjithë kanë pasur një histori dashurie, e cila është mbyllur ndoshta edhe pakuptim dhe ka lënë pas trishtim. Në këngë nuk flas unë, por flet shpirti dhe ky mendoj që ka qenq çelësi i bukurisë së kësaj kënge.
Kujt i shkojnë meritat për këtë këngë të bukur?
Unë preferoj të jem kantautore në këngët e mia. Një artist nuk mund të jetë artist nëse nuk krijon. Unë dua që të përcjell emocione dhe mesazhe me këngët e mia. Kam kuptuar që kur i shkruan vet kjo ndjehet edhe më shumë nga publiku. E kam parë që preken dhe e përthithin më shpejt. Me këngën “Zbrazëti” kam mbajtur vajzat me facoleta. (qesh) Në momentin që shkruaj mendoj në mënyrë të pandërgjegjshme edhe muzikën, ndaj i bëj të dyja zakonisht. Dua të falënderoj Joniad Banushin për orkestrimin. Ai ma kuptoi menjëherë atë që kisha në kokë për këtë këngë si dhe DArt Channel për realizimin e klipit. E gjitha ka ardhur në harmoni dhe është trasmetuar ashtu siç duhet komplet emocioni i këngës.
Kënga “Zbrazëti” klipi i së cilës vjen si një film me metrazh të shkurtër. Çfarë të pëlqen më shumë te kjo këngë?
Klipi është rrugëtimi i shpirtit në zbrazëti. Jo më kot nis si retrospektivë, ku ndryshojnë shumë shpejt ngjyrat nga bardhë e zi, në ngjyra. Ngrihet kapelja dhe fillon tregimi. Në fillim nuk kupton se çfarë ndodhi, pastaj vjen dhimbja, trishtimi e më pas përshkallëzohet në irritim, urrejtje, rënkim i shpirtit. Kërkohet të harrohet, por në fund bie përsëri në “Zbrazëti”. Aty ulet përsëri koka dhe sinjalizon fundin e tregimit. Të jep ndjesinë sikur dhimbja ka mbaruar, por ka lënë gjurmë.
Të pëlqen muzika kështu siç është?
Tregu ka një shumëllojshmëri muzike dhe këngëtarësh. Ka plot këngë, që unë i bëj replay herë pas here në YouTube. Ajo që doja të mos harrohej kurrë është që një tekst, një muzike duhet të përcjell diçka, duhet të ketë një linje mendimi, një artikulim të mirë, pasi është art, dhe arti duhet të vij bukur edhe kur mesazhi është i trishtë. Muzika nuk duhet kthyer në pazar, përfitim apo dallavere. Nuk është politik, është art dhe shpeshherë nuk ndahen mirë konceptet. Kjo sepse ka pak artistë të mirëfilltë.
Në këto kohë kaosi muzikor, sa e vështirë është të mos biesh pre e kompromiseve në art?
Ah, tani më preke një temë, për të cilën mund të flisja deri nesër në mëngjes. Megjithatë do të mundohem të jap idenë në pak rreshta. Unë e ceka pak më sipër që muzika nuk është poltikë, është art. Dhe një artist i vërtet bën kompromise, por që nuk prekin artin që do të përçoj dhe vlerat e asaj që po bën. Nëse kto vlera preken, nëse mesazhi nuk trasmetohet siç duhet atëherë kompromisi shkon përtej artit. Nëse shkon përtej artit nuk është më art, por vetëm biznes. Sigurisht, që një artist do të përfitoj nga ajo që bën, ama siç e thashë “nga ajo që bën”, jo nga ajo çfarë kërkon biznesi. Personalisht nuk bëj kompromise të tilla dhe nuk do i bëj kurrë edhe nëse kjo do të thotë të dal nga tregu i pazareve.
Deri tani, të kemi parë me balada… Ka të bëjë kjo me gjendjen tënde shpirtërore apo me faktin që baladat pëlqehen shumë?
Shiko, varet si ndihem në ato momente. Në çastin që unë jam kantautore, patjetër që reflektohet gjendja ime shpirtërore në tekstet e mia. Gjithashtu kam hedhur shpesh covera baladash. Por, nëse shkoni pak më tej gjeni dhe pasionin tim për muzikën jazz. Madje, mendoj se është muzika që më shkon më për shtat edhe me ngjyrën time të zërit. Vjet kam publikuar një këngë që në fakt ishte ritmike dhe deri diku komerciale dhe before. Ky ishte një bashkëpunim me këngëtarin e ri me moshë, por super të talentuar Aldo Musaku, me të cilin nxorra në treg këngën time të parë. Kështu që, dua të them, varet shumë nga gjendja ime shpirtërore, nga frymëzimi im në ato momente.
