Ajo është shumë e dashur për publikun
dhe sa herë që sjell këngët e saj publiku e di
që ka përgatitur diçka të bukur.
Anjeza Branka, tashmë pjesë e botës së muzikës prej shumë vitesh rreket të hyjë edhe në ndonjë spektakël kërcimi duke risjellë në fokus pasion e saj të hershëm për kërcimin. Për më shumë le të flasë ajo vetë!
Xhulio Doci:- Anjeza, ku ndodhesh tani që po flasim?
Anjeza Branka:-Tani për momentin ndodhem ne krevat jam duke parë televizor. (Qesh)
– Kur Anjeza nuk shfaqet në ekran apo nuk pranon të dalë në emisione televizive, çfarë duhet kuptuar se po ndodh?
-Jo, asgjë nuk po ndodh por nuk parapëlqej të dal në intervista. Dhe këtë intervistë që po realizojmë vetëm prej teje e kam dhënë sepse je i ri në profesion dhe dukesh që e do shumë gazetarinë.
– Çfarë ka ndryshuar te ti, që nga ajo vajza e këngës “Të lutem eja” dhe “Me ngadalë”, deri në Anjezën e sotme?
-Nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe përveçse vitet kalojnë tashmë gjërat i shoh më ndryshe, ndihem më e plotësuar me veten time.
– Gjëja që të ka bërë për të qeshur ose të ka mërzitur shumë për veten kur e ke lexuar në ndonjë portal?
-Ka shumë gjëra që më bëjnë për të qeshur kur i lexoj, sepse vendosin disa tituj shumë të lezetshëm. E fundit që lexova dhe kam qeshur ku ishte shkruar që kam vuajtur shumë, ndërkohë që unë kam vuajtur kur shkova në Gjermani ditët e para dhe e kam thënë gjithmonë këtë gjë.
Tjetra që më ka bërë për të qeshur ka qenë një intervistë që nuk e pata dhënë fare unë, nuk e di se kush (qesh) kam qesh me lot kur lexova: “U ndava nga burri. Tash do boj qejf”.
– Një klip i kolegeve që të ka tërhequr vëmendjen verën që iku dhe ke thënë “Sa bukur e ka realizua”?
-Në përgjithësi të gjitha klipet më kanë pëlqyer shumë verën që kaloi, por që më ka bërë më shumë përshtypje kanë qenë klipet e Loredanës.
– Cilat janë pushimet që nuk do ti harrosh aq kollaj?
-Sa për pushime unë kënaqem kudo që shkoj. Nuk ka rëndësi se ku shkoj, se ku jam. Udhëtimet me bëjnë të lumtur, nuk ka rëndësi destinacioni.
– Çfarë ke për të thënë për bashkëpunimin me Nikun (Wie Vodka)?
-Bashkëpunimi me Nikun “Wie Vodka”, jam kënaqur jashtë mase shumë në xhirime edhe kënga është bërë shumë e bukur. Me Nikun kemi përqasje në bashkëpunim edhe e kam mikun tim më të afërt, vëllaçkon tim. Në përgjithësi çdo këngë që kam bërë me të ka dalë e bukur dhe unë kam dalë shumë e kënaqur.
– Vera apo dimri ka më shumë punë dhe kërkon më shumë angazhime?
-Angazhime ka edhe vera po ashtu edhe dimri. Vera ka lezetin e vet ashtu si edhe dimri, secila stinë ka ndjesitë e saj dhe punën që duhet!
– Të kalojmë paksa në planin familjar. Dimë që marrëdhëniet me familjen dhe me Leanzon djalin tënd i ke shumë të mira. Po çfarë i gatuan? A ka ndonjë gjë që nuk e ha dhe ti do që ta konsumojë me detyrim?
– Siç e the edhe ti marrëdhënia ime me familjen është e jashtëzakonshme. Unë jam e lidhur shumë me ta dhe me djalin sigurisht, e kam si shok është rritur tani dhe jemi miq më njeri-tjetrin. Për gatim nuk e kam problem fare këtë pjesë sepse Leanzo më ka ngjarë mua në të ngrënë, nuk ka naze. Tani ka filluar dhe vetë të gatuaj, sepse e ka qejf.
-Ti je shumë e lidhur me kërcimin. A nuk do kishe dëshirë të merrje pjesë në ndonjë spektakël kërcimi?
-Po është e vërtetë jam shumë e lidhur me kërcimin dhe që e vogël e kam pas shumë qejf. Faktikisht këtë vit kam menduar të marr pjesë tek “Dance With Me”, por të shohim deri atëherë.
-Cila është frika më e madhe që ke?
-Nuk kam ndonjë frikë të them të vërtetën. Frikë nuk kam nga asgjë përveçse nga Zoti, por që jam e mirë. Kam besim në Zot, jam njeri i drejtë, i mirë dhe tani për mashalla. (Qesh)
– A je e lumtur me jetën që po jeton dhe ke?
-Jam super e lumtur. Shumë e lumtur. Çfarë kam dashur të kem e kam dhe gjëja kryesore është djali im, bota ime, ai është gjithçka, pasuria ime më e madhe.
-Anjeza unë të falënderoj shumë që e pranove ftesën time për intervistë. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të të uroj shumë suksese, paç shumë fat, lumturi dhe dashuri në familjen tende. Faleminderit edhe njëherë për përgjigjet e sinqerta që u ke kthyer secilës prej pyetjeve të të mia.
-Edhe unë të uroj shumë suksese dhe gjithë të mirat e botës. Qenke një djalë shumë i mirë, këmbëngulës për diçka dhe dëshiron që ta arrish medoemos atë. Kështu vazhdo dhe shumë shpejt do kesh mbështetjen e të gjithëve dhe jo vetëm mbështetjen time.