Përsëritja e ëndrrave
– Shoh shpesh ndonjë ëndërr dhe,
kur zgjohem në mëngjes,
më kujtohet që e kam parë edhe herë të tjera, më duket sikur ëndrrat më përsëriten. Nuk i mbaj mend me hollësi, ama e di me siguri që atë ëndërr e kam përjetuar edhe më parë.
– E kam thënë edhe herë të tjera se fakti që përsëriten ëndrrat, ka lidhje me mesazhet të cilat përpiqen t’i transmetojnë te ju, pra, t’i nxjerrin në sipërfaqe. Për çfarë mesazhesh bëhet fjalë, kjo varet nga simbolet e ëndrrave. Mund t’i referohen edhe rutinës së përditshme dhe sigurisht që ëndrrat ju përsëriten duke qenë se ju akoma s’e keni marrë mesazhin e qartë. Duhet ta jetoni atë çfarë ëndrra ju këshillon, që të mos e shikoni më.
Dy unaza
– Kam parë në ëndërr një shoqe nga shkolla e cila duke ikur lart, më tha: “Dua të vendos një unazë te gishti i madh i dorës”. Ajo kishte dy unaza në atë gisht, njëra i rrinte fiks, kurse tjetra pak më e lirë dhe unë i thashë: “Ngjeshi pas dorës të dyja që të të rrinë njësoj”. Çfarë kuptimi ka kjo ëndërr? Elena.
– E dashur Elena, ëndrra mund të ketë lidhje me ju personalisht ose edhe me shoqen sepse bëhet fjalë për një çështje që ju e keni diskutuar bashkë me të. Gjithsesi, në thelb të ëndrrës qëndron diskutimi dhe pikëpyetja për një çështje zemre. Shpeshherë, shoqet në ëndërr ju përfaqësojnë juve dhe unë po e shpjegoj ëndrrën sikur të jeni ju në qendër të saj. Unazat që keni parë tregojnë dëshirën për të finalizuar një lidhje zemre, por janë parë dy unaza, që do të thotë se ju ose shoqja juaj, jeni para dy zgjedhjeve, prandaj jeni konfuze këto kohë. Njëra nuk bën për ju! Unaza që ju ka rënë e lirë, tregon se njërën nga çështjet nuk duhet ta merrni në konsideratë, sepse mund të braktiseni shumë lehtë. Ndërsa unaza që ka rënë fiks në gisht, do të thotë që është zgjedhja e duhur. Problemi është se juve ju pëlqejnë të dyja rastet dhe nuk dini cilin të zgjidhni, ndaj po mundoheni t’i mbani pezull gjërat. Ëndrra ju paralajmëron juve ose shoqen tuaj që të jeni më e kujdesshme dhe se ka ardhur koha të ndani shapin nga sheqeri e të merrni një vendim, duke zgjedhur rastin që është më i përshtatshëm për ju. Gjithë të mirat!
Gjarpër gri
– Përshëndetje! Kam parë në ëndërr sikur debatova me kunatin dhe ai, pasi u mërzit me mua, më solli një gjarpër gri e ma çoi kokën e gjarpërit te fytyra ime. Unë isha shumë e frikësuar, pasi gjarpërinjtë i kam shumë frikë. Dua të di, çfarë kuptimi ka? Faleminderit.
– Gjarpëri ka dy kuptime, në këtë rast: Personat fallco rreth jush nga të cilët duhet të keni kujdes, si dhe simbolizon erotiken. Jeni ndoshta në një moshë që keni dëshirë për të pasur një lidhje erotike apo zemre, ama nga ana tjetër keni shumë frikë ta përjetoni atë. Atëhere, i bie që nuk jeni gati për një gjë të tillë, ndaj duhet të prisni kur të jeni më e qetë dhe e sigurtë në vetvete, për çdo hap që do të merrni. Sigurisht, duhet të ruheni edhe nga njerëzit fallco që shpesh i keni rreth jush.