Cila ka qenë kënga më prekëse që ke dëgjuar deri tani?
Kënga ime e preferuar dhe ajo më prekëse, të paktën për mua është “My immortal”. Teksti, muzika dhe klipi minimalist, por kuptimplotë i asaj këngë mua më prek sa herë e dëgjoj dhe e shoh. Këngët kantautore duken menjëherë sepse duket sikur i prek emocionet që trasmetojne. Duken gati gati reale, sikur i përjeton.
Lidhur me muzikën, ka ndonjë moment që nuk do t’ia falje vetes një gabim apo diçka që tani nuk do e kishe bërë?
Nuk para pendohem për gjërat që bëj sepse në fund të fundit ashtu i ndiej. Unë i besoj shumë intuitës sime. Sot jam 30 vjeç dhe kam lançuar këngën time të dytë në treg. Nuk pendohem që e kam nisur vonë sepse shpirti artistik nuk ka një datë skadence. Jam krenare që çdo gjë që kam bërë e kam krijuar vet, që nga teksti, muzika, skenaret, fondet. (qesh) Po, po edhe fondet! Nuk ka kënaqësi më të madhe për një femër sesa të shoh frytet e punës së vet. Nuk ka ndjesi më të bukur sesa pavarësia dhe vetëbesimi që të jep i gjithë ky proces. Kjo është diçka që dua t’jua them të gjitha vajzave që aspirojnq ti futen tregut muzikor.
E karakterizon veten më shumë si femra e fortë, me karakter të hekurt apo e brishtë, shumë feminile dhe tolerante?
Do thoja që i shoh të dyja tek mua. Madje nuk ka forcë të madhe sesa të jesh tolerante, e ndjeshme, por njëkohësisht e fort. Është e vështirë t’i kombinosh të dyja në këtë kaos që jetojmë, por më besoni, nëse arrin ta bësh nuk ka asgjë që të ndalon apo të ul.
Në thelb, ti bën muzikë për veten apo për të tjerët?
Në momentin që unë frymëzohem nisem nga përjetimet personale. Për një situatë timen apo situata të të tjerëve që për mua kthehen në rast studimi. Por, kur shkruaj për shembull për një dashuri të humbur nuk fus nota vetëvrasjeje apo depresioni sepse duhet menduar sesi mund të ndihet një person që është aktualisht në atë situatë. E imagjinoni dot se çfarë mund të ndodhte nëse unë do të shkruaja vetëm për veten dhe të mos merrja në konsideratë përjetimin e mundshëm, që mund të shkaktoja tek të tjerët? Kështu që, në një farë mënyre e bëj dhe për veten, ashtu edhe për të tjerët.
Kur e kupton që një punë, konkretisht në muzikë, është vërtet e mirë?
Një punë është vërtet e mirë kur ti artikulohesh saktë, kur ka një linjë mendimi në tekst, kur ky i fundit përcjell një mesazh edukues, kur këngëtari lidh tekstin me imazhin dhe çdo gjë të jep ndjesinë se është në harmoni. Pra, një punë e mirë nuk mund të jetë një këngë me 2 fjalë. Sado mirë ta interpretosh duhet të ndërthuren të gjithë elementet e mësipërm, teksti i plotë dhe i artikuluar mirë, muzika, performimi me bazë të tekstit dhe jo kot e më kot, të gjitha në harmoni.
Një këngë e mirë është ajo që ka 1000 apo 10 milionë klikime?
Klikimet janë thjesht marketing, nuk tregojnë asgjë për cilësinë e këngës. Më vjen në mend këngëtari Vlashent Sata, i cili nuk ka me miliona shikime, por këngët e tij janë copëza mrekullie. Ai ka zgjedhur të bëj artin e tij, koncertet në mënyrën e tij dhe do të tërheq audiencën që e pëlqen vërtet muzikën që ai bën. Ka dhe shembuj të tjerë, por ky më erdhi menjëherë në mend.
A mund të quhet art, kur është edhe biznes?
