Përshëndetje miq dhe lexues të gazetës “Intervista”.

E di që jeni të shumtë në numër dhe për këtë ju falënderoj, sepse jeni shumë sy dhe veshë.

Kështu, edhe ne gjejmë një derë hapur për të rrëfyer dhe për të lehtësuar dhembjet tona.

Të gjithë së bashku bëhemi miq të panjohur dhe diskutojmë për problemet e njëri-tjetrit. Halli-hallit nuk i ngjan, apo jo? Historitë kanë një datë fillimi dhe mbarimi i tyre kurrë nuk dihet, por historitë pa fund, janë dhembje pa fund. Historia ime nuk ka një datë fillimi dhe mbarimi. Ka filluar dikur, por nuk ka përfunduar ende, sepse…

Unë jam një vajzë 24 vjeçe që kam mbaruar Fakultetin Juridik. Gjithmonë kam qenë nxënëse e mirë, kam pasur rezultate të larta dhe kam qenë e kënaqur me notat e mia. Kur isha e vogël, dëshira ime ishte të vazhdoja Akademinë e Arteve për Regji ose Aktrim. Të dyja kanë qenë degët e mia të preferuara, por kur erdhi koha për të konkuruar në këtë fakultet, nuk konkurova sepse rrethanat ishin të atilla që e mbajtën larg ëndrrën time. Nuk jam penduar që nuk jam në atë fakultet, edhe pse e dëshiroja shumë. Edhe tani kam një degë që e adhuroj dhe e kam shumë për zemër. Fundja, nuk kam mbetur pa gjë fare. Unë kam edhe një vëlla më të vogël se vetja. Ai është 19 vjeç. Kur ka qenë i vogël, vëllai, nga temperatura e lartë e dhëmbëve, ka kaluar epilepsi, (sëmundje toke, siç i thonë). Mami dhe babi, sytë i kishin vetëm te vëllai. Jo se mua më kishin lënë pas dore, nuk mund të ankohem dhe të them se s’më donin dhe nuk m’i plotësonin dëshirat, por kryefjala tyre ishte vëllai. Një hall i madh dukej dhe kështu ishte. Unë mbaj mend shumë pak sepse kam qenë e vogël, por mami më kishte si dorë ndihmëse në familje sepse unë kujdesesha edhe për vëllain dhe mund të bëja ndonjë punë të vogël. Për shembull, mbaj mend që e vogël shkoja të blija dhe u thoja shitëseve: “Më jep kusurin”. Edhe kur u rrita, shitëset ma kujtonin gjithmonë dhe më donin shumë se kam qenë fëmijë i lezetshëm dhe i shkathët. Gjithçka në shtëpinë time do të bëhej si ishte më mirë për vëllain. Lodrat më të shtrenjta do t’i kishte ai dhe jo unë, madje unë isha ajo që thoja: “Blijini dhuratë vëllait se gëzohet”.

Nuk mërzitesha, e doja dhe e dua shumë vëllain, por kur kemi qenë të vegjël, sigurisht që grindeshim dhe unë isha ajo që edhe haja shpullat dhe duhet të hapja rrugë. Gjithmonë, unë isha ajo që futesha poshtë krevatit se kisha frikë se vëllai do të më gjuante kur i hipnin nervat. Isha unë ajo që rrija në tualet, e shtrirë përtokë dhe qaja se nuk doja të rrihesha dhe sigurisht, rrihesha, sepse sa herë më shihte ulur në dysheme dhe ishte me nerva, vëllai ma përplaste kokën në tokë. Një herë, mami kishte dalë për të blerë bukë dhe unë e vëllai ishim vetëm në shtëpi. Nuk e di se për çfarë po ziheshim (sigurisht, ne ishim shumë të vegjël) dhe, atij i hipën nervat e mori thikën e bukës për të më gjuajtur. Ika me vrap në dhomë dhe shyqyr që dera e dhomës ishte me çelës dhe e mbylla. Kujtova se ai u largua, por menjëherë dëgjova thikën që godiste derën. Oh… ishin shumë të goditura, kisha shumë frikë se dera do dilte nga vendi dhe ai do hynte në dhomë e do të më ngulte thikën. Të bërtiturat tona ishin në kulm, aq sa edhe mami në dyqan na dëgjoi dhe erdhi me vrap. Më bërtiti, por kur pa që dera ishte e goditur me thikë u shqetësua shumë dhe prapë fajin ma hidhte mua. Por, çfarë faji mund të kisha unë?! Unë kisha shpëtuar për një fije dhe “falënderoj” derën që kishte çelës, që më shpëtoi jetën mua. Kur numërova vrimat që kishte hapur thika, u tmerrova…

Nuk dija si të sillesha, sepse me atë timen unë sillesha shumë mirë. I blija çdo gjë që ai donte të hante, sepse më dhimbsej dhe doja t’i bëja qejfin, por asnjëherë nuk e kuptoja pse ai nuk më donte mua. Ose ka qenë gjendja e tij mendore dhe mosha ime, që nuk i lija rrugë dhe e mërzisja aq sa ai mund edhe të më merrte jetën. Sigurisht, kur dëgjoj se vëllezërit i blenë motrave dhurata për datëlindje, mua më mbushen sytë me lot…

Tani ai është më mirë, ne dalim dhe shpesh gjendemi nëpër fast-foode të ndryshëm, sepse i pëlqen shumë gatimi atje, edhe pse mundohem t’ia nxjerr nga qejfi. Edhe pse akoma zihemi, sigurisht, për gjëra koti, tani vëllai ma ka frikën dhe më dëgjon, madje më kërkon edhe falje. Unë dua ta mësoj si të sillet mirë dhe shpesh, i flas, madje tani më thotë “po psikologe”, por prapë e ndjej një boshllëk. Nuk është saktësisht e mbushur zemra ime, një dashuri vëllazërore i mungon. Unë nuk e di nëse vëllai më do, ama kur e pyes, ose kur e nxjerr shëtitje, më thotë: “Je motra më e mirë në botë, të dua shumë”.

Edhe unë do ta doja një këshillë nga vëllai, edhe unë do të doja dhurata nga vëllai, por te ne është ndryshe; unë duhet t’i jap këshilla vëllait, unë duhet t’i plotësoj qejfet vëllait dhe duhet ta dua shumë, më shumë seç do një motër vëllain e vet. E dëgjoja shpesh frazën: “Liroji rrugë vëllait se e ke të sëmurë!”. Po, çfarë rruge mund të hapja unë kur kam qenë vetë shumë e vogël? Tani, po, di si t’i liroj rrugë dhe si të sillem me të, por gjithmonë mendoj se si do t’i shkojë filli vëllait tim. Jeta, pra, më ka rritur me halle dhe me mundime. Më është dukur sikur u rrita para kohe dhe u hyra halleve para kohe. Sigurisht, tani ai është bërë shumë më mirë, madje është dhe shumë djalë tërheqës dhe unë i uroj më të mirat e botës…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *