Unë që ju shkruaj dëshiroj të mbetem anonime.
Ju shkruaj nga burgu i femrave,
ku prej gjashtë vjetësh po shlyej dënimin për vrasjen e bashkëshortit tim.
Edhe pas kaq kohësh, e pyes veten se pse arrita deri në atë pikë dhe nuk munda të gjeja një mënyrë arratisjeje, një mënyrë për t’u larguar me tim bir pa i bërë keq askujt… Me sa duket, pas aq shumë vjet abuzimesh, ndjenjat dhe logjika ime ishin zhdukur përgjithmonë. Nuk e vrisja më mendjen për asgjë tjetër, doja vetëm që të mos vuaja… Them me vete se dhuna që burri im ushtronte te djali ynë, Sokoli më kishte bërë të bija në depresion dhe të mos logjikoja.
Ai ishte në krevat me mua, kur pashë një thikë poshtë. E kishte përdorur për të qëruar një mollë. Zgjata dorën dhe e mora në duart që po më dridheshin. E shtrëngova fort, ndërkohë që as frymë nuk po merrja. E shihja dhe mendoja që ai ishte shkaku i dhimbjeve të mia dhe që në ato momente mund ta hiqja qafe. Dhe nëse e hiqja qafe, do të isha e lirë. U lëshova si bishë drejt tij dhe ia ngula thikën drejt e në gjoks. Ai nisi të përpëlitej dhe të lëshonte pasthirrma. Një moment, më tha “më fal”, por ishte shumë vonë. Ato ishin fjalët e tij të fundit…
Jeta nuk ka qenë e thjeshtë për mua edhe më parë. Jam rritur në një fshat të humbur. Isha e katërta e nëntë fëmijëve. Prindërit e mi ishin kooperativistë dhe ne jetonim në një shtëpi shumë të vogël. Në moshën 11 vjeçare u shkëputa për pak nga shkolla për të ndihmuar familjen, por e kuptova që doja të mësoja, të bëhesha njeri i ditur dhe të mos përfundoja si prindërit e mi, ndaj u ktheva sërish në shkollë, por ishim shumë të varfër për ta përballuar.
Me ardhjen e demokracisë, emigrova për në Itali. Aty nisa të bëja fillimisht punë të thjeshta, derisa përfundova në një klub nate, ku kërceja e zhveshur. Në fillim kisha turp, por ata paguanin shumë mirë. Me rrogën e një nate, mund ta mbushja shtëpinë këtu në Shqipëri për një muaj. Ndihesha mirë dhe e fuqishme. Mendova se më kishte ardhur rasti në dorë për të ndihmuar familjen, ndaj edhe punova derisa bëra një dorë të mirë parash. Më pas, vendosa të kthehesha.
Bleva një shtëpi më të madhe për familjen, kësaj here në qytet. Doja t’i kthehesha shkollës, por ishte vonë, ndonëse isha vetëm njëzet e pesë vjeçe. Thjesht, nuk mundesha.
Nisa të punoja në një librari. Më pëlqente aty, sepse kisha mundësi të lexoja libra. Aty njoha edhe Kriston. Ai vinte për të blerë libra teknikë, pasi ishte inxhinier. Ndonëse ishte dyzet vjeç, më pëlqeu menjëherë. Ishte i sjellshëm dhe shumë i qetë. Pastaj, kishte një pamje shumë miqësore, që të bënte ta doje. Mora vesh që ishte i ndarë nga gruaja dhe që në qytet nuk gëzonte reputacion të mirë, por kur më kërkoi të dilja ndonjëherë me të, nuk hezitova, por i thashë “po”. Më tregoi se puna i pëlqente, por që shumë shpejt do të transferohej në kryeqytet. Kjo më mërziti pak, por ai më premtoi se do të më merrte me vete. Pas disa mujash u nis, por nuk kaluan shumë kohë dhe më solli një letër. Aty më shkruante se ishte dashuruar pas meje dhe se donte që unë të bëhesha gruaja e tij. Erdhi në shtëpi për të më kërkuar dorën. Mamaja dhe babai nuk e pëlqyen për shkak të moshës, por ai ishte në gjendje dhe kjo gjë u shkonte atyre për shtat. Kështu, unë u fejova dhe shumë shpejt, u martova. Më pas, nisa të jetoja me Kriston në Tiranë.
