Janë të shumtë ata që vuajnë nga alergjitë e ndryshme, të cilat theksohen edhe më shumë tani në pranverë.
Sipas një studimi të zhvilluar në Itali, 4 në 10 persona vuajnë nga alergjitë e stinës, bile në dhjetëvjeçarin e fundit është regjistruar një pik, nga 5% në 20% të njerëzve të prekur.
Për miliona njerëz, kjo periudhë rrezikon të kthehet në një kalvar të vërtetë, pasi pranvera po vjen me vonesë, pra, do të kemi një lulëzim të menjëhershëm të luleve. 80% e njerëzve do të vuajnë nga teshtimat, 58% nga rrjedhja e hundëve, 55% nga lotimi dhe më pas, vijnë kruarja e hundës dhe e syve (respektivisht, 54 dhe 52%), zënia e hundëve e sytë që shkëlqejnë (48 dhe 42%) dhe, për të mos lënë asgjë mangut, edhe kolla (38%). Kujdes edhe për fëmijët. Polenet që shkaktojnë alergji te fëmijët janë kryesisht ato të bimëve graminore, ulliri, selvia, fieri, artemisia, lajthia, thupra, të cilat, në varësi të zonave ku jetoni, mund të paraqesin një përqendrim dhe kohëzgjatje të caktuar në ajër. Ja disa këshilla për masat e thjeshta që mund të merrni për të evituar pasojat e alergjisë këtë pranverë…
1. Njihni kalendarin e poleneve
Idealja do të ishte të kuptonim se çfarë na bën ekzaktësisht alergjikë dhe të kemi parasysh kalendarin e poleneve. Sulmi fillon me polenet e graminoreve, nga prilli në qershor dhe parietarias (të familjes së hithrës), nga marsi në tetor. Të tjera specie, si thuprat, kanë një periudhë polenizimi nga janari në maj.
2. Higjiena personale
Përveç larjes së hundës me solucione kripe, këshilla është të bëni dush përditë, me kujdes të veçantë flokët, pasi kokrrat e polenit mund të kenë ngelur në to dhe mund të depozitohen në të gjitha vendet e shtëpisë, nga kolltuku në shtrat.
3. Ndërroni këpucët
Në shtëpi është mirë të hiqni këpucët që keni veshur jashtë, pasi mund të transportojnë polen. Ndërrojini menjëherë, mbase duke përdorur pandoflat, të cilat duhet t’i mbani vetëm në shtëpi, ndërsa këpucët, lërini në dollapin përkatës.
4. Në biçikletë dhe motorr, përdorni syzet dhe maskën
Kush vuan, e di mirë! Këto janë situata që vënë në sprovë rrugët e frymëmarrjes. Është mirë pra ta mbuloni fytyrën dhe jo me mjete artizanale. Maska dhe syzet e diellit janë të domosdoshme për ata që u pëlqen të lëvizin me dy rrota, përndryshe mund të rrezikoni një bombardim me polen.
5. Pastrojeni shpesh dyshemenë
Duke vazhduar me shtëpinë, është e rëndësishme të mbani pastër dyshemenë dhe ta lani shpesh. Më mirë mos e përdorni shpesh fshesën me korent, sepse në vend që t’ju ndihmojë, mund të krijojë kaos, duke ngritur lart pjesëzat që ndodhen në dysheme.
6. Shiu është i mirë, por dilni pas pak
Shiu e pastron ajrin, por do të ishte mirë të linit të kalonin disa orë. Uji, në fakt, ndan kokrrizat e polenit dhe mund ta përkeqësojë situatën, me një fjalë, mund të bëni një shtëtitje pas një rrebeshi, por me kujdes.
7. Pastroni shpesh tapetet, etj.
Tapetet, perdet e moketet duhen larë shpesh në pranverë. Hiqni ato që mund t’i hiqni dhe lajini sa më shpesh.
8. Evitoni shëtitjet pak strategjike
Sigurisht, duhet të reduktoni, të paktën pjesërisht (dhe, sado e vështirë të duket), daljen jashtë kur vjen koha e mirë, sidomos kur ka erë ose është një ditë shumë e thatë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për tarracën dhe ballkonin. Më mirë të qëndroni në divan.
9. Mbajini mbyllur dritaret e makinës
Në makinë ndjeheni të sigurtë? Sigurisht, por vetëm në njëfarë pike. Edhe në këtë rast, duhet të ndiqni nja dy këshilla: T’i mbani dritaret mbyllur dhe të mos parkoni pranë lëndinave, shkurreve e pllajave me lule, përndryshe, kjo është luftë e humbur që në fillim.