Shiko nuk ka më bukur sesa të kthesh talentin apo dhuntinë në punë. Kjo është puna e ëndrrave të çdokujt. Puna, sigurisht, do të çoj në marrëdhënie biznesi. Dhe është e drejtë, sepse edhe një artist ushqehet, vishet, pi kafe, ha një drekë, paguan fatura etj. Por, arti në vetvete është frymëzim, është pasion, është imagjinatë, është dhunti. Mendoj se nëse ndonjë nga këto vlera humbet gjatë të bërit biznes, atëhere nuk do të ketë më art, por vetem biznes. Dhe një artist i vërtetë nuk do e pranonte dot ta bënte një gjë të tillë. Sepse arti është ushqimi kryesor i një artisti dhe kjo dëshirë nuk kontrollohet, vjen natyrshëm.
Tri fjalët që të përshkruajnë më mirë?
E fortë, e ndjeshme, e pavarur.
Çfarë e bën një njeri artist?
Artist nuk mund të bëhesh.Ose lind ose nuk lind. Është kaq e thjeshtë. Por, ka një gjë, nëse nuk e ushtron, duhet ta ushqesh herë pas here. Artistët janë të tillë, jo sepse kanë vetëm talente, por kanë edhe disa veçori karakteriale, që i dallon menjëherë në turmë. Janë njerëz, ose të paktën duhet të jenë, pozitiv, të buzëqeshur, të lirshëm në mendime apo veprime, vishen me ngjyra, bërtasin në mes të rrugës, e shijojnë jetën dhe nuk kërkojnë ndjesë për këtë. Janë të ndjeshëm ndaj shpirtit të njeriut, komunitetit, kauzave sociale. Teatri kombëtar ishte ai që bëri nismën e parë për të prekurit nga tërmeti nëse e mbani mend. Artistët i gjen shpeshherë edhe në mendime, zhytur në melankoli, të shpërqëndruar, pagjumë duke shkruar në 3 të natës, shpeshherë edhe të paparashikueshëm. Një artist duhet ta duash ashtu siç është, në atë botën e vet që nga jashtë duket një kaos i vërtetë.
Çfarë është ushqim për shpirtin?
Ushqim për shpirtin e një artisti është çdo gjë që ngjall emocion, qoftë pozitiv apo negativ. Po, po. Emocionet negative shpeshherë prodhojnë perla. Melankolia, mbyllja në vetvete, mërzia, inati prodhojnë perla, si baladat që janë hedhur, së fundmi në tregun muzikor. E bukura është që të gjitha këto amortizohen kur kthehen në një produkt artistik, si kënga në rastin tim. Dhe emocionet negative kthehen në produkt të bukur. Ndaj thashë edhe më sipër, është e pamundur të gjeni një artist të vërtet të pandjeshëm, të lig apo menefregist. Është vet procesi i mendimit artistik që e bën të pamundur këtë gjë. Kështu e shoh dhe e ndjej unë të paktën.
Për çfarë do të doje të mbaheshe mend?
Unë në çdo produkt artistik që kam sjell apo projekt. Kam dashur gjithmonë që nëpërmjet artit tim të përcjell mesazhe edukuese, frymë edukuese. Mendoj se arti është një mënyrë shumë e rafinuar dhe bindëse e edukimit dhe është gjynah të mos përdoret për këtë qëllim. Arti të tregon si të duash bukur, si të vuash shëndetshëm, si të shkarkosh emocionet që nuk të duhen më, si të kthesh një dhimbje me melodi. Nuk di në ka gjë më të bukur sesa të shprehesh nëpërmjet artit.
Çfarë vërtitet në kokën tënde për të ardhmen?
E ardhmja për mua është sot, nëse unë dua të bëj apo të them diçka e bëj tani, nuk pres javë muaj apo vite. Nuk di të funksionoj ndryshe. Ndaj do kap çdo mundësi, që më jepet ose gjej vet për të kthyer pasionin tim në punë të përhershme. Planifikoj gjithsesi të eksperimentoj edhe në fusha të tjera artistike, si aktrimi, gjë të cilën nuk e kam prekur ende konkretisht. Kjo do të ishte sfida ime e rradhës dhe shpresoj në një të ardhme të jem pjesë e një projekti kinematografik.
Shenim:
Fotot bardhe e zi janë realizuar nga Reinaldo Fifo ndërsa ato me ngjyra nga Vllasi Foto!