Pasqyra dhe muri
– Jam shumë e shqetësuar për ëndrrën që kam parë. Kam parë në ëndërr sikur dola para pasqyrës, isha ulur në karrige e po flisja me veten time. Pak më vonë m’u bë sikur po prishej tavani dhe, e trembur, i thashë motrës sime: “Duhet të largohemi!”. Ajo më tha: “Nuk ka ndonjë gjë të keqe, thjesht po prishet muri”. U prish muri dhe ndjeja frikë e aromë të keqe.
– Pasqyra ka shumë kuptime. Në rastin konkret, ajo tregon që ju ndodheni në një situatë paksa të ndërlikuar dhe të folurit me vetveten tregon atë çfarë e pandërgjegjshmja ju thotë herë pas here, por që ju nuk ia vini veshin shumë. Pra, e dini se çfarë duhet të bëni, por nuk e pranoni këtë gjë. Shembja e murit tregon për një ndryshim në jetën tuaj; mund të jetë prishja e një lidhjeje, prishja e një marrëdhënieje miqësore, ose në çdo fushë tjetër, por tregon që do t’i jepni fund. Do të mërziteni, do të shqetësoheni, por pas disa kohësh, do të kuptoni se ky ishte vendimi i duhur që duhej të merrnit, gjë që jua kërkon herë pas here edhe pavetëdija.
Shoku i aksidentuar
– Kam parë në ëndërr një shokun tim i cili ka bërë aksident prej kohësh dhe ka ngelur sakat. E pashë sikur mbante një fëmijë në krah dhe më tha: “Është i imi, por unë mezi e mbaj”. E mbaja unë, e ushqeja dhe i këshilloja prindërit e tij që ta ndihmonin sepse ai ka nevojë më shumë. Ashtu, e mërzitur për gjendjen e tij, u zgjova nga gjumi. Çfarë kuptimi ka, ju lutem? Lili.
– E dashur Lili, ëndrra tregon një pjesë të karakterit tuaj. Foshnja që keni parë, kujdesi për të dhe shokun tuaj, tregojnë që ju keni një zemër shumë të pastër dhe një shpirt shumë të mirë human. Keni dëshirë ta ndihmoni, por nuk dini se si dhe e mendoni shpesh gjendjen e tij. Pra, ëndrra tregon dëshirën tuaj për të ndihmuar atë dhe çdokënd tjetër që ka nevojë. Mesazhi i ëndrrës në këto momente, është që ju t’i qëndroni afër shokut tuaj dhe t’i jepni kurajo që ta kalojë këtë moment të vështirë.
Im shoq ujiste lulet
– Kam parë tim shoq në ëndërr sikur ishte në oborr dhe po ujiste lulet e bahçes. Kur më pa mua, ai filloi të më lagte me ujë. Unë i thoja: “Mjaft më lage”, por uji ishte shumë i pastër dhe ai më thoshte: “Po nuk është asgjë, ujë lulesh është dhe kam dëshirë të luajmë bashkë”. Unë e shikoja me inat dhe i thoja: “Po ne nuk jemi fëmijë!” dhe pashë sikur në vend të ujit ai kishte lot në sy. Jam e shqetësuar, çfarë do të thotë?
– Një ëndërr e tillë është shumë e qartë dhe tregon që ju po e largoni bashkëshortin tuaj, nuk shfaqni më emocione dhe ndjenja ndaj tij si dikur. Uji i pastër, lulet, gjesti i tij, tregojnë që ai është një person pozitiv dhe ju dashuron, ama ndihet i lënë pas dore dhe ka nevojë për ju. Ai mundohet nga ana e tij t’jua imponojë dashurinë dhe mendimet e tij, por ju përsëri nuk ia merrni parasysh dhe mundoheni ta trajtoni si fëmijë. Pra, me pak fjalë, ëndrra po ju paralajmëron të keni kujdes dhe t’i falni dashurinë bashkëshortit, siç e meriton, ndryshe mund ta humbisni.