Kishim një shtëpi të madhe dhe shumë të bukur. Ai më prezantoi me kolegët, me miqtë dhe të gjithë më donin. Edhe me fqinjët u miqësova shumë dhe nisa të kisha hyrje-dalje të shpeshta. Kristoja fitonte shumë me aktivitetin e tij privat, gjë që më bëri të isha bujare me të gjithë.
Më në fund, po bëja një jetë të qetë dhe të rehatshme. Nuk isha e dashuruar në mënyrë pasionante pas Kristos, por ishim të lumtur. Katër muaj pasi u martuam, unë mbeta shtatzënë. Ai më kishte thënë se që pas martesës së parë, ku gruaja e tij nuk bënte dot fëmijë arsye për të cilën u ndanë, kishte hequr dorë nga ideja e të qenit baba. Ndoshta ndaj dhe në fillim tregohej shumë indiferent para faktit që unë isha shtatzënë, por shumë shpejt ndërroi mendje. Me lindjen e djalit tonë, Sokolit, problemet nisën të dilnin në pah.
Nuk do ta harroj ditën kur e pashë për herë të parë Kriston të nxehej. Ai ishte zënë me dikë në punë. Kur u fut në shtëpi, nuk po i hapej dera e dhomës sonë të gjumit. E shembi me këmbë. Që nga ai moment, pata një ndjesi të keqe për të.
Edhe dashuria dhe lumturia për djalin kishte nisur t’i ndryshonte. Në fillim, rrinte shpesh me të, por kur Sokoli nisi të rritej, po bëhej fëmijë i lëvizshëm. Për këtë, burri im e rrihte shpesh, madje aq shumë, sa i linte shenja të kuqe nëpër trup.
Nisëm të grindeshim për djalin. Unë i thosha se nuk do ta lejoja ta prekte djalin me dorë, por kjo e bëri atë të dhunshëm ndaj meje.
Herën e parë që më rrahu, u grindëm keq. Ai më gjuajti aq fort, sa rashë në krevat dhe ky i fundit u thye. Në atë kohë nuk e dija, por isha një muajshe shtatzënë. Pashë që më kishte nisur hemorragjia. Kur shkova në spital, më thanë se kisha humbur fëmijën. Pavarësisht shumë gjërave, unë dhe Kristoja donim sërish një vëlla apo motër për Sokolin, vetëm se unë isha e shkatërruar, tërësisht e mbaruar si njeri. Nuk ndjeja asgjë më. Nuk mendoja për gjë tjetër, përveçse për djalin tim, që doja ta mbroja me çdo kusht. Doja të shpëtoja, por nuk mundesha.
Pavarësisht asaj që ndieja, nuk shkoja dot në polici. Sa më shumë kalonte koha, aq më e palumtur ndihesha. I vetmi person që e dinte ç’jetë po bëja ishte doktoresha ku unë shkoja të vizitohesha. Ajo më mjekonte të nxirat dhe shenjat e rrahjes, kështu që nuk mund t’i fshihja dot asgjë. Ajo nuk i tregoi askujt, por mua më thoshte gjithnjë se duhet të bëja diçka për veten dhe për Sokolin. Përpiqej të më bindte që të paktën të largohesha nga ajo shtëpi, por Kristoja qe dinak. Ai e nuhati që unë kisha folur me doktoreshën për këtë gjë, ndaj dhe më premtoi se nuk do të vinte më dorë tek unë.
Unë isha e dërrmuar, shumë e lodhur, por vendosa t’i besoja dhe qëndrova. Doja ta provonim edhe një herë jetën së bashku, për hir të djalit, Sokolit.
