Politika e grave e përdorur lehtësisht nga burrat.
Parlamenti dhe qeveria me gra të mençura apo “përdorim” i tyre për fasadë me sebepin që barazia gjinore në këtë vend është aset i çmuar i Qeverisë që po ngre lart vlerat e grave?
Politika është një profesion historikisht i udhëhequr nga meshkujt, që nga gjeneza e saj më saktë…
Gjithmonë është cilësuar si një punë e denjë vetëm për gjininë mashkullore dhe se prania e grave në të ka sjellë zbutje të tonit zërit por jo rritje të rendimentit.!
Pas braktisjes që i bënë parlamentit shqiptar deputetet e opozitës karriget e tyre i zunë disa figura që ishin nga gjysma e tutje e listave ose saktësisht aty nga fundi, dhe që realisht asnjë nga gratë apo vajzat që zunë vendet e braktisuar nuk kishin një cv të plotë e një emër të formatuar nga vetë ato në sherbim të shoqërisë me profesionet e tyre, aq më tepër nuk kanë guxuar të dalin në poltronin e parlamentit e të mbajnë një fjalim të vetëm për të qënë e jo më të ndikojnë për rritje të cilësisë së punës në parlament apo komisjone parlamentare.
I vetmi zë që flet dhe reagon është Rudina Hajdari të cilën të gjithê besoj e kujtoni më shumë për gafat se për rritjen e cilësisë së rendimentit të punës për një përmirësim të dukshëm të imazhit të Gruas,edhe kjo nuk e kishte fitur mandatin e saj me përballje dhe program elektoral të detajuar në të mirën e zonës së saj, por ishte deputete liste e vendosur aty nga Kryetari i Pd e ku meritat individuale duhet ti shpalosje në kuvend ose komisjone.
Dikur çdo diskutim ku flitej për rëndësinë e madhe të gruas ,të gjithë kujtojnë “Helenën e Trojës” – bukuroshen që u bë shkak i një lufte, dhe Kleopatrën gra për të cilat foli gjithë bota…
Me gjithë lëvizjet e shumta e të hershme feministe (të gjitha bazuar në të drejtën e barazisë gjinore !) për të çrrënjosur steriotipet, e vetmja gjë që është arritur, është mënyra se si shihen gratë në politikë, jo pak herë për Politikën Shqiptare janë afruar gra me një performancë të tipit make-up i bukur, një dekor i domosdoshëm, ose janë konsideruar “femra-burra” ato që mund të japin kontributin e tyre në jetën politike të vendit.
Pra ose koketë e bukur, ose me sjellje burri që të kap për zhelesh e të nxjerr jashtë dhe të godet me shishe nëse i duhet të ruaj individualitetin e personalitetin e saj të cenuar në një studio televizive, e ndonjeherë dhe në poltronin e parlamentit të zihet dhe të ulurase me sa ka në kokë që të ketë mundësinë të trajtohet e barabartë me burrat.
Në një vështrim të përgjithshëm të Kombeve të bashkuara, nga niveli lokal në atë global, lidershipi i grave dhe pjesëmarrja politike mbetet i kufizuar. Gratë janë të nënpërfaqësuara si votuese, si dhe në pozita udhëheqëse: qoftë në zyrën e zgjedhur, në shërbimin civil, në sektorin privat apo në atë akademik.
Kjo ndodh pavarësisht nga aftësitë e tyre të dëshmuara si udhëheqëse dhe agjentë të ndryshimit, bazuar në të drejtën e tyre për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në qeverisjen demokratike.
Gratë përballen me një mori pengesash për të siguruar pjesëmarrje në jetën politike.
Barrierat strukturore përmes ligjeve dhe institucioneve diskriminuese ende kufizojnë mundësitë e tyre për të kandiduar në zyra përfaqësimi e drejtimi.
Boshllëqet e kapaciteteve nënkuptojnë se gratë kanë më pak gjasa se burrat që të kenë arsimimin, kontaktet dhe burimet e nevojshme për t’u bërë udhëheqëse efektive.
Domosdoshmërisht që duhet të pajtohesh me këtë konkludim, përderisa sot të gjithë i shikojnë femrat nga mënyra se si vishen, si qëndrojnë, apo se si kujdesen për veten – a thua se meshkujt nuk i kryejnë këto rituale!
Dhe në gjithë këtë, vendi ynë nuk mundet kurrsesi të bëjë përjashtim.
Nisur nga traditat e hershme e të forta, ligjet zakonore, historiku komunist e një mori me ndodhi e ngjarje në të ashtu quajturën ‘demokraci e jona’, lidershipi mbeti gjithmonë në dorë të meshkujve. Për kujtesë le të kthehemi pas disa vite.
Të gjithë e kujtojnë shfaqjen e Jozefina Topallit në politikë: rreth viteve 96 jo pak vite të vështira për një grua që tē ishte në krah të burrave shqiptar, e për të ia dale duhej të dukeshe e fortë si një burrë në pamje, zë dhe sjellje,pra një “burrneshë” e ndërkohe e fortë u cilësua nga të gjithë! Kur në fakt, Jozefina ishte një femër si gjithë të tjerat – kishte një burrë e fëmijë me të, pra diçka që koncepti i burrneshës nuk e pranon.
E megjithatë, ajo vazhdoi të cilësohej si e tillë deri ditën që vendosi të kujdesej për lukun e saj – të ndiqte trendet e modës, të shfaqej me çanta të bukura festash dhe fustane eleganta në seancat parlamentare e të tjera “histori femrash” siç rëndomtë i quajnë burrat.
Numri i grave në parlament paksa ishte shtuar dhe znj Jozefinë i duhej të perballonte edhe sfiden femrore,por kjo e dyta ndodhi që ta zbehte paksa forcen prej burri te gruas lider ne parlament.
E sot ajo nuk eshte më pjese e Politikës.
Angela Merkel është kancelare e Gjermanisë prej vitit 2005. Për mbarë botën zonja Merkel është lidere defacto e Europës – dhe megjithatë as ajo nuk mundi dot t’i shpëtonte steriotipeve kur filloi të vishte funde. Dhe dy tre raste doli ne publik me dekolte te hapur.
Kudo në botë, media filloi të komentonte këtë ndryshim të saj dhe e cilësoi atë si një ogur të zi për vijueshmërinë e saj në krye të Gjermanisë.
Ndoshta nga natyra e saj “prej gjermaneje”, kancelarja, duket se nuk i kushton shumë nga koha e saj pamjes vizive, e mbase kjo është arsyeja pse masa nuk e sheh atë si një grua që rrezikon politikën!
Historia botërore ka një numër të konsiderueshëm të grave të suksesshme në politikë: Britania e Madhe është një prej superfuqive botërore, sepse mbretëresha Elizabeta I e bëri të tillë, mbretëreshë Viktoria – një epokë e tërë e artë mban emrin e saj, Eleanor Roosevelt drejtoi komisionin për të drejtat e njeriut në OKB, nga e cila kemi trashëgimi Deklaratën e famshme për të Drejtat e Njeriut.
Ndikimi i Margaret Thatcher, zonjës së hekurt, në stabilitetin e ekonomisë është i paarritshëm, Benazir Bhutto Kryeministrja e parë femër në një vend mysliman (Pakistan) udhëhoqi vendin nga diktatura në demokraci. Pa lënë jashtë kësaj liste edhe një numër të madh emrash si humanistja Nënë Tereza, Eva Peron në Argjentinë, Zhaklin Kenedi, Anna Frank, Zhan D’Ark, Annie Besant që ndikoi në pavarësinë e Indisë, apo edhe emra të tjerë të njohur që ndoshta edhe pse mund të ndiqen nga një numër i madh skandalesh ia kanë dalë të bëjnë histori në politikë. Edhe Hillary Clinton mbetet idhulli i shumë grave në botë.
Rruga e politikës për këto gra nuk ka qenë aspak e lehtë.
Ndërsa në vendin tonë, duke qenë se nga traditat e trashëguara dhe nga kanunet që shpeshherë i zbatojmë më shumë se ligjet, për t’u dukur krahinore e jo bashkëkohorë, gratë kanë përsëri pengesa të mëdha në përfshirjen e tyre në politikë,kryesist ato që vijnë nga zona jashtë metropolit ku në njëfarë mënyre ja kemi shtruar rrugën vajzave e grave që duan të merren me politikë me një dorë zhavorr?
Politika jonë ka vetën zonja e zonjusha të kuruara deri në detajet më të vogla, ku për pjesën më të madhe të tyre të gjithë e dinë se potenciali financiar i gjithë secilës është i pamjaftueshëm për shfaqje të tilla,dhe detyrimisht i lidhim ato me hijen e disa meshkujve të tjerë që i financuan për të qeverisur nëpërmjet tyre.
Kjo përkthehet në aksiomën e famshme se gratë nuk janë për politikë dhe ku fatkeqësisht, nisur nga rastet e shumta të formes më shumë se përmbajtjes edhe duhet deri diku të biem dakort!
Ne jetojmë në një botë që vazhdimisht ndryshon dhe përparon, zakonisht për mirë në drejtim të barazisë gjinore; megjithatë, nuk mjafton thjesht të kuptohet problemi.
Lëvizjet feministe kanë pasur një ndikim të fuqishëm pozitiv në vende pothuajse tërësisht demokratike, dhe duke mbështetur kauzat gjinore, në vend që t’i shkatërrojnë ato, mund të bëhen përparime të rëndësishme. Arritja e barazisë gjinore në të gjitha etapat e zhvillimit, e aq më tepër në atë të përfaqësimit është më tepër se e rëndësishme; është jetike nisur nga kompleksiteti që edhe vetë ajo mbart. Por, për këtë është e rëndësishme që edhe këtu të vendoset sita, njerëzit kanë talente e prirje nga më të ndryshmet jo të gjithë janë të aftë për politikën pavarësisht dëshirës së madhe që mund të kenë.
E kjo vlen edhe për femrat! Për të arritur ndryshimin duhet parë nga vetja. Nuk mund të tejkalosh kapacitetet e aftësitë personale sepse më pas, kthehesh në një matës dhe tregues të qartë të steriotipit që thua se po lufton.