Ndërsa koha kalonte, ai rikthehej gjithnjë e më shumë në karakterin e tij. Më kishte ndaluar që të shihja prindërit e mi. Më kishte marrë shumë malli për ta, sepse kisha kohë pa i takuar, por nuk mundesha dot. Ndërkohë, kisha vënë re se po bëhesha e vetmuar dhe vuaja nga depresioni. Një mëngjes, pas një grindjeje me Kriston nisa të dridhesha fort, pa e kontrolluar fare gjendjen. Sa më shumë qaja dhe dridhesha, aq më shumë inatosej dhe nxehej Kristo.
Ai më rrihte fort, derisa unë u rrëzova përtokë, u mblodha si një grusht dhe i bërtita:
“Dua vetëm të largohem prej teje!”.
Ai m’u afrua dhe më tha në vesh se nëse do të guxoja ta lija ndonjë ditë, atëherë ai do të më vriste.
Atë natë, ai u përpoq të bënte dashuri me mua, ndërkohë që unë ndieja dhimbje në të gjithë trupin. Qëndroja gjithë kohës si e ngrirë. Pasi mbaroi, më qëlloi sërish me shpullë, duke më thënë se isha e padobishme.
E keqja ishte se nuk kisha me kë të flisja, por po e kuptoja se nëse nuk bëja ndonjë gjë, atëhere ai mund të më vriste mua së bashku me Sokolin. Isha e tmerruar, e frikësuar dhe e shkatërruar.
Të nesërmen, pas një tjetër zënke që patëm, unë vendosa të bëja atë që bëra.
Prita derisa ai fjeti. Përpara se të fliste kishte ngrënë një mollë në krevat. Thikën e kishte lënë poshtë. E ku mund ta bëja dot unë një gjë të tillë në kushte normale? Ja që ai më kishte shndërruar në gjysëm njeri e gjysëm kafshë. Nuk mendoja për asgjë tjetër, veçse si ta hiqja qafe. Kur i ngula thikën m’u kujtuan shpullat, rrahjet, shkelmat dhe ulërimat që kishin dalë prej atij njeriu. Më pas, u mpiva.
Pas gjysëm ore, shkova në banjo dhe nisa të laja duart që m’i kishte mbuluar gjaku. Më pas, prita sa agoi pak. Bëra gati valixhet, mora djalin dhe u nisa drejt shtëpisë së prindërve të mi, por ndërsa po prisja autobusin, nisa të dridhesha. Unë nuk e bëja dot atë gjë. Policia do të vinte ta kërkonte, do ta gjente dhe do të ishte akoma më keq për mua, ndaj dhe u ktheva e shkova në komisariat. Duke qarë me të madhe, u thashë çfarë kishte ndodhur.
Policët më morën në makinën e tyre dhe shkuam në shtëpinë tonë. Aty ata konfirmuan që Kristoja kishte vdekur. Në ato momente u ndjeva faj, por nuk pata kohë të çoja më shumë gjëra nëpër mendje, pasi më prangosën dhe më futën në qeli. Pas gjyqit, unë u shpalla fajtore për vrasjen e tim shoqi.
E di që nuk kam bërë diçka të mirë dhe që e meritoj dënimin, por nga ana tjetër, mendoj se as kafshët nuk vuajnë ashtu siç vuaja unë me Kriston. Nuk është e lehtë të durosh dhunën fizike dhe psikologjike për vite të tëra, aq më tepër kur ke edhe një fëmijë në mes, jetën e të cilit dëshiron ta ruash më shumë se tënden.
Unë nuk e konsideroj veten me fat. Gjithnjë në jetë jam përballur me situata jo fort të këndshme, ama ajo që kam mësuar është se unë mund t’ia dal mbanë. Kështu do të ndodhë edhe tani. Nuk kam ndonjë ëndërr në sirtar. Vetëm do të pres sa të mbaroj dënimin dhe më pas, të përqafoj ashtu si duhet djalin tim. Gjithçka që dua, është të jetoj dhe të plakem me të. E di që do të vijë ajo ditë, ashtu siç edhe do të vijë dita kur ai do të më kërkojë që të mësojë të gjithë të vërtetën, por deri atëherë, ka